Porta ka qenë një repart për të cilin është diskutuar shumë te Vllaznia në fillimin e këtij sezoni. Ku gjatë kupave të Europës nga skuadra u larguar titullari i katërkëndorit, Kristi Qarri. Në këtë mënyrë klubi vendosi që t’i besonte mbrojtjen e portës, djaloshit të ri, Aron Jukaj.
Me 20-vjeçarin i cili kishte qenë titullar për 9 herë kampionët e vendit tonë që nga dhjetori i vitit 2024, periudhë ku Qarri u dëmtua dhe nga kjo “përfitoi” Jukaj. I cili tregoi cilësitë e tij, duke u konsideruar si një nga talentet e portës në kampionatin tonë. Megjithatë, nga ana e klubit dhe stafit teknik u afrua edhe një portier me eksperiencë si Leon Pohls.
Me gjermanin fillimisht që do konsiderohej si alternativë e Jukajt, por për ironi të fatit 28-vjeçari tashmë është titullar i kuqebluve pas dëmtimit të Jukajt. Performancat e ish-gardianit të Shamrok Rovers në Irlandë kanë ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje. Në këtë mënyrë duke përmirësuar shumë nivelin e tij, për të cilin kishte dyshime në miqësoret e verës, me portierin i cili bëri disa gabime në takimet para përgatitore të kampionatit.
Por, nga ai moment duket se Pohls është një tjetër “futbolllist”, i cili tashmë ka arritur formën e duhur fizike e po ashtu përshtatur siç duhet në Shkodër. Me rikthimin edhe të Jukajt së fundmi nga dëmtimi, të dy portierët do jenë në 100% të formës në rivijimin e kampionatit në datën 18 tetor. Për trajnerin Martini do jetë një “luks”, por edhe një tjetër “dhimbje koke” për të vendosur për titullarin e portës. Pasi tashmë skuadra ka dy portierë tek të cilët mund të besosh dhe që dhurojnë siguri mes shtyllave. Ku tashmë rivaliteti do jetë i madh edhe për katërkëndorin kuqeblu.