Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Strugës janë nëntë kandidatë, ku kandidatët e koalicioneve më të mëdha janë Arsim Dalipi nga AKI dhe Mendi Qyra i cili është kandidat i pavarur dhe që mbështetet nga VLEN. Në Komunën e Strugës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 62,711 qytetarë. Portalb.mk i ka përmbledhur premtimet kryesore të Dalipit dhe Qyrës.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 21.3% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 19.2% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 19.1% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 18.7% mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 15.6% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe problemet tjera me 6.2%.
Fokusi i Arsim Dalipit në programin zgjedhor “Bashkë për Strugën” bazohet në 11 shtylla themelore programore.
1.Administratë efikase
E- Komuna, Zero korrupsion. Platformë digjitale për raportim anonim të korrupsionit, transmetim direkt të seancave të Këshillit të Komunës së Strugës. Transmetim direkt i seancave të Këshillit Komunës së Strugës.
2. Rivitalizimi urban dhe rural, mjedis jetësor dhe efikasitet energjetik
Plan i ri gjeneral urbanistik. Hapja e rrugëve të reja lokale/urbane. Ndërtim dhe rikonstruksion të Zonave Ekonomike Industriale. Ndërtim i parkingjeve të reja: parking nëntokësor dhe parking në kate. Projektimi dhe ndërtimi i urës së re për këmbësorë mbi lumin Drini i Zi te lidhja ndërmjet spitalit të qytetit dhe qendrës tregtare Fati Trade.
3. Ndërmarrje publike për qytetarët
Investim në teknologji për pastrim dhe mirëmbajtje urbane – makina dhe pajisje moderne për pastrim të rrugëve dhe mjete për grumbullimin e mbeturinave. Rikonstruksion/modernizim të hapësirave të jashtme dhe të brendshme të Tregut të Gjelbërt të Qytetit. Rikonstruksion/ridedikim të Tregut të hapur pas poligonit të Lidhjes AMSM. Ndërtim të sistemit softuerik për informacion për vende dhe lokacione të lira për parkim në qytet në kohe reale.
4. Kulturë, rini dhe sport
Rikonstruksion i sallave sportive. Ndërtim i Qendrës Multifunksionale Sportive. Themelim të Akademisë Rinore për Sportë për basketboll, hendboll, futboll, not dhe kajak-kanu. Ndërtim i Muzeut të Sportit të Strugës në nder të historisë së sportistëve dhe klubeve të sportit nga Struga me rrethinë. Ndërtim i Qendrës Rinore në Strugë me hapësirë multifunksionale me bibliotekë, IT-lab, ambient për debate, trajnime dhe punë kreative dhe në rrethinë. Ndërtim i Parkut të Sporteve Alternative me hapësirë për skejtbording, parkut, joga në natyrë dhe sporte të reja urbane.
5. Arsim bashkëkohor
Rikonstruim i plotë i shkollave fillore dhe të mesme në infrastrukturën themelore, transport i organizuar për nxënësit nga fshatrat, pajisje të klasave dhe laboratorëve me pajisje digjitale (smart tables dhe prozhektorë) dhe implementim të inteligjencës artificiale AI. Mbështetje financiare për “Uniforma për të gjithë nxënësit”. Bursa dhe mbështetje për nxënësit dhe studentët ekselentë.
6. Shërbime efikase sociale dhe mbrojtje të grupeve të margjinalizuara
Ndërtimi i Çerdhes së Re për fëmijë në qytet. Ndërtimi i Qendrës Multifunksionale për kualifikim dhe rikualifikim për per sonat me aftësi të kufizuar. Qendër Sociale Ditore për të moshuarit dhe për personat e vetmuarit në qytet dhe në vendbanimet më të mëdha rurale. Strehë emergjente për raste të dhunës në familje. Mbështetje financiare për themelimin e Zyrës për personat me aftësi të kufizuar për ndihmë ligjore, mbështetje në arsimim dhe punësim. Mbështetje financiare me vauçerë në vlerë prej 6.000 denarëve për çdo fëmijë të regjistruar në klasë të parë dhe për fëmijë pa prindër.
7. Turizëm i qëndrueshëm
Planifkim urbanistik për zhvillim të turizmit të kampingjeve me përcaktim të lokacioneve buzë Liqenit të Ohrit: lumi Sateskë – Radozhdë pranë kufirit Maqedoni e Veriut-Shqipëri; buzë liqenit artificial të Glloboçisës te fshati Llukovë; në pjesën e turizmit malor në Belicë të Epërme, Vish një, Llabunisht, Podgorc, Jabllanicë. Rivitalizim/rekonstruksion të arkitekturës strugane në pjesën e vjetër të qytetit në pjesën e fasadave të shtëpive. Ndërtimi i shtegut për biçikleta që lidh Radozhdën me fshatin Lin (Shqipëri). Përfundimi i shtegut Strugë-Ohër dhe Strugë-Kalisht-Radozhdë. Brendim i produkteve autoktone për ushqime dhe pije në rajonin e Strugës. Mbështetje financiare për krijimin e rrjetit të guidave lokale për ecje në male, për historinë dhe kulinarinë. Krijimin e platformës digjitale për bashkëpunim me shoqërinë civile. Rikonstruksion/modernizim të shëtitoreve të të dy anëve të lumit Drini i Zi me hapësira të stilit bulevard për ecje, biçikleta dhe art në të hapur. Rikonstruksion të shëtitores nga Ura e Poezisë deri te plazhi i hotelit Drim dhe të mureve mbrojtëse ndaj liqenit. Rikonstruksion/ridedikim të Pishinës së Hapur të qytetit, Rivitalizim/subvencionim të artizanateve të vjetra: veshje popullore, instrumenta popullorë muzikorë, zdrukthtari, poçari, filigranë, suvenirë, punime lëkure/metali. Vendosje në funksion të “Qendrës për Informim Turistik” (TIC). Vendosja e pikave me WiFi falas (Free Internet Zones) në pjesët kryesore të qytetit dhe në disa lokacione atraktive në mjedis malor.
8. Bashkëpunime me komuna kufitare, OJQ dhe organizata ndërkombëtare
Sektor i veçantë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim për projekte-aplikime te programet e BE-së, fondet IPA, GIZ, USAID dhe partnerë të tjerë.
9. Trafik rrugor bashkëkohor
Vendosja në zbatim/rishikim i Planit të Ri për qarkullim dhe sinjalistikë për qytetin e Strugës. Ndërtim/rikonstruksion dhe modernizim të parkingjeve ekzistuese publike dhe parkingje të reja në zonat me fluks të madh. Transport i zgjeruar publik me shtim të linjave për lagje periferike dhe për fshatra, sipas nevojës, shtigje për biçikleta dhe zona “eco-movement”. Ndërtim dhe riparim të stacioneve për pritje të autobusëve me tabela informative dhe me stola karrikues. Program për “Shkolla Ekologjike” me aktivitetet edukative në shkolla mbi transportin e qëndrueshëm, me gara kreative dhe projekte praktike.
10. Diaspora në zemrat tona
Themelim të Zyrës për Marrëdhënie me Diasporën për komunikim të drejtpërdrejtë, për informim dhe bashkëpunim me mërgatën. Platformë digjitale “Diaspora Strugane” onlajn ku mërgimtarët japin ide, aplikojnë për projekte dhe të informohen për zhvillimet lokale.
11. Komunë për të gjithë
Përpilim dhe zbatimi i dokumentit publik Karta e Etikës dhe Respektit mes Bashkësive, të nënshkruar nga të gjithë funksionarët, që promovon bashkëjetesën, gjuhën e kujdesshme dhe veprimin gjithëpërfshirës .
Çka premton Mendi Qyra për Strugën?
Mendi Qyra nuk e ka bërë ende publik programin e plotë si dhe nuk ia kanë dorëzuar redaksisë së Portalb.mk. Megjithatë, ai ka ndarë pikat kryesore të programit të tij.
Nga ana tjetër, pikat kryesore nga programi politik i Mendi Qyrës janë si në vijim:
Rregullim i hyrjeve në qytet dhe ndërtimi i rrugës Strugë – Morovishtë.
Ndërtimi i dy parkingjeve nën tokë, tek plazhi dhe në qendër të qytetit.
Projektimi dhe rinovimi i ujësjellësit, pa gypa azbesti.
Zgjidhja e problemeve të kanalizimit nëpër fshatra.
Ndërtimi i strehimores për qentë endacakë.
Çerdhe me kushte moderne.
Projektimi i projektit të ri dhe zgjidhja e cështjes së plazheve.
“Parku Rinia” në Strugë me fusha sportive dhe gjelbërim.
Mbështetje për sportin dhe sportistët e rinj.
Ndërtimi i një porti në Liqenin e Ohrit.
Shëtitorja Strugë- Kalishtë.
Mbjellja e 8000 pemëve.
Ndërtimi i teatrit veror.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.