Nga stadiumi ‘Duboçica’ në Leskovac, trajneri i Kombëtares, Sylvinho dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, folën për mediet në prag të ndeshjes kundër Serbisë. Hysaj është i vetmi futbollist i Kombëtares që vijon të jetë edhe pas 11 vitesh në ekip, pasi ka qënë në fushë gjatë trazirave në Beograd 11 vite më parë.
Dueli merr jetë të shtunën në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Tanët mbajnë vendin e dytë me tetë pikë, një më shumë se Serbia që ka një ndeshje më shumë për të luajtur. E cilësuar si një finale për vendin e dytë, atë që të dërgon në play-off e Kupës së Botës, përballja pritet me interes nga dy kampet, ndërsa siguria për këtë duel është e lartë.
Konferenca është duke u zhvilluar drejtpërdrejt:
SIGURIA DHE MASAT E FIFA-s
Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.
6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit. Në bazë të një marrëveshjeje mes dy federatave, në ndeshjet Serbi – Shqipëri dhe anasjelltas nuk do ketë tifozë kundërshtarë.
Pas pesë sfidave të luajtura në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, Anglia me 15 pikë mban kreun duke lënë pas Shqipërinë me tetë pikë. Serbia me shtatë pikë ndodhet në pozitën e tretë, por ka një ndeshje më pak. Më pas vijnë Letonia (4 pikë) dhe Andorra me zero pikë.