Nazmi Gripshi është risia e trajnerit Silvinjo në grumbullimin e muajit tetor, për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë. Mesfushori durrsak po shkëlqen me Astanën në Kazakistan dhe ka marrë më në fund një ftesë edhe për faktin se Silvinjo humbi shërbimet e Adrion Pajazitit të dëmtuar.
Ka qenë në fakt një ftesë e papritur për lojtarin, i cili vetëm gjatë ditës së sotme ka mësuar se mund të bëhej pjesë e grupit kuqezi. Gjatë ditës së sotme, klubi i Astanës kishte postuar lajme për futbollistët e ftuar nga përfaqësueset përkatëse dhe emri i Gripshit, nuk ishte mes tyre.
Për më tepër, gjatë pasdites, Gripshi ka qenë rregullisht në stërvitje me klubin e Astanës, siç shihet në pamjet e publikuara nga vetë kazakët në rrjetet sociale gjatë stërvitjes së atyre të cilët nuk kishin udhëtuar me ekipet kombëtare.
Një tjetër sinjal se ftesa e Silvinjos ka qenë krejtësisht e papritur dhe jashtë programeve për stafin kuqezi dhe vetë futbollistin i cili nesër pritet të mbërrijë në vendin tonë.