Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, realizoi sot një takim pune me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sh.T.z. Ola Sulstrom.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i deritanishëm i mirë ndërmjet dy vendeve dhe u shpreh interesi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të tij, veçanërisht në fushën e projekteve energjetike dhe infrastrukturore.
Ministrja Bozhinovska e informoi ambasadorin Sulstrom për projektet kyçe strategjike të Ministrisë në fushën e infrastrukturës energjetike dhe efiçiencës së energjisë, si dhe për planet për përshpejtimin e tranzicionit energjetik. Ajo theksoi se Maqedonia është e përkushtuar për modernizimin e sistemit energjetik, rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë enegjetike, gjë që hap mundësi për bashkëpunim me partnerët dhe kompanitë suedeze.
Fokusi i diskutimit ishte edhe mundësia e përdorimit të Fondit të Dokumentacionit Teknik (TDF), një instrument përmes të cilit Suedia mbështet prodhimin e dokumentacionit teknik për projektet infrastrukturore dhe energjetike. Deri më tani, asnjë projekt maqedonas nuk ka marrë pjesë në këtë fond, ndërsa ministrja Bozhinovska theksoi se pjesëmarrja në TDF mund të jetë e rëndësishme për avancimin e projekteve në fushat e efiçiencës energjetike, modernizimit të infrastrukturës dhe zgjidhjeve të zgjuara të energjisë, duke pasur parasysh përvojën e gjerë të kompanive dhe institucioneve suedeze në këto fusha.
Ai theksoi se një numër i madh i kompanive suedeze janë të interesuara për zhvillimet në sektorin e energjisë në Maqedoni dhe rajon dhe shprehu dëshirën për të nxitur bashkëpunim më të madh ekonomik – si nëpërmjet pranisë së kompanive suedeze në tregun e energjisë maqedonase, ashtu edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së kompanive maqedonase në tregun suedez.
Ambasadori Sulstrom theksoi se Suedia mbetet mik dhe mbështetëse i fortë i Maqedonisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu dëshirën se vendi do të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive, me një vendosmëri të përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimin e ardhshëm të partneriteteve në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe zhvillimit të gjelbër.
“Bozhinovska me ambasadorin Sulstrom: Mbështetje suedeze për reformat energjetike dhe projektet infrastrukturore në Maqedoni”
8
previous post