Një moment frike u regjistrua gjatë Çmimit të Madh të Meksikës, kur piloti i Racing Bulls, Liam Lawson, u detyrua të frenonte me urgjencë për të shmangur përplasjen me dy komisarë të pistës.
Sipas pamjeve, 23-vjeçari po dilte nga bokset pas ndërrimit të krahut të përparmë të makinës kur dy komisarë po kalonin pistën për të pastruar mbeturinat. Njëri prej tyre kaloi vetëm pak centimetra larg makinës që po afrohej me shpejtësi.
I tronditur, Lawson reagoi në radio: “Çfarë ishte kjo? O Zot, a po bëni shaka? Isha gati t’i vrisja!”
Pamjet shkaktuan reagime të ashpra nga tifozët, të cilët kritikuan Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA) për mungesë sigurie dhe koordinimi. Një përdorues shkroi: “Kjo është çmenduri e plotë, e papranueshme”.
Pas garës, piloti shtoi: “Nuk mund ta besoja çfarë po shihja. Diçka ka shkuar keq në komunikim dhe kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë në Formula 1.”
FIA publikoi një deklaratë duke sqaruar se incidenti ndodhi për shkak të një keqkuptimi mes drejtuesve të garës dhe personelit në pistë, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.