Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur edhe një herë ofertës së kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se do ta propozojnë Vjosa Osmanin për presidente nëse Lëvizja Vetëvendosje i garanton 66 vota për të.
Në një shkrim në Facebook, Abdixhiku thekson se Kurti duhet të vendosë nëse synon bashkëpunim me LDK-në apo sigurimin e 90 votave në Kuvend edhe me përfshirjen e PDK-së. Sipas tij, nëse opsioni i dytë mbetet i vetmi, atëherë LDK-ja nuk mund të ofrojë mbështetje.
“I nderuar Kryeministër Kurti, meqë po komunikojmë në distancë, ku lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë”, ka shkruar ai.
Por në rast se Kurti do marrëveshje me LDK-në, Abdixhiku është shprehur i gatshëm ta propozojë emrin e Osmanit për presidente nëse VV-ja i garanton votat për të.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, ka shkruar tutje kryetari i LDK-së.
Gjatë ditës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të propozojë emra për president.
Propozimin e ri të VV-së, ai e ka quajtur manovër të kryeministrit Albin Kurti. Hamza ka thënë se çështja e presidentit për PDK-në është “e mbyllur”.
Propozimin e ri e ka cilësuar aspak serioz.
“Ne jemi parti të ndryshme. PDK-ja e LDK-ja janë subjekte në vete. AAK-ja është në vete. S’e ka ftuar fare. Me LDK-në ka tjera oferta, me PDK-në kemi diskutuar për presidentin. S’është çështje e rehatimit të individit, por çështje serioze që ka mundur të diskutohet në tavolinë kur ishim bashkë, por s’ka pasur seriozitet nga VV-ja e s’ka as tash”, ka thënë ai në holl të Kuvendit para seancës së jashtëzakonshme.
Kryeministri Kurti sot para mediave ka deklaruar se me ftesën e bërë për PDK e LDK kanë bërë edhe një hap më shumë.
“Jemi të vetmit që kemi ndërmarrë hapa deri tani. Të gjitha takimet me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së i kemi iniciuar ne; asnjë takim nuk e kanë thirrur ata. Sido që të jetë, kam pasur edhe refuzime për takime dhe oferta. Tani, hapi i ri që kemi ndërmarrë duhet të konkretizohet deri nesër në mbrëmje, pasi afatet janë të tilla. Propozimi ynë është që LDK-ja dhe PDK-ja, si dy parti më të vjetra se VV-ja, të na sjellin tre emra të personaliteteve unifikuese, figura me reputacion për integritet qytetar dhe kombëtar, si dhe me kontribut profesional në shoqëri. Për këta tre emra mund t’u sigurojmë mbi 90 nënshkrime”, deklaroi Kurti