Besëlidhja e ka filluar më këmbë të mbarë serinë e finaleve “play off” në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj, teksa ka fituar raundin e parë përballë Tiranës. Kampionët në fuqi triumfuan me rezultatin 104-86 në takimin e luajtur të shtunën në “Asllan Rusi”.
Një ndeshje që pa gjatë të gjithë kohës në epërsi ekipin verior, i cili distancat e qetësisë i vendosi në pjesën e dytë. Në finalen e parë ra në sy prezencë e kënaqshme tifozësh, me rreth 700-800 persona në pallatin e sportit. Në këtë takim risi ishte edhe prania e dy gjyqtarëve nga Kosova, e Artan Gashit dhe Ngadhënjim Shabanit, ky i fundit ka stemën e FIBA-s, ndërsa arbitër i dytë ishte Edison Gjoni.
Por, gjyqtarët kishin harruar një “detaj”, uniformat, duke veshur ato të Ligës Unike dhe jo ato zyrtare të kampionatit kombëtar, gjë që nuk është aspak serioze dhe profesionale, aq më tepër kur bëhet fjalë për pikën më kulmore të kompeticionit. Duke u kthyer te ndeshja, të dyja ekipet e nisën me presing në çerekun e parë, fraksion i fituar nga Besëlidhja 25-22. Në periodën e dytë ritmi ofensiv ishte edhe më i lartë, me lezhjanët që e morën 29-28, duke shkuar në pushim në shifrat 54-50.
Në periodën e tretë erdhi shkëputja vendimtare për skuadrën e Afrim Bilalit, që e mori 10-minutëshin në shifrat 24-16, duke kryesuar 78-66 pas 3 periodash. Besëlidhja fitoi edhe periodën e katërt 26- 20, për ta mbyllur kështu me sukses treshifror finalen e parë, me +18 pikë. Frenki Lilaj me 24 pikë e 10 kërcime, Edmonds me 22 pikë e 10 kërcime, Hysaj me 12 pikë e 11 asistime ishin lojtarët me rendimentin më të lartë për Besëlidhjen. Te Tirana shënuesi më i mirë ishte Williams, autor i 32 pikëve. Të mërkurën do të jetë radha e finales së dytë në “Feti Borova”.DSF