Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, këtë të premte, më 31 tetor, reagimet nga personalitete dhe institucione ndërkombëtare nuk kanë munguar. Një mesazh i veçantë ka ardhur edhe nga Ambasada Italiane në Shqipëri, e cila ka përkujtuar figurën e tij si një mik të Italisë dhe një kontribuues të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada shkruan: “Ka ndërruar jetë sot Fatos Nano, ekonomist, drejtues historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë, disa herë Kryeministër dhe mik i Italisë. Duke kujtuar angazhimin e tij në modernizimin e Shqipërisë dhe kontributin e dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe, Ambasada u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë shoqëruar në jetën e tij politike”
Ish-kryeministri Fatos Nano, një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, u nda nga jeta pasditen e kësaj të premteje në moshën 73-vjeçare. Ai ndërroi jetë në një spital privat, ku po kurohej prej disa javësh nga një sëmundje në rrugët e frymëmarrjes.
Ambasada Italiane ka qenë një nga institucionet e para që ka reaguar publikisht, duke e cilësuar Nanon si një figurë kyçe në procesin e modernizimit të vendit dhe në ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme mes dy vendeve.
Fatos Nano largohet nga jeta duke lënë pas kujtimin e një njeriu që e jetoi politikën me protagonizëm, me të gjitha pasionet, dimensionet dhe kontradiktat e saj.