Kuvendi do të mblidhet dy herë sot. Në orën 10:00, do të shqyrtohet nisma e opozitës për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe ku do të prezantohen dy raportet e PS dhe PD.
Demokratët pretendojnë 5 shkelje të rënda të rregullores nga Peleshi dhe i kanë përqendruar argumentet e tyre në dy seancat e 16 dhe 18 shtatorit, ku u ndryshua rregullorja që e çoi numrin e komisioneve të përhershme parlamentare në 11, dhe mosrealizimi i debatit parlamentar për programin qeverisës ‘Rama 4’.
Më konkretisht, sipas PD, Peleshi ka thirrur mbledhjen e Kuvendit për ndryshimin e rregullores si dhe mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pa respektuar afatin e parashikuar, iu ka hequr të drejtën për të folur deputetëve dhe kreut të Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, si dhe nuk ka mundësuar prezantimin e programit qeverisës. Bardhi s’do të jetë as sot në seancë për shkak të përjashtimit.
Por PS thotë se ishte opozita që e bëri të pamundur zhvillimin normal të seancave. Në raportin e tyre, socialistët argumentojnë se kryetari i Kuvendit nuk ka kryer asnjë shkelje që pretendon PD dhe se i ka zbatuar me përpikmëri të gjitha përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe ligjore në drejtimin e seancave plenare. Në fund socialistët i kërkojnë seancës plenare rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Peleshit. PS-së i mjaftojnë vetëm 71 vota për të mbajtur në detyrë kryeparlamentarin.
Ndërsa në orën 11:30, pritet të nisë raportimi is disa institucioneve. Së pari do të raportojë kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, e cila nuk mundi të raportonte në seancën e shkuar. Pritet që të prezantohet edhe raporti i Avokates së Popullit për 2024, Erinda Ballanca. Po ashtu, do të paraqiten edhe raportet e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, i Institutit të Statistikave, i AMA-s dhe RTSH-së. Në rend dite janë edhe disa projektligje.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, palët bien dakord për 90 minuta debat pas çdo raportimi institucional
90 minuta debat, kjo është koha e përcaktuar më dakordësi të palëve politike në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve. Kjo kohë do të vendoset në dispozicion të ligjvënësve pas çdo raportimi të institucioneve të pavarura në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga foltorja sot do të raportojnë veprimtarinë e tyre vjetore 2024 6 institucione të pavarura, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Avokati i Popullit, Komisionieri për Mbikëqyrjen e shërbimit Civil, Instituti i Statistikave, AMA dhe RTSH.