“Shqipëria ka bërë hap madhor drejt reformimit të gjyqësorit. Kjo është theksuar qartësisht në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2016. Dhe Komisioni ka përgëzuar autoritetet shqiptare dhe ekspertët e Komisionit të Posaçëm në lidhje me përgatitjen e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin. Ne vazhdojmë që të kemi dialog të përhershëm”, tha Suchocka.

Deputeti Fatmir Xhafaj, drejtues i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, theksoi rezultatet e prekshme të reformës, por shtoi se ka ende shumë punë përpara. Një sfidë që duhet adresuar, tha Xhafaj, është mentaliteti i njerëzve që shërbejnë në këtë sistem.

Xhafaj kërkoi debat konstruktiv brenda institucioneve të drejtësisë, duke shtuar se qasja e të qëndruarit larg kësaj është e gabuar. Argumentoi gjithashtu që edhe diskutimet ndërmjet pushteteve nuk duhen konsideruar si ‘rrezik’ përsa kohë zhvillohen brenda normave.

 

“Sistemi sot ka nevojë si bima për ujin për debatin e brendshëm konstruktiv, kritikën dhe oponencën proporcionale. Edhe debatet ndërmjetet pushteteve duhen konsideruar kur zhvillohen brenda normave. Prirja për të qëndruar larg ndërmjet bashkëveprimit është qasje e gabuar.”, tha Xhafaj.

Ndërsa kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se reforma në drejtësi është ngadalësuar. Duke vënë në pah arritjet të bëra gjatë këtyre viteve dhe shkëputjen nga politika, Sadushi përmendi si shqetësim faktin se drejtësia s’po ecën me hapin që nisi për shkak të mungesës së vullnetit.

“Pavarësisht sfidave dhe pengesave, thelbi i saj mbetet i pandryshuar, sepse reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua.”, shtoi ai.

Për vettingun, kreu i Gjykatës së Lartë tha se ndonjëherë ka ngritur dyshimet e proceseve me dy standarde.

“Procesi i rivlerësimit kalimtar pavarësisht vlerës historike për pastrimin moral të sistemit, nuk ka qenë i imunizuar ndaj problemeve. Janë vërejtur vendimmarrje të pabarabarta për çështje të ngjashme, mungesë koherence në interpretim dhe ndikim i perceptimeve publike mbi procesin, çka ka krijuar herë pas here ndjesinë e standardeve të dyfishta.”, shtoi Sadushi.

Ndërsa opozita vuri gishtin direkt në plagë, duke kujtuar edhe vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja pak ditë më parë.

“Vetëm pak ditë më parë një krim i tmerrshëm në Gjykatën e Apelit, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën gjyqit, elita politike dënoi me ashpërisë më të madhe këtë akt. Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje dhe të gjitha komisionet. Por, më i tmerrshëm se krimi çnjerëzor ishte reagimi masiv i njerëzve, glorifikimi i vrasësit arriti edhe në hapjen e një llogarie në mbështetje të vrasësit, ky është niveli i besimit i qytetarëve tek drejtësia e re.”, tha Strazimiri.

Në tryezë mungoi kreu i SPAK, Altin Dumani, ndonëse ishte parashikuar të merrte pjesë. Tryeza me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe ministrin në detyrë të Drejtësisë në Kosovë, Blerim Sallahu, nuk kaloi pa një incident. Ish-gjyqtari Gjin Gjoni që shmangu vettingun dhe vetëm u pa në tryezë si përfaqësues i PD, kërkoi që mbledhja të mos mbyllej, pa u dëgjuar edhe ai.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, kryetarja e ILDKPI-së: Tregon edhe krizën e besimit ndaj drejtësisë dhe dobësitë e reformës

Kryetarja e ILDKPI-së, Evgjeni Bashari, teksa mori pjesë në panelin e drejtësisë gjatë “30 vite partneritet dhe progress: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias” përmendi edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur më 6 tetor, ku u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në gjykatën e Apelit, gjyqtari Astrit Kalaja.Sipas saj, ky akt i rëndë tregon mes të tjerash edhe krizën e bezimit ndaj drejtësisë dhe dobësive që mbart reforma pavarësisht arritjeve të deritanishme.

“Ky akt ekstrem i ndodhur brenda ambienteve të një gjykate është më tepër sesa një ngjarje e rëndë, është një pasqyrë e dhimbshme e vazhdimit të krizës së besimit ndaj drejtësisë dhe dobësive të një reforme që ndonëse ambicioze dhe me efekte të prekshme mbetet ende me nevojën për t’u plotësuar me mekanizma të tjerë. Ky rast shërben si kujtesë që shpesh harrohet gjatë përditshmërisë së punës tonë. Drejtësia nuk funksionon vetëm përmes ligjeve, institucioneve apo kontrolleve por përmes njerëzve dhe kulturës së integritetyir dhe besimit që e mbështet atë.”, u shpreh Bashari.

Deputeti demokrat, Gent Strazimiri adresoi kritika në drejtim të reformës në drejtësi në tryezën për 30-vjetorin e partneritetit mes Shqipërisë, Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias. Në fjalën e tij, Strazimiri hodhi akuza se mazhoranca miratoi pa opozitën të gjithë paketën e ligjeve që duhej ta vinin në zbatim reformën dhe kështu kapi sistemin. Sipas Strazimirit, marrëveshja që projektuesit e sistemit, të mos jenë pjesë e organeve, u prish dhe hodhi akuza se janë ata që sot lëvizin fijet e sistemit. Më tej, ai akuzoi se procesi i vettingut u kthye në gjueti shtrigash.

“Komisioni i Venecias na paralajmëruan se organet e reja mund të sillnin konfuzion, do të kërkonte shumë njerëz profesionistë, ndërkohë që numri i tyre është i kufizuar në një vend si Shqipëria, se një numër i vogël magjistratësh do të kishin pushtetin kryesor, dhe do të rrezikonte kapjen nga partia që inicionte reformën. Asnjë nga këto rekomandime dhe paralajmërime nuk u zbatuan, aq më tepër për ta shpëtuar nga kapja politike. Komisioni bipartizan përfundoi pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mazhoranca miratoi pa opozitën të gjithë paketën e ligjeve që duhej ta vinin në zbatim reformën, duke finalizuar fillimin e kapjes politike të sistemit, marrëveshja që projektuesit e sistemit, të mos jenë pjesë e organeve, u prish, dhe janë pikërisht ata që vazhdojnë të lëvizin fijet e sistemit. Procesi i vettingut u udhëhoq nga ata që nuk u vettuan vetë, me të afërm të partisë në pushtet, duke e kthye në gjueti shtrigash”, tha Strazimiri.

Strazimiri foli edhe për stokun e dosjeve në gjyqësor.

“Për 4 vite me radhë Shqipëria nuk kishte as Gjykatë Kushtetuese dhe as Gjykatë të Lartë, duke krijuar vakum institucional dhe një mungesë drejtësi ta pariparueshme për qytetarët. Parlamenti dhe komisionet janë duke zhvilluar dëgjesa për raportimet e organeve të institucioneve të drejtësisë, që duhej të kishte përfunduar që në pranverë. KLGJ raporti: Stoku i dosjeve që pret shqyrtim nga gjykata ka arritur 138 mijë. 78 mijë çështje të reja vetëm këtë vit, duhen 1345 ditë për të nxjerrë një vendim gjyqësor të arsyetuar. 15-16 vjet për një çështje gjyqësore. Qeveria e gjeti ‘zgjidhjen’ meqë kemi mungesë prokurorësh, reduktoi numrin e gjykatave edhe pse ato të mbytura në stok dosjesh”, tha deputeti demokrat.

Deputeti u ndal edhe tek vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Reagimin e qytetarëve që bënë ndaj vrasësit, duke thënë se e glorifikuan edhe duke i hapur një llogari për ta mbështetur me para, Strazimiri e solli si shembull për të treguar nivelin e besimit të qytetarëve shqiptare tek drejtësia e re.

“Vetëm pak ditë më parë një krim i tmerrshëm në Gjykatën e Apelit, një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën gjyqit, elita politike dënoi me ashpërisë më të madhe këtë akt. Kuvendi mbajti 1 minutë heshtje dhe të gjitha komisionet. Por, më i tmerrshëm se krimi çnjerëzor ishte reagimi masiv i njerëzve, glorifikimi i vrasësit arriti edhe në hapjen e një llogarie në mbështetje të vrasësit, ky është niveli i besimit i qytetarëve tek drejtësia e re. Qeveria ka filluar të artikulojë nevoja për të prodhuar paketë të re ligjore për të riparuar mosfunksionim e sistemit. Më duket se do të trokasim prapë te Venecia që të paralajmëroi sërish për zgjedhjet tona, vetëm se në emrin tonë zgjedhjen do ta bëjë qeveria, e njëjtë si ajo e 2016, që fitoi me ‘farsë’… kam një thirrje dhe një alarm për ta shpëtuar”, tha ai.

Ndërkohë, Strazimiri tha se “ky përvjetor e gjen Shqipërinë, vendin e farsës zgjedhore, drejtësisë së kap dhe persekutimit politik të opozitës çka shënon shkarje të madhe në standardin e saj të anëtarësimit në Këshillin e Europës dhe Komisionit të Venecias.”

 

Sadushi: Reforma në drejtësi është ngadalësuar, mungon vullneti i dikurshëm! Vettingu ka krijuar disa herë ndjesinë e standarteve të dyfishta

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi tha se reforma në drejtësi është ngadalësuar për shkak të mungesës së vullnetit për ta zbatuar atë njësoj sikurse nisi.

“Pavarësisht sfidave dhe pengesave, thelbi i saj mbetet i pandryshuar, sepse reforma nuk ka dështuar. Ajo është ngadalësuar nga mungesa e vullnetit për ta zbatuar me të njëjtin idealizëm dhe integritet, me të cilin u ndërtua.”, u shpreh Sadushi.

Në Konferencën “30 Vjet Partneritet dhe Progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, Sadushi vuri në dukje se reforma nuk është një projekt vetëm i drejtësisë, por një sfidë kombëtare që përfshin politikën, administratën dhe çdo institucion që mban përgjegjësi ndaj qytetarit.

“Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur.”

Sadushi theksoi se drejtësia shqiptare duhet të hyjë në fazën e vetëpërmirësimit dhe të konsolidimit, duke e çliruar veten nga “kompleksi i reformave” dhe duke fituar besimin përmes sjelljes dhe vendimeve të ndershme.

“Qytetari nuk kërkon drejtësi të përsosur, por drejtësi që përpiqet çdo ditë të jetë më e drejtë. Besimi nuk fitohet me fjalë, por me sjellje dhe me vendime që mbrojnë ligjin dhe dinjitetin njerëzor.”

 Edhe për Vettingun, kreu i Gjykatës së Lartë thotë se ndonjëherë ka ngritur dyshimet e proceseve me dy standarde.

“Janë vërejtur vendimmarrje të pabarabarta për çështje të ngjashme, mungesë koherence në interpretim dhe ndikim i perceptimeve publike mbi procesin, çka ka krijuar herë pas here ndjesinë e standardeve të dyfishta.”

Kreu i Gjykatës së Lartë tha mes të tjerash se drejtësia duhet të kalojë në fazën e saj të konsolodimit, të vetëzhvillimit dhe të forcohet përmes institucioneve të saj, sepse, siç shtoi ai, “vetëm një drejtësi që ecën me këmbët e veta mund të jetë e besueshme dhe evropiane”.

“Pas kësaj faze të thellë transformimi, drejtësia shqiptare ka nevojë të kalojë në fazën e saj të konsolidimit. Sot, më shumë se kurrë, duhet të kuptojmë se drejtësia shqiptare duhet të çlirojë veten nga kompleksi i reformave. Reformimi nuk është vetëm detyrë e drejtësisë, por edhe e politikës, e administratës dhe e çdo institucioni që mban përgjegjësi ndaj qytetarit. Në këtë kuadër, është vetë politika ajo që duhet të tregojë ndryshim dhe përgjegjshmëri, sepse vetëm një politikë e pjekur dhe një drejtësi me integritet mund të garantojnë së bashku një sistem të qëndrueshëm dhe të pavarur. Vetëm kur këto dy shtylla ecin paralelisht, reforma merr kuptim dhe vazhdimësi. Ndryshe, rrezikojmë të mbetemi peng të një rrethi të pafund reformash, që e mbajnë sistemin gjyqësor gjithmonë në nisje, por kurrë në mbërritje.”, tha mes të tjerash ai.

 

Xhafaj: Sfidë, mentaliteti i atyre që shërbejnë në drejtësi! Sistemi ka nevojë për debat të brendshëm konstruktiv, qasja për të qëndruar larg është e gabuar

 
Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj thotë se pas gati një dekade, mund të thuhet me bindje se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate, por shtoi se ka ende rrugë të gjatë përpara.

“Pas gati një dekade nga miratimi i paketës kushtetuese, një gjë mund të themi me siguri se kemi bërë gjënë e duhur, jeni në rrugën e duhur por ka edhe shumë punë për të konsoliduar reformën dhe që rezultatet e saj të jenë sa më të prekshme dhe të besueshme për qytetarët. Reforma në drejtësi ishte rezultat i një pune të gjatë dhe shumë impenjative. Zbatimi i saj ka kaluar në një rrugë të gjatë me debate, rezistence, keqkuptimesh dhe presionesh të gjithanshme, e natyrshme për përmasat e një reforme të tillë. Reforma në drejtësi është trasnformimi më i thellë institucional në Shqipëri dhe kushti kyç për përparimin evropian.”, tha Xhafaj.

Më pas, ai renditi një sërë risish që solli reforma, duke nisur nga ndarja e pushteteve. Pavarësinë e gjyqësorit, Xhafaj e cilësoi si arritjen e parë dhe më të madhe. Një tjetër risi tha ai është se me zbatimin e këtij projekti, sistemi i drejtësisë po funksionon mbi parimin e vetëqeverisjes dhe vetërregullimit. Së treti, Xhafaj tha se institucionet e reja të drejtësisë dhe mekanizmat e tjerë që u krijuan i dhanë sistemit mundësinë e vetëpastrimit dhe forcën goditëse për të luftuar korrupsionin  dhe krimin në nivele të larta.

Përmendi gjithashtu një sërë sfidash që sipas tij duhen adresuar sa më parë. Sipas Xhafajt, një ndër problematikat më të mëdha është ndryshimi i mentalitetit të atyre që shërbejnë në sistemin e drejtësisë. Po ashtu kërkoi më shumë bashkëpunim ndërinstitucional brenda sistemit. Sipas Xhafajt, edhe debati ndërmjet pushteteve nuk duhet keqinterpretuar për sa kohë ai zhvillohet brenda normave.

“Ka sërë problemesh që janë identifikuar nga institucionet e drejtësisë dhe ca më tepër edhe vetë qytetarët në përballjen me shërbimin e ofruar. Ndër to janë realisht sfida. Është serioze dhe ndikim të ndjeshëm te qytetarët, biznesi dhe ekonomia, kohëzgjatja e afatit të çështjeve në hetim e gjykim, një dukuri jo e re për ne. Vakancat në sistem janë shkak i fortë për këtë situatë.  Por në gjykimin tim nuk është i vetmi shkak. Integriteti, kontrolli i brendshëm dhe inspektoriatit, eficenca dhe profesionalizmi në hetim e gjykim, dixhitalizimi i sistemeve, respekti i palëve në proces apo garantimi i aksesit në drejtësi te qytetarët dhe sidomos garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre, mbeten ende ndër problematikat kryesore që duhen trajtuar me prioritet. Kalimi i vettingut dhe pavarësia e garantuar me kushtetutë nuk mund të jetë mburojë justifikimi përballë detyrimit kushtetues për përgjegjshmërinë në zbatimin e kushtetutës dhe ligjit, për më shumë llogaridhënie dhe transparencë të institucioneve që qeverisin dhe menaxhojnë sistemin e drejtësisë. Sfidat që ndeshim aktualisht lidhen në një masë të konsiderueshme edhe me bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të vetë sistemit, por me vizion dhe aftësinë menaxhuese të lidershipit të tyre, sidomos nga dy këshillat drejtuese, inspektoriatin dhe drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive të rretheve gjyqësore. Sfida për ndryshimin e mentalitetit të njerëzve që shërbejnë në sistem apo që do të hyjnë të rinj në të është kyç në këtë proces. Reforma synon të zgjidhë shumë aspekte të ndërtimit, dhe funksionimit të sistemit, dhe me efekte pozitive por mënyra e të menduarit, qasja dhe kultura e shërbimit në këto institucione janë sfida më e vështirë e këtij procesi që me sa duket do të kërkojë kohën e vet të reflektimit, reagimit dhe ndryshimit pozitiv. Është jetike për reformën të reagojë në kohë mbi këto dukuri. Çdo debat rreth tyre dhe çdo kritikë që adresohet për përmirësimin e gjërave është veç pozitive. Sistemi sot ka nevojë si bima për ujin për debatin e brendshëm konstruktiv, për mendimin doktrinar, kritikën dhe oponencën profesionale. Edhe debatet ndërmjet pushteteve nuk duhen konsideruar me rrezik, kur zhvillohen brenda normave të debatit të shëndetshëm, frymës kushtetuese dhe në funksion të interesit publik. Prirja për të qëndruar larg ndërmjet bashkëveprimit dhe ndërveprimit institucional, ndërmjety pushteteve dhe institucioneve të tyre, është qasje e gabuar. Përvoja e këtyre viteve në zbatimin e reformës dikton nevojën për të ndryshuar edhe procesin e koordinimit, monitorimin dhe mbikëqyrjen parlamentare. Kuvendi ka rol parësor për reflektim dhe veprim. Është momenti për reflektim përmes një analize se çfarë është bërë dhe po bëhet, por edhe çfarë duhet bërë në vijim. “, tha ai.

 

Ministri i Drejtësisë së Kosovës: Sot kemi nevojë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës

 
Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Blerim Sallahu në konferencën në Tiranë, ‘30 vite partneritet me Këshillin e Evropës e Komisionin e Venecias’ tha se vettingu është një proces i domosdoshëm që ka ekspozuar plagët e sistemit tonë. Sallahu tha se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës.

“Vettingu proces i domosdoshëm, ka ekspozuar plagët e sistemit tonë, korrupsionin, mungesën e meritokracisë. Është të ndarë të drejtën nga e padrejtësia, për të ndarë shërbimin publik nga shërbimi personal. Më mirë një boshllëk i përkohshëm se sa një drejtësi e kalbur. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një drejtësi që nuk i shërben pushtetit, por të drejtës, një drejtësi që nuk është e verbër përballë padrejtësisë. Vettingu është dera që hapet për një sistem të ri, më të ndershëm dhe duhet të mbrohet nga të gjithë ne me kurajo dhe përkushtim”, tha ai.

 

Presidentja e Komisionit të Venecias: Shqipëria ka bërë hap madhor për reformimin e gjyqësorit! Vazhdojmë dialogun e përhershëm

 
Presidentja e Komisionit të Venecias, Hanna Suchocka tha gjatë konferencës që po mbahet në Tiranë se Shqipëria ka bërë një hap madhor në reformimin e gjyqësorit. Ajo foli për bashkëpunimin me autoritetet shqiptare në vitin 1998 për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, e deri me reformën në drejtësi.

“Shqipëria ka bërë hap madhor drejt reformimit të gjyqësorit. Kjo është theksuar qartësisht në opinionin e Komisionit të Venecias të vitit 2016. Dhe Komisioni ka përgëzuar autoritetet shqiptare dhe ekspertët e Komisionit të Posaçëm në lidhje me përgatitjen e Reformës Kushtetuese për gjyqësorin. Ne vazhdojmë që të kemi dialog të përhershëm”, tha mes të tjerash Suchocka.