Stadiumi i vjetër u prish për godinën e re të bashkisë, ndërsa një fushë e re po ndërtohet në Valias. Pas 6 vitesh mungesë, rikthehen dy skuadra kamzalinj në futbollin shqiptar. Në Kamëz, aty ku për dekada kumbonte zëri i tifozëve dhe jehona e ndeshjeve të Kategorisë Superiore, sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë stadiumi.
Fadromat kanë shembur tribunat, dhomat e zhveshjes dhe çdo pjesë të impiantit historik që mbante emrin “Stadiumi Kamza”. Ky veprim ka hapur një plagë të thellë te komuniteti sportiv. “Kamza mbeti pa zemër, pa tempullin e futbollit”, thonë ish-lojtarët dhe trajnerët që kanë ndërtuar aty karrierën. Sipas dokumenteve zyrtare, në vend të stadiumit do të ngrihet godina e re e Bashkisë Kamëz, me një fond publik prej rreth 600 milionë lekësh. Ndërtimi i saj parashikohet të përfundojë në vitin 2026, dhe do të zërë pikërisht hapësirën ku ndodhej porta veriore e stadiumit të vjetër.
Prishja e stadiumit
Stadium i ri në Valias, detajet e plota të projektit
Në korrik 2024, Bashkia Kamëz dhe FSHF nënshkruan një marrëveshje për ndërtimin e “fushës sportive të Valiasit”, pjesë e programit kombëtar “100 fushat”. Punimet nisën zyrtarisht në shtator 2024 dhe po zhvillohen në territorin e ish-minierës së Valiasit, një zonë simbol e qytetit. Projekti teknik parashikon:
-Sipërfaqe ndërtimi: 12,800 m²
-Fushë loje: 105 x 68 metra, me tapet artificial të certifikuar “FIFA Quality”.
-Tribunë për 2,000 spektatorë, me struktura metalike dhe mbulesë polikarbonati.
-Godinë dykatëshe (1,020 m²) me dhoma zhveshjeje, zyra administrative, ambiente për trajnerë dhe mjekë, dhomë shtypi dhe sallë conference.
projekti i punimeve te fushes se valiasit
-Ndriçim modern me projektorë LED dhe sistem ujitjeje automatik
-Rrethim dhe hyrje të veçantë për publikun dhe ekipet
Kosto dhe afate:
-Vlera e kontratës: 205,131,645 lekë pa TVSH.
-Financimi: 50% Bashkia Kamëz – 50% Federata Shqiptare e Futbollit.
Afati i përfundimit: Dhjetor 2025
Megjithatë, projekti është shoqëruar me polemika. Ekspertë të zonës kanë ngritur shqetësime për stabilitetin e terrenit, pasi fusha do të ndërtohet mbi galeritë e vjetra të minierës së qymyrgurit, të vendosura rreth 180 metra nën tokë. Po ashtu, afërsia me pistën e aeroportit të Rinasit (rreth 500 metra në vijë ajrore) është përmendur si pengesë për zhvillimin e një “stadiumi të plotë”, për shkak të kufizimeve të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Punimet e tribunes se fushes se valiasit
Duka: Kamza ka shumë fëmijë që duan futboll
Në inspektimin e punimeve, presidenti i FSHF-së, Armando Duka, theksoi rëndësinë e këtij investimi: “Qëllimi ynë është të krijojmë hapësira sportive për fëmijët. Kamza është një nga zonat me më shumë fëmijë që duan të luajnë futboll dhe ka pasur mungesë të madhe terrenesh. Ne nuk kërkojmë asnjë të drejtë pronësie apo menaxhimi – çdo gjë mbetet në shërbim të komunitetit”.
Historia e klubit
Historia e futbollit kamzali nis më 10 shtator 1936, me krijimin e “Bashkimit të Djelmoshave të Tërkuzajt”, falë përpjekjeve të Selman Stërmasit dhe familjes Toptani. Pas Luftës së Dytë Botërore, ekipi kaloi disa herë në duar institucionale, duke mbajtur emrat “Ferma Kamëz”, “KS Dajti” e më pas “FC Kamza”. Në vitin 2010, me presidentin Naim Qarri dhe mbështetjen e kryetarit të atëhershëm të bashkisë Xhelal Mziu, Kamza arriti kulmin historik, ngjitjen në Kategorinë Superiore. Në sezonin 2017–2018, skuadra zhvilloi kampionatin më të mirë, duke u renditur në vendin e 7-të. Por në mars 2019, pas incidentit ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti në ndeshjen Kamza–Laçi, FSHF e përjashtoi klubin nga të gjitha aktivitetet zyrtare. Në pak muaj, u shpërbë e gjithë struktura e klubit, ndërsa impianti mbeti në harresë.
Ringjallja – dy skuadra për një qytet
Pas gjashtë vitesh mungesë, në sezonin 2025–2026, Kamza rikthehet në futboll me dy skuadra të reja në Kategorinë e Tretë.
“Kamza Sport” është njëri nga klubet që drejtohet nga Kevin Gega, me lojtarë vendas dhe ambicie për t’u ngjitur në Kategorinë e Dytë. Stërvitet aktualisht në fushën e improvizuar “Tirana Camp” në Bathore.
“FC Triumph Kamza” ose T-Kamza është themeluar nga ish-lojtari i Kombëtares Andi Lila, me vizion afatgjatë për zhvillimin e futbollit bazë. Ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Kamëz për zhvillimin e akademisë dhe përdorimin e fushës në Valias. Në ceremoninë zyrtare më 9 tetor 2025, në kompleksin “Triumph Academy”, Lila dhe kryebashkiaku Rakip Suli prezantuan skuadrën dhe projektin.
“Kamza ka histori, ka pasion, ka tifozë. Është koha të rikthehemi aty ku ishim, në majë”, u shpreh Lila, mes duartrokitjeve të dhjetëra ish-lojtarëve të qytetit.
Kamza feston 90-vjetorin pa shtëpinë e saj sportive, por me rikthimin në fushë pas një mungese të gjatë. Sot, qyteti ka dy skuadra, një fushë në ndërtim dhe një bashki që premton mbështetje. Historia e këtij qyteti ka treguar se futbolli është më shumë se një lojë, është identiteti i Kamzës. Nëse projekti në Valias përfundon sipas planeve dhe skuadrat e reja ecin përpara, Kamza do të rikthehet aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar.