2
Shkencëtarët kanë zbuluar se disa planetë gjigantë gazorë, të quajtur “Jupiterë të nxehtë”, që kanë temperatura rreth 2.000°C dhe ndodhen shumë afër yjeve të tyre, kanë fusha magnetike të krahasueshme me ato të planetëve në Sistemin Diellor.
Këta planetë janë të lidhur në mënyrë të tillë me yllin e tyre që gjithmonë e mbajnë të njëjtën anë përballë tij, duke krijuar një anë shumë të nxehtë dhe një anë shumë të ftohtë. Kjo diferencë e madhe temperaturash gjeneron erëra jashtëzakonisht të fuqishme, që arrijnë nga rreth 7.200 km/orë deri në mbi 25.000 km/orë.
Astronomët i matën këto erëra duke përdorur spektrografë me rezolucion të lartë në teleskopë si Very Large Telescope në Kili dhe Gemini North në Hawaii. Në mënyrë të papritur, u vu re se planetët më të nxehtë kanë erëra më të dobëta, gjë që bie ndesh me modelet klimatike të njohura.
Shpjegimi i mundshëm është se fushat magnetike të këtyre planetëve ngadalësojnë grimcat e ngarkuara në atmosferë, duke ndikuar në qarkullimin e erërave. Forca e këtyre fushave rezulton të jetë e krahasueshme me atë të planetëve të Sistemit Diellor, si Jupiteri dhe Saturni.
Studimi sugjeron se ekzoplanetët kanë fusha magnetike të rëndësishme dhe se këto luajnë rol kyç në ruajtjen e atmosferës dhe, potencialisht, në kushtet për jetë.s