Për katër vjet me radhë, duke përfshirë vitin aktual 2025, vitet e ardhshme 2026, 2027 dhe 2028, borxhi publik do të jetë mbi nivelin 60%, me stabilizim nën këtë “kufi psikologjik” që pritet në vitin 2029. Strategjia e re për Menaxhimin e Borxhit Publik i përshkruan konturat e pozicionit të borxhit të vendit, por as ky dokument e as Strategjia Fiskale e miratuar së fundmi nuk e përmendin kredinë e re, të njohur për publikun si kredia britanike, e cila, sipas njoftimeve, do të fillojë të shpenzohet në vitin 2027.
Konkretisht, sipas parashikimeve të reja të Ministrisë së Financave, ky vit ekonomik do të mbyllet me borxh publik në nivelin prej 62,1%, në vitet 2026 dhe 2027 do të rritet në 62,5%, ndërsa në vitin 2028 do të jetë 60,8%. Në vitin 2029, borxhi publik duhet të reduktohet në 58,8%.

Gjatë dy viteve të ardhshme edhe borxhi shtetëror do të ketë rritje, me ç’rast këtë vit do të jetë në një nivel prej 53,3%, vitin tjetër 53,9%, në vitin 2027 54,6%, dhe në vitet 2028 dhe 2029 do të jetë në rënie.
Edhe në këtë Strategji të re për Menaxhimin e Borxhit Publik përsëri theksohet se shteti po zbaton një politikë të konsolidimit të financave publike me një limit të vendosur për shumën e borxhit publik në nivelin prej 60% të PBB-së.
“Për ta mbajtur nivelin e borxhit publik brenda një kornize të qëndrueshme, pa e prishur qëndrueshmërinë fiskale, përcaktohet kufiri i totalit të borxhit publik në afat të mesëm dhe në afat të gjatë, i cili nuk duhet ta kalojë nivelin prej 80% të PBB të PBB-së” – thuhet në dokument.
Çfarë ka ndodhur me nivelin e borxhit publik gjatë viteve të fundit? Të dhënat tregojnë se nga viti 2014 deri në vitin 2024, borxhi publik ishte më i lartë se 60% e PBB-së vetëm në dy vite ekonomike – në vitin e krizës ekonomike 2021, kur ishte 60,3%, dhe vitin e kaluar, kur ishte 62,4%. Edhe pse pasojnë vite në të cilat borxhi publik do të mbahet në nivelin mbi 60%, pozicioni i borxhit të shtetit, sipas Ministrisë së Financave, do të mbetet i qëndrueshëm.
“Në periudhën 2026-2030, pritet të vazhdojë zbatimi i investimeve të nisura më parë nga bartësit e borxhit publik, por me një vendosmëri të fortë për të mos e rrezikuar qëndrueshmërinë afatgjatë të nivelit të borxhit të vendit.” Përveç kësaj, një pjesë e kredisë është e dedikuar për të mbuluar deficitet buxhetore, ndërsa një pjesë do të dedikohet për rifinancimin e borxheve të mëparshme që maturojnë në periudhën e ardhshme”, thuhet në strategji.
Më saktësisht, në periudhën e ardhshme, maturojnë shuma më të mëdha që duhet të paguhen në bazë të eurobonove. Kështu, vitin e ardhshëm, do të duhet të kthehen 700 milionë euro për të shlyer eurobondin e marrë në vitin 2020, në vitin 2027 do të duhet të kthehen , 500 milionë euro për eurobondin e vitit 2023, dhe në vitin 2028, do të duhet të shlyhet eurobondi i marrë në vitin 2021 në shumën prej 700 milionë eurosh. Në total, në tre vitet e ardhshme, shteti duhet të paguajë 1.900.000.000 euro vetëm në bazë të eurobonove.
Nga ana tjetër, vetëm vitin e ardhshëm niveli i huamarrjes neto, brenda dhe jashtë vendit, i bazuar vetëm në borxhin shtetëror do të arrijë në 800.000.000 euro. Hartuesit e politikave fiskale vlerësojnë se edhe borxhi i garantuar do të mbetet brenda kufijve të qëndrueshëm, duke mos tejkaluar 15% të PBB-së. Këtë vit, borxhi publik i garantuar (borxh për të cilin garanton shteti, mirëpo bartës të të cilit janë subjekte të tjera) do të jetë 8,3% e PBB-së, ndërsa vitin e ardhshëm duhet të ulet në 8,1%.
Parashikimet e borxhit publik janë pjesë e skenarit që parashikon realizimin e parametrave të tjerë ekonomikë – rritje të PBB-së më të lartë se 3,7%, inflacion më të ulët se 3%, rritje të investimeve kapitale dhe atyre private dhe punësime.