Avokati Ulian Barjami, i cili u ndalua pas përplasjes me prokurorin në Gjykatën e Elbasanit, është i lirë prej mbrëmjes së të hënës. Por për qëndrimin e tij 2 ditë në izolim, dhe se me urdhër të kujt u ndalua, ka nisur një verifikim dhe nga ILD. Prokuroria e liroi avokatin pa pritur të dalë para togave të zeza, por ajo që nuk dihet është se kush e njoftoi policinë për kërcënimin e pretenduar të avokatit ndaj prokurorit.
Avokati Ulian Barjami u ndalua nga Oficeri i Policisë Gjyqësore në Policinë e Elbasanit, më 18 tetor. Vetëm një ditë më parë, më 17 tetor, në një seancë për rivlerësimin e masave të sigurisë në Gjykatën e Elbasanit për disa të arrestuar në një lokal në Bradashesh, avokati Ulian Barjami, i cili mbronte një nga të ndaluarit, iu drejtua prokurorit Gjergji Ceka se do të merrej personalisht me të dhe OPGJ-të që sipas tij kishin manipuluar provat për klientin e tij, shoqëruar me paralajmërimin për kallëzim ndaj tyre
Për këtë deklaratë, avokatit iu tërhoq vëmendja nga gjyqtarja, siç dëgjohet edhe audion e seancës, se ky është kërcënim dhe duhet të bëjë kujdes. Avokati sqaron në sallë se konteksti i personales ishte për të bërë kallëzim ndaj prokurorit dhe OPGJ-ve, ndërsa në audio dëgjohet edhe prokurori Gjergj Ceka që shprehet: Ky duhet të arrestohet.
Një ditë pas kësaj përplasje në seancë në Gjykatën e Elbasanit, avokati Barjami u thirr më 18 tetor nga një oficere e policisë gjyqësore të Elbasanit, u mor në pyetje, dhe u la i lirë. E njëjta oficere, siç tregon vetë avokati, e thërriti sërish dhe i komunikoi masën e ndalimit.
Të parin njoftim zyrtar mbi ngjarjen, Prokuroria e Elbasanit e bëri më 20 tetor, datë kur thotë se ka marrë në dorëzim edhe materialet procedurale që më herët kishte kryer policia e Elbasanit. Në reagimin publik, prokuroria thotë se Policia u njoftua që më 17 tetor se në sallën e gjyqit në Elbasan prokurori dhe OPGJ-të dyshohet se ishin kanosur nga avokati Ulian Barjami. Policia – sqaron prokuroria në njoftim – administroi edhe audion disa orëshe të seancës me 14 të ndaluar, pas transkriptimit të së cilës, është bërë ndalimi i avokatit.
Por se kush e njoftoi policinë se çfarë ndodhi brenda sallës së gjyqit, kjo nuk dihet. Vetë prokurori Ceka, i përfshirë në debatin me avokatin nuk rezulton të ketë bërë padi. As oficerët e Policisë gjyqësore pranë Prokurorisë. Por gjithçka është kryer nga kolegët e tyre në policinë e Elbasanit, e cila që prej të shtunës, kur avokati u ndalua, nuk ka bërë asnjë sqarim mbi ngjarjen, apo ligjshmërinë e procedurave të ndjekura.
Në një reagim të Gjykatës së Elbasanit, zbulohet se audio-video e seancës mbi 6 orë me dyer të mbyllura, i’u vu në dispozicion organit procedues, pra policisë, pas kërkesës me shkrim të paraqitur nga oficerja. Në media qarkullon vetëm një fragment audio i debatit, por gjykata thotë se “publikimi i pjesshëm i një regjistrimi të gjatë nuk pasqyron domosdoshmërisht tërësinë e debatit procedural mes palëve”.
Prokuroria e Elbasanit në njoftimin e saj, thotë se regjistroi procedimin penal, më 20 tetor pasi policia ia referoi, por shtoi se nuk ka arsye pse avokati të vijojë të mbahej i ndaluar dhe të kërkohej masë sigurie në gjykatë.
Pas këtij qëndrimi, avokati Ulian Barjami, u lirua nga blloku i sigurisë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë. Nuk dihet gjithashtu, se si avokati i ndaluar në Elbasan, përfundoi në kryeqytet.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë u vu në lëvizje për të zbuluar shkeljet e mundshme dhe kush mund të ketë abuzuar me detyrën. Inspektorë të saj tërhoqën në Elbasan të gjithë praktikën dhe rrethanat procedurale të ndalimit të avokatit.
Edhe KLP më herët, ka kërkuar informacion për të pasur më tej një qëndrim mbi situatën.
Burime për Report Tv, thonë se prokuroria e Elbasanit, ka shpallur mos kompetencën për hetimin, për shkak se palë në këtë proces është një prokuror i saj, dhe ia ka dërguar çështjen për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.
Pas ndalimit të avokatit, Dhoma e Avokatisë bojkotoi seancat gjyqësore, përveç atyre për masat e sigurisë. Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, sqaroi në një deklaratë për mediat, se bojkoti ishte jo vetëm për lirinë e kolegut të tyre, por reagim ndaj pabarazisë së palëve në proces.
Ulian Barjami mbronte një nga të arrestuarit me armë në një lokal në Elbasan, të akuzuar për moskallëzim krimi dhe kundërshtim të policisë, për të cilin pretendoi se s’ka lidhje me ngjarjen dhe se provat janë falsifikuar nga OGJT-të që kanë kryer veprimet procedurale.