Pas Meksikës, SHBA-së, Gjermanisë, Argjentinës dhe Norvegjisë, Franca është bërë kombëtarja e gjashtë që zyrtarisht është kualifikuar në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026. ‘Gjelat’ e Didier Deschamps e arritën këtë sukses pasi mposhtën 3-0 Irakun në ndeshjen e dytë të Grupit I, në një sfidë që zgjati katër orë.
Dueli fillimisht nisi në orën 23:00 të datës 22 qershor me kohën shqiptare, por pas fundit të pjesës së parë (1-0) skuadrat u rikthyen në fushë me dy orë vonesë. Shkaktar për këtë ndërprerje të gjatë u bë moti i keq me stuhi shiu, rrufe dhe bubullima që përfshiu Philadelphian.
Sipas rregullores së sigurisë në këto raste, lojtarët lejohen të rikthehen në fushën e gjelbër për t’u nxehur vetëm pasi të kenë kaluar 30 minuta të plota pa asnjë shkarkesë rrufeje në zonë dhe vetëm pas kësaj ndeshja do të mund të rinisë.
Pas dy orësh ndërprerje dhe frikës për pezullimin final, dy skuadrat u rikthyen në fushë dhe luajtën 45 minutat e dyta.
NDESHJA – Pjesa e parë e takimit u mbyll 1-0. Në minutën e 14-të Olise pasoi për Mbappe dhe sulmuesi i Real Madridit gjeti golin e parë të sfidës. Në nisje të fraksionit të dytë, konkretisht në minutën e 54-t, Dembele u tregua altruist më shumë sesa duhet duke pasuar për Mbappe, me këtë të fundit që shënoi dopietën personale dhe golin e dytë të ndeshjes. Në vijimin e lojës, Olise pa të lirë në zonë Dembele, teksa ‘Topi i Artë’ nuk fali dhe me të djathtën shënoi golin e tretë për Francën.
KYLIAN MBAPPE 100 NDESHJE PËR FRANCËN – Në pjesëmarrjen e tij të tretë në një Kupë Bote, Mbappe e ka çuar në 16-të numrin e golave të shënuar në kompeticionin më të madh për kombëtaret. Ai ka barazuar legjendën gjermane Miroslav Klose, ndërsa para tij është vetëm Lionel Messi me 18 gola të shënuar në Kupat e Botës. Për Mbappe ndeshja kundër Irakut ishte e 100-ta me fanellën e Francës. Si Messi dhe Mbappe janë në aktivitet dhe ndeshjet e ardhshme premtojnë spektakël.
RENDITJA – Pas dy ndeshjeve të para, Grupi I kryesohet nga Franca me gjashtë pikë, ndjekur nga Norvegjia po me gjashtë pikë, ndërsa të dyja këto kombëtare janë kualifikuar për në raundin e 1/16-ave. Senegali dhe Iraku kanë zero pikë, teksa do të përballen së bashku në ndeshjen e fundit të grupit, duke kërkuar fitoren që do t’i mbante në lojë për kualifikimin si vendi i tretë më i mirë. Ndërkohë Norvegjia dhe Franca do të ndeshen së bashku.
Renditja në Grupin I: