Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka vizituar këtë të martë (3 qershor) Tiranën në kuadër të turit të tij diplomatik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, Costa u prit në Kryeministri nga Edi Rama.
Pas takimit mes dy delegacioneve, Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të diskutojnë mbi ecurinë e procesit të integrimit europian, bashkëpunimin rajonal dhe prioritetet e samitit të ardhshëm.
Vizita e presidentit të KiE-së, zhvillohet në prag të Samiti BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Tivat. Takimi rajonal vjen vetëm gjashtë muaj pas samitit të fundit të zhvilluar në Bruksel dhe synon të konfirmojë angazhimin e Bashkimit Evropian për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për Shqipërinë, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në një moment kur Bashkimi Evropian po kërkon rezultate konkrete nga vendet kandidate në procesin e reformave, ndërsa Tirana ka vendosur si objektiv përmbylljen e negociatave dhe anëtarësimin në BE brenda vitit 2030.
Turi ballkanik i António Costës nisi më 1 qershor në Sarajevë, ku ai zhvilloi takime me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinë dhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krišto.
Vizitat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë t’i japin një shtysë të re dialogut mes Brukselit dhe rajonit, me fokus përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe thellimin e bashkëpunimit politik e ekonomik.
Heading Title
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka vizituar këtë të martë (3 qershor) Tiranën në kuadër të turit të tij diplomatik në vendet e Ballkanit …