Nga 11 qershori deri më 19 korrikun e 2026 e gjithë vëmendja e futbollit (dhe jo vetëm) do jetë në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kupa e Botës nuk i ka përcaktuar ende të gjitha skuadrat finaliste, teksa 20 bileta janë ende në vitrinë, të gatshme për ‘t’u rrëmbyer’ nga protagonistët.
Kombëtarja e Shqipërisë, skuadra e Kosovës, e Maqedonisë së Veriut dhe e Bosnjë Hercegovinës janë në garë për të qenë në play-off, pasi në grupet respektive secila nga skuadrat mban vendin e dytë. Kosova e drejtuar nga Franco Foda ka mundësi matematike që me një sukses në Slloveni dhe në shtëpi kundër Zvicrës të marrë vendin e parë, atë që të dërgon direkt drejt ‘ëndrrës amerikane’.
Ballkani është rritur dhe shtetet nuk janë më ato të dekadave më parë, kur frika e Evropës (dhe më gjerë) lidhej me trazirat në një rajon që e ka treguar se mund të jetë shkaktar edhe për ndonjë luftë botërore.
Tanimë njerëzit e kanë kuptuar se sporti, arti dhe kultura të dërgojnë më shpejt sesa politika në Evropë apo në kompeticionet botërore.
Dy ndeshjet e fundit të nëntorit në grupe janë deçizive, ndërsa fakti i bukur është se të katërta skuadrat ballkanike ndodhen në një vazo, që tregon një nivel thuajse të ngjashëm, me disa pikë më shumë për njërën apo tjetrën. Të ndodhura në vazon tre, ato nuk do kenë mundësi të përballen me njëra-tjetrën në play-off dhe nga rezultatet e fundit mund të kenë si rivalë Sllovakinë, Hungarinë, Çekinë apo Skocinë.
Asgjë nuk ka mbaruar, nëntori është pranë dhe ai do vendos shumë. Por interesant është fakti që katër skuadra nga Ballkani i trazuar i disa viteve më parë, sot garojnë për një vend në Kupën e Botës, si për t’i treguar të gjithëve se në këtë rajon ka njerëz të punës dhe sakrificës që duan të integrohen në Bashkimin Evropian edhe politikisht, jo vetëm nga ana gjeografike.
Si funksionon “play-off” i Kupës së Botës?
Në këtë fazë marrin pjesë 12 skuadrat e dyta të grupeve kualifikuese dhe 4 fitueset e grupeve të Ligës së Kombeve që nuk janë kualifikuar direkt. Shorti do të ndajë këto 16 skuadra në 4 grupe (A, B, C dhe D), ku fituesit e grupeve do të kualifikohen për Botërorin 2026. Do të luhen dy ndeshje, një gjysmëfinale dhe finalja.
Skuadrat ndahen në 4 vazo për play-off:
Vazo 1: 4 skuadrat e renditura më lart në FIFA nga vendet e dyta të grupeve
Vazo 2: 4 të tjerat nga vendet e dyta me koeficientin më të mirë
Vazo 3: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja (me rezultatet e deritanishme dhe koeficienti i UEFA-s)
Vazo 4: katër skuadrat e Ligës së Kombeve (Uellsi, Rumani, Suedi dhe Irlanda e Veriut)
Ndarja e vazove play-off për Kupën e Botës 2026 pas sfidave kualifikuese të tetorit në zonën UEFA