Duke filluar nga sot deri më datën 25 tetor Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka lajmëruar bojkotim të seancave nga të gjithë avokatët e proceseve penale, përfshirë dhe ata pjesë e proceseve gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese.
Nga ky bojkot përjashtohen seancat që kanë si objekt caktimi, ndryshimi, zëvendësimi dhe shuarje të masave të sigurisë.
Ky vendim i Dhomës së Avokatisë vjen pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, pas një përplasje në sallën e gjyqit me këtij të fundit dhe prokurorit të çështjes, Gjergj Ceka. Bëhet fjalë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, disa prej të cilëve ishin të armatosur. Mes të arrestuarve ishte dhe Maksim Suçi, klienti i avokatit Ulian Barjami.
Në një audio dëgjohet avokati Barjami teksa shprehet se provat janë të rreme dhe në një moment thotë “do të merrem personalisht me prokurorin dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore” dhe se do të bëjë kallëzim pasi konstaton element të veprës penale për shkak se provat i cilëson si të manipuluara.
Prokurori e ka marrë si kërcënim dhe i thotë se duhet të arrestohet, ndërsa gjyqtarja Megi Strakosha ndërhyn menjëherë duke e ndërprerë dhe duke e kritikuar për gjuhën e përdorur. Avokati përmend se kallëzimi do ishte ligjor, ndërsa gjyqtarja e paralajmëron se do ta përjashtojë nga salla e gjyqit dhe në vend të tij do të caktojë një avokat kryesisht.