Fëmijë që duhej të ishin në shkollë po rrezikojnë jetën mes trafikut dhe po shfrytëzohen vetëm pak metra larg Kuvendit. Alarmin e ngriti Avokati i Popullit, Endrit Shabani, gjatë një inspektimi në Shtëpinë e Fëmijëve “Zyber Hallulli”, ku aktualisht strehohen 39 fëmijë.
Sipas Shabanit, këta fëmijë janë lënë në harresë jo vetëm nga familjet e tyre, por edhe nga institucionet që kanë detyrimin ligjor për t’i mbrojtur.
“Këta fëmijë janë braktisur dy herë. Herën e parë nga ata që kishin përgjegjësinë natyrore për t’u kujdesur. Herën e dytë nga institucionet që paguhen me taksat tona për t’i mbrojtur. Fakti që janë vetëm dy minuta larg Parlamentit tregon mungesë të theksuar pune nga bashkia, policia dhe prokuroria”, u shpreh ai.
Avokati i Popullit bëri të ditur se çështja e fëmijëve në situatë rruge do të jetë një nga prioritetet kryesore të institucionit, ndërsa për vitin 2026 do të monitorohet puna e çdo strukture përgjegjëse për mbrojtjen e tyre.
Shabani kërkoi që Bashkia e Tiranës të aktivizojë menjëherë Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve për identifikimin dhe regjistrimin e çdo fëmije në rrugë, Policia e Shtetit të ndërhyjë për mbrojtjen e tyre nga rreziku dhe shfrytëzimi, ndërsa Prokuroria të hetojë çdo rast të dyshuar trafikimi apo shfrytëzimi.
Gjatë vizitës u diskutua edhe procesi i transferimit të përkohshëm të fëmijëve nga “Zyber Hallulli” në një godinë tjetër deri në përfundimin e ambienteve të reja. Avokati i Popullit kërkoi që ky proces të zhvillohet duke garantuar interesin më të lartë të fëmijëve.
Nga ana e saj, Komisionerja për Çështjet e Fëmijëve, Alma Faskaj, tha se inspektimet në qendrat rezidenciale do të vijojnë, ndërsa drejtoresha e institucionit, Valbona Imeraj, theksoi se sfida më e madhe mbetet integrimi i fëmijëve në shoqëri.
“Fëmijët në rrugë janë jashtë sistemit, pa shkollë, pa kujdes mjekësor dhe të rrezikuar nga kequshqyerja apo trafikimi”, tha Imeraj.