Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave me postë ku tashmë janë publikuar rezultatet e para.
Qytetarët mund të klikojnë KËTU për të parë rezultatet e publikuara të votave me postë.
Nga rezultatet e para të publikuara në Gjilan të votave me postë, të 6 kutive nga gjithsej 7 sa janë, prinë kandidati i VV-së, Alban Hyseni me 51.77%, pas tij renditet Arbër Ismajli i LDK-së me 36.32%.
Numërohen votat e disaporës edhe në Junik, Ruzhdi Shehu i LDK-së fiton bindshëm me mbi 50%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të diasporës për komunën e Junikut.
Ruzhdi Shehu i LDK-së ka marrë më së shumti vota të disaporës, gjithsej 50.97%, pas tij renditet Agron Kuçi i AAK-së me 35.34%, shkruan Reporteri.net.
Kandidati i Vetëvendosjes, Jetmir Tofaj, ka marrë 12.54%, kurse Fatos Shala i PDK-së 1.15%.
Numërohen të gjitha votat e Diasporës në Dragash, Bexhet Xheladini i LDK-së fiton bindshëm me mbi 55%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të diasporës për komunën e Dragashit.
Në këtë komunë bindshëm votat e diasporës i ka fituar kandidati i LDK-së, Behxhet Xheladini me 55.92%, shkruan Reporteri.net.
I dyti pas tij renditet kandidati i PDK-së, Shaban Shabani me 25.43%.
I treti Filiz Mustafa i VV-së me 16.57%.
Përfundon numërimi i votave të Diasporës në Shtime, Qemajl Aliu fiton mbi 51%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave të diasporës për komunën e Shtimes.
Fitues me votat e disaporës ka dalë kandidati i Vetëvendosje, Qemajl Aliu, me 51.63%, duke lënë pas kandidatin e PDK-së, Përparim Musa me 35.15% të votave, shkruan Reporteri.net.
I treti renditet Kastriot Shabani i LDK-së me 13.22% të votave.
Kurse kandidati i AAK-së, Ramë Bislimi, nuk ka marrë asnjë votë.
Mbi 85% e votave të numëruara nga Diaspora, Alban Hyseni po fiton bindshëm me mbi 51% ndaj Arbër Ismajlit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave me postë ku tashmë janë publikuar rezultatet e para.
Nga mbi 85% e votave të numëruara me postë, Alban Hyseni i VV-së po e mposht bindshëm Arbër Ismajlin e LDK-së.
Hyseni ka 51.77% të votave, kurse Ismajli renditet i dyti me 36.32%.
I treti renditet Riad Rashiti i PDK-së me 9.19%.
Numërohen votat e para nga Diaspora, Faton Peci po e deklason Arian Tahirin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave me postë ku tashmë janë publikuar rezultatet e para, shkruan Reporteri.net.
Nga 50% e votave të numëruara të diasporës, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës po fiton bindshëm me 58.48%, duke e lënë pas Arian Tahirin e PDK-së me 28.72%.
I treti renditet Gëzim Plakolli i LDK-së me 12.80%.
Përditësimi i fundit i rezultateve në KQZ: Këto janë pesëshet më të votuara në listat e partive në Prishtinë
Pas numërimit të 178 nga 268 vendvotimet në Prishtinë, që përbën rreth 66.42% të votave, po bëhet e qartë se kush janë kandidatët më të votuar për Kuvendin Komunal nga tri partitë kryesore.
Në këtë fazë të procesit Gazeta Online Reporteri.net ju sjell listat me pesç kandidatët më të votuar në Prishtinë nga LDK, PDK dhe Vetëvendosje.
Nga LDK, më shumë vota ka marrë Përparim Rama si bartës i listës me 18,458 vota, i ndjekur nga Bekim Gashi me 957 vota, Bujar Gashi me 869, Milazim Vitija me 832 dhe Egzon Pacolli me 578 vota.
Nga PDK, Uran Ismaili, po ashtu bartës i listës me 14,083 vota, ndërsa pas tij vijnë Agron Canolli me 801 vota, Leutrim Retkoceri me 599, Besianë Musmurati me 573 vota dhe Ilirik Musliu me 546 vota.
Nga Vetëvendosje, më shumë vota ka marrë Mrika Limani Myrtaj me 13,647 vota, pasuar nga Gëzim Sveçla me 965 vota, Jeta Bujari me 741, Feim Osmani me 519 dhe Berita Abazi Muhadri me 487 vota.
Cakolli: Votat e diasporës mund të ndikojnë në këto 15 komuna, qoftë në përcaktim të balotazhit, qoftë në renditje të partive
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se tashmë ka nisur numërimi i votave të ardhura nga diaspora. Ai ka shkruar se rreth 30 mijë votat e ardhura, ndonëse në total janë pak, ato mund ta ndryshojnë garën në 15 komuna.
Në një postim në Facebook, Cakolli ka thënë se matematikisht, votat e diasporëa mund ta caktojnë balotazhin në disa komuna, por edhe mund ta ndërrojnë renditjen e partive politike.
“Sot ka filluar numërimi i 29,638 vota të ardhura nga diaspora. Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve”, ka shkruar Cakolli.
Postimi i plotë:
Votat jashtë vendit mund ta ndikojnë rezultatin përfundimtar në plot 15 komuna!
Sot ka filluar numërimi i 29,638 vota të ardhura nga diaspora. Ndonëse përbëjnë vetëm rreth 1.4% të totalit të përgjithshëm të votave, ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës zgjedhore. Duke supozuar që të gjitha votat do të jenë të vlefshme (zakonisht nuk ndodhë kështu), MATEMATIKISHT, ato mund të ndikojnë drejtpërdrejtë rezultatin e 15 komunave të mëposhtme – qoftë në përcaktimin nëse do të ketë balotazh apo jo, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve.
1. Deçani
Kjo komunë mbetet matematikisht e hapur për balotazh. Bashkim Ramosaj (AAK) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton mbi 33% të votave të diasporës. Në të kundërtën, nëse partitë e tjera marrin mbi 66%, gara shkon në balotazh mes AAK dhe LDK.
2. Gjakova
Ardian Gjini (AAK) mund ta fitojë komunën pa balotazh vetëm nëse merr rreth 90% të votave të diasporës – skenar pothuajse i pamundur.
3. Gjilani
Alban Hyseni (LVV) mund ta mbyllë garën pa balotazh nëse fiton mbi 57% të votave jashtë vendit. Çdo përqindje më e ulët se kjo e dërgon komunën në balotazh.
4. Dragashi
Bexhet Xheladini (LDK) do të duhej të fitonte rreth 85% të votave të diasporës për ta mbyllur garën pa balotazh. Ndërsa Filiz Mustafa (LVV) mund të hyjë në balotazh vetëm nëse fiton rreth mbi 83 % të votave jashtë vendit (pavarësisht si performon kandidati i PDK-së, Shaban Shabani).
5. Kaçaniku
Balotazhi është i pashmangshëm, por votat nga diaspora mund të ndikojë në renditjen e dy kandidatëve kryesorë. Sabedin Vishi (PDK) duhet të sigurojë mbi 21% të votave jashtë vendit për ta ruajtur matematikisht pozitën e parë ndaj Jeton Rakës (LVV).
6. Klina
Zenun Elezaj (AAK) do ta fitonte komunën pa balotazh vetëm nëse siguron mbi 73% të votave nga diaspora. Në të kundërtën, gara shkon në raund të dytë.
7. Kamenica
Matematikisht, balotazhi mbetet i mundshëm. Kadri Rahimaj (LVV) e mbyll garën pa balotazh vetëm nëse fiton të paktën 42% të votave të diasporës. Nëse performanca është më e dobët se kjo, Qëndron Kastrati (PSD) hyn në balotazh me të.
8. Mitrovica e Jugut
Balotazhi është i sigurt, por votat jashtë vendit do të përcaktojnë renditjen mes Arian Tahirit (PDK) dhe Faton Pecit (LVV). Tahiri e ruan vendin e parë nëse fiton rreth 48% të votave të diasporës.
9. Rahoveci
Balotazhi është i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë se kush hyn në balotazh. Burim Krasniqi (LDK) duhet të fitojë rreth 58% të votave jashtë vendit për ta kaluar Ali Dulën (LVV) dhe për të siguruar vendin e dytë.
10. Prishtina
Komuna do të ketë balotazh mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekos (LVV). Votat e diasporës mund të ndryshojnë vetëm renditjen e dy kandidatëve të parë. Rama e ruan vendin e parë nëse fiton mbi 15% të votave jashtë vendit.
11. Shtimja
Votat e diasporës mund të përcaktojnë nëse do të ketë apo jo balotazh. Qemajl Aliu (LVV) e siguron fitoren në raund të parë vetëm nëse fiton rreth 42% të votave të diasporës. Nëse partitë tjera fitojnë rreth 60% të këtyre votave, komuna shkon në balotazh.
12. Vitia
Balotazhi mbetet i pashmangshëm, por diaspora mund të ndikojë në renditjen përfundimtare. Arsim Ademi (LVV) do të duhej të fitonte rreth 80% të votave të diasporës për ta kaluar Sokol Halitin (LDK).
13. Juniku
Kjo është komuna më e ndjeshme ndaj votave jashtë vendit – ato mund të përcaktojnë nëse do të ketë balotazh, kush del i pari, apo kush i dyti. Ruzhdi Shehu (LDK) e fiton pa balotazh vetëm nëse merr të paktën 55% të votave të diasporës, ndërsa Agron Kuçi (AAK) duhet të fitojë mbi 70% të këtyre votave për ta përmbysur rezultatin përfundimtar. Për ta garantuar vendin e parë në balotazh, pavarësisht shpërndarjes, kandidatit të LDK-së i duhen mbi 42% të votave të diasporës, kurse, atij të AAK-së, për pozitën e njëjtë, i duhen mbi 58% të votave të diasporës.
14. Mamusha
Abdülhadi Krasniç (KDTP) mund të shkojë në balotazh, vetëm nëse ai nuk arrin të fitojë të paktën 45% të votave jashtë vendit. Nëse Fikret Morina (MHH) dhe Agron Mazreku (LVV) fitojnë mbi 55%, komuna shkon në raund të dytë. Në rast se Morina fiton rreth 75% të votave, ai do të shpallet fitues pa balotazh.
15. Hani i Elezit
Në këtë komunë me vetëm dy kandidatë, votat e diasporës janë vendimtare për fituesin. Mehmet Ballazhi (PDK) fiton nëse e ruan epërsinë me të paktën 33% të votave jashtë vendit, ndërsa Rufki Suma e përmbys rezultatin vetëm nëse fiton mbi 67% të tyre.
KQZ nis numërimin e votave nga jashtë Kosovës: mbi 29 mijë pako të aprovuara, gati 4 mijë të refuzuara
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar nga KQZ, është mbi 29,600.
“Nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Nga të dhënat që kemi nga shërbimi votues, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi.
Elezi ka treguar edhe progresin në Qendrat Komunale të Numërimit në komuna të ndryshme të Kosovës.
Sipas KQZ-së, deri të premten në orën 16:00 aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 30 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan, Raillug, Partesh (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte), Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut dhe Podujevë (e premte).
“Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, e premte, janë verifikuar rezultatet për 2,303 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,308 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 2,308, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,611”, tha Elezi.