Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut është rikthyer sërish në qendër të debateve politike, pas deklaratave të reja nga përfaqësues të lartë evropianë dhe rajonalë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe eurodeputeti austriak Thomas Weitz përmes mesazheve që dhanë, treguan qartë se topi është në anën e Maqedonisë së Veriut, pra se ajo duhet të veprojë. Nga ana tjetër Maqedonia e Veriut kërkon garanci dhe ndihmë nga BE, kurse Sofja kërkon ndihmën e Budapestit që të bindë Shkupin të bëjë ndryshimet kushtetuese. Ky hap është kusht i domosdoshëm për nisjen e vërtetë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, raporton Portalb.mk.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi gjatë vizitës së saj në Shkup se ndryshimet kushtetuese janë “hapi i vetëm dhe i qartë” drejt hapjes së kapitujve të negociatave.
Kush kujt i kërkon ndihmë?
Në këtë moment delikat diplomatik, secila palë po kërkon mbështetje për ta çuar procesin përpara. Eurodeputeti Thomas Weitz apelon për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve evropiane dhe qeverisë së Shkupit, në mënyrë që vendi të mos humbasë momentumin e integrimit. Ai tha se shpreson që pas zgjedhjeve të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë si pakicë.
“Kjo do të hapë rrugën për fillimin e vërtetë të negociatave. Dua të them, tani është një vend i përfshirë në procesin e pranimit, por ne në fakt nuk i kemi filluar negociatat. Duhet t’i fillojmë ato së shpejti në mënyrë që ta mbajmë vendin në rrugën e duhur”, tha Weitz në një deklaratë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe agjencia shtetërore MIA.
Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut është bllokuar nga Bullgaria, sepse “ka shumë çështje që lidhen me identitetin që bllokojnë përparimin e saj”.
Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska–Davkova, nga ana tjetër, ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të gjetur një “zgjidhje kreative” që do të shmangte tensionet e brendshme politike dhe do të hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese.
“Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova pret ndihmë nga Unioni në gjetjen e një zgjidhjeje krijuese për të zhbllokuar integrimet maqedonase”, njoftoi kabineti i presidentes, ndër të tjera, pasi u takua me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Shkup më 15 tetor.