Tensioni në Karaibe mbetet shumë i lartë dhe jo vetëm për shkak të kalimit të uraganit shkatërrues Melissa. Në pritje të mbërritjes së aeroplanmbajtëses gjigante Gerald Ford, anija më e fuqishme e Marinës amerikane, e cila u mblodh me të gjithë grupin e saj luftarak në brigjet italiane, në Adriatik, përpara se të nisej drejt Amerikës, dislokimi i trupave detare të urdhëruar nga Donald Trump përballë brigjeve të Venezuelës është tashmë më i madhi në historinë e forcave të armatosura amerikane që nga Lufta e Parë e Gjirit (1990–1991), sipas një studimi të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Parashikohet një përshkallëzim i paparashikueshëm ushtarak, edhe pse analistët janë gjithnjë e më të bindur se diçka do të ndodhë së shpejti në rajon. “Nuk dërgon një nga mjetet e tua më të rëndësishme detare vetëm për ta lënë aty. O e përdor, o e tërheq menjëherë. Shumë gjasë që të ketë një sulm me raketa ndaj Venezuelës,” paralajmëron koloneli në pension i Marinës amerikane dhe autori i analizës së CSIS-it, Mark Cancian. Forcat amerikane do të kenë mbi 700 raketa dhe rreth 180 raketa Tomahawk për sulme tokësore.
Pavarësisht se USS Ford do të mbërrijë për të paktën edhe 10 ditë, duket se uragani Melissa — megjithë fuqinë e tij — nuk do të ndryshojë planet e Pentagonit. Disa anije luftarake të Marinës amerikane, të angazhuara në misione kundër trafikut të drogës në Karaibe, janë zhvendosur për të shmangur uraganin e fuqishëm të kategorisë 5 që shkatërroi Xhamajkën të martën dhe sot ka prekur Kubën me forcë më të ulët. Por operacioni vazhdon.
Forcat Ajrore të SHBA-ve kanë dërguar një tjetër skuadrilje bombarduesish B-1B drejt rajonit. Me mbërritjen e grupit luftarak të USS Gerald Ford javën e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të kenë tetë anije luftarake (gjashtë prej tyre shkatërruese), tre anije amfibe sulmuese dhe një nëndetëse, për një total prej 13 forcash detare — një nivel që nuk është arritur as gjatë pushtimit të Panamasë më 1989 apo të Grenadës më 1983. “Ky është dislokimi më i madh detar në Amerikën Latine në 25, ndoshta edhe në 40 vitet e fundit,” thotë Cancian.
Gerald Ford do të shoqërohet nga tre shkatërrues dhe anije furnizimi të projektuara për fushata të gjata. Ky dislokim i madh, që do të shoqërohet edhe me fluturime bombarduesish strategjikë, do të përfshijë helikopterë SH-60R dhe avionë luftarakë që do të mund të zhvillojnë një fushatë ajrore shumë më të gjerë se ajo e urdhëruar nga Trump kundër trafikut të drogës. “Rezultati më i mundshëm janë sulmet ajrore dhe me raketa, pasi kjo forcë nuk është projektuar për pushtim tokësor,” shton Cancian.
Sipas analistëve të cituar nga gazeta El Nuevo Herald, Shtetet e Bashkuara nuk kanë mjaftueshëm trupa për një pushtim tokësor në një vend të huaj — një parim ndaj të cilit Trump është shprehur gjithmonë kundër. Profesori Stephen Biddle nga Universiteti i Kolumbias ka thënë për agjencinë EFE se “në rast pushtimi, është e arsyeshme të supozohet që SHBA-të fillimisht do të dërgonin avionët luftarakë në zonë”.
Ndërkohë, në Porto Riko po ngrihen kampe të mëdha ushtarake, ndoshta si përgatitje për një zhvendosje të madhe trupash në rajon. Michael Desch, drejtor i Qendrës për Siguri Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame (Indiana), vëren ngjashmëri me fushatën e urdhëruar nga Trump këtë vit, midis marsit dhe majit, kundër objektivave Houthi në Jemen — ku mori pjesë aeroplanmbajtësja USS Harry Truman, me mbi 800 objektiva të goditur dhe “qindra luftëtarë Houthi të vrarë”, sipas Komandës Qendrore të SHBA-ve, megjithëse Uashingtoni pranoi më pas se nuk arriti t’i ndalte rebelët.
Me largimin e USS Ford nga Mesdheu, Shtetet e Bashkuara ndodhen në një situatë të pazakontë: nuk kanë asnjë aeroplanmbajtëse në ujërat përballë Evropës dhe Lindjes së Mesme.
Ndërkohë, të martën, Parlamenti venezuelian e shpalli persona non grata kryeministren e Trinidadit dhe Tobagos, Kamla Persad-Bissessar, për lejimin e ankorimit të një anijeje luftarake amerikane në vendin e saj.
“Kjo grua po lejon që Trinidati dhe Tobago të përdoren si aeroplanmbajtëse kundër Venezuelës, dhe ne do të veprojmë në çdo mënyrë për të siguruar që Venezuela të respektohet,” deklaroi Jorge Rodríguez, kryetar i Asamblesë Kombëtare, përpara se vendimi të miratohej njëzëri nga deputetët. Të hënën, presidenti Nicolás Maduro njoftoi gjithashtu pezullimin e kontratave të gazit me arkipelagun, që ndodhet vetëm disa kilometra nga brigjet venezueliane.