Përfaqësues të koalicionit LEN, i cili me vetëm 9 deputetë ( 1.3% të deputetëve) pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione, vazhdojnë të relativizojnë bashkëpunimin e tyre të mëhershëm me partitë maqedonase, duke e quajtur atë “eksperiment që nuk funksionoi”, akuzojnë sot nga BDI-së.
Nga atje thonë se por problemi nuk qëndron tek një eksperiment i dështuar politik. Problemi është se kjo qasje e eksperimentimit me shqiptarët po vazhdon – me pasoja reale dhe të rrezikshme.
“Historikisht, regjimet më represive në rajon, veçanërisht ai i Millosheviqit, kanë përdorur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si inkubator për të testuar politika ndaj “çështjes shqiptare”.
Dhe ajo që dikur vinte nga jashtë, sot po zbatohet nga brenda – me shqiptarë që heshtin ose bashkëpunojnë në kurriz të të drejtave kolektive të popullit të vet.
Sot jemi dëshmitarë të një vale të re eksperimentimesh:
A është eksperiment përpjekja për të normalizuar një qeveri pa shumicë shqiptare, pa mandat dhe pa përfaqësim të drejtë?
A është eksperiment vendosja e një eksponenti pro-rus si Stoilkovic në krye të Marrëveshjes së Ohrit?
A ishte eksperiment manipulimi i rezultateve të regjistrimit të popullsisë, përjashtimi i diasporës dhe ulja e përqindjes së shqiptarëve nga 29.3% në 24.5%?
A është eksperiment sfidimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese, për të parë sa do të heshtin shqiptarët?
A është eksperiment heqja e mekanizmit të balanserit dhe lënia e institucioneve në mëshirën e ministrave dhe drejtorëve me qëndrime antishqiptare?
A është eksperiment që inspektorët për gjuhën shqipe nuk marrin rrogë për muaj të tërë, me qëllim që të dorëhiqen dhe të zhbëhet mekanizmi i zbatimit të ligjit?
E gjithë kjo nuk është as gabim, as rastësi. Është një model: të testosh kufirin e pranueshmërisë së shqiptarëve”, thuhet në kumtesën e BDI-së.