Presidenti Bajram Begaj, ka pritur sot Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një takim të fokusuar mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i vendit në negociatat me BE-në, përfshirë mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare BE–Shqipëri, e cila konfirmoi përmbushjen e kritereve ndërmjetëse për Kapitullin 1 “Themeloret”.
Presidenti Begaj i përcolli bashkëbiseduesit vendosmërinë e Shqipërisë për të përmbushur agjendën dhe objektivat me synim mbylljen e grupkapitujve të negociatave brenda vitit 2027.
“Reforma në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përputhja e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së dëshmojnë se Shqipëria është një partner i besueshëm dhe vullnetplotë për të qenë pjesë e familjes evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Ai vlerësoi gjithashtu se zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor përbën jo vetëm një proces integrimi, por edhe një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit europian, duke falënderuar Presidentin Costa për mbështetjen ndaj këtij procesi gjatë mandatit të tij.
“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e fuqishme që Këshilli dhe Komisioni po i japin në këtë rrugëtim. Ne do të vijojmë me ritëm të shpejtë dhe rezultate konkrete drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Reformat nuk i bëjmë vetëm si kërkesa të BE-së, por mbi të gjitha për qytetarët tanë”, theksoi Begaj.
Takimi u cilësua si një konfirmim i mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe përparimin e reformave kyçe në vend.