Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet në seancë publike ankimi i Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës. Seanca nisi në orën 10:00 me relatorë Sonila Bejtjan dhe i pranishëm është edhe kryebashkiaku Veliaj që shfaqet për herë të parë në publik që prej arrestimit më 10 shkurt.
Kryebashkiaku Veliaj mbrohet nga dy avokatët, Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi. Ndërsa Presidenca përfaqësohet nga Hemion Braho, Ilirjan Rusmajli, Erjola Shia, Kryeministria nga Herald Jonuzaj, Vangelt Duni. E pranishme është edhe avokatja e shtetit Irma Qosja.
Veliaj la qelinë e rreth orës 08:48 dhe mbërriti në Gjykatën Kushtetuese në orën 09:30 i prangosur. Pasi zbriti nga furgoni i Policisë së Burgjeve, i shoqëruar me policë, Veliaj dha edhe një buzëqeshje të lehtë.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministravee shkarkoi Veliajn me 50 vota pro pas propozimit të Këshillit Bashkiak duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për qeverisjen vendore, me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, por edhe këtë e ankimoi në Kushtetuese. Dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata deri në shprehjen përfundimtare për shkarkimin e Veliajt.
Veliaj arsyeton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thotë se mungesa e tij në detyrë ka ardhur për “pamundësi objektive” pasi ndodhet në paraburgim.
Nga ana tjetër, qeveria argumenton se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi për shkarkim nuk është marrë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të ligjit të vetëqeverisjes vendore, dhe duke bërë kështu Gjykatën Administrative si kompetente për shqyrtimin e çështjes.
Në seancë, Veliaj pritet të mbështetet edhe në një raport të Komisionit të Venecias, ku thuhet se shkarkimi i një të zgjedhuri vendor është masë e jashtëzakonshme që duhet përdorur vetëm në raste të rënda, pasi cënon autonominë vendore dhe të drejtat themelore. Raporti thekson gjithashtu se paraburgimi i zgjatur i të zgjedhurve mund të cenojë të drejta të garantuara nga Konventa Evropiane, si liria e shprehjes dhe pjesëmarrja efektive në jetën politike.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tj, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza në total, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Pezullimi i zgjedhjeve në Tiranë, Presidenca: Dekreti nuk mund të shqyrtohet nga Kushtetuesja! Mbrojtja e Veliajt: Kompetencë e juaja

Po mbahet në Gjykatën Kushtetuese seanca për shkarkimin e Erion Veliajt. Presidenca kërkoi që të mos jetë ajo pjesë e gjykimit, pra të mos gjykohet nga Kushtetuesja dekreti i Begajt për Tiranën, me argumentin se dekreti nuk gjykohet nga Kushtetuesja. I njëjti argument iu mbështet edhe nga Këhsilli i Ministrave. Ndërsa, mbrojta e Erion Veliaj tha se është kompetence e Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mund të shqyrtojë një akt administrativ, zgjedhjet në Tiranë u bllokuan duhet të kthehet kushtetueshmëria. Paraqesim kërkesën që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim. Anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në lëndën e këtij shqyrtimi”, tha Presidenca.
“I qëndrojmë parashtrimit që kemi. Mendojmë se GJK është kompetencë për shqyrtimin e kërkesës tonë edhe për aktin e presidentit, procesi për ne është ndarë në dy faza, e propozimit dhe vendimmarrjes dhe tjetra, është garancisë kushtetuese që aktivizohet automatikisht me paraqitjen e kërkesës në të cilën nuk duhet të ndërhyrje asnjë institucion përfshirë edhe presidenca i cikli duhet të presë vendimin e Gjkykatës së Lartë. Aktivizimi para kohe aktivizon efektet juridike të këshillit të ministrave”, tha Mbrojtja e Veliajt.
Trupa Gjykuese është tërhequr për të marrë vendim për kërkesën e Presidencës.
VIDEOLAJM/ Me pranga në duar dhe i rrethuar nga policët, momenti i mbërritjes së Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese
Sot seanca në Kushtetuese, Erion Veliaj mbërrin në Tiranë

Kryebashkiaku Erion Veliaj mbërrin në Gjykatë Kushtetuese, ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Sot seanca në Kushtetuese, Erion Veliaj del nga paraburgimi i Durrësit, transferohet drejt Tiranës (VIDEO)
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj la paraburgimin e burgut të Durrësit dhe po transferohet nga Policia e Burgjeve drejt Tiranës ku do të marrë pjesë në seancën në Kushtetuese.