Zvicra me kapiten Granit Xhakën do të debutojë sonte në Botërorin 2026, duke patur mundësinë të marrë kreun e grupit B. Për ta bërë këtë helvetët duhet të mposhtin në orën 21:00 në stadiumin e San Francisco-s Katarin, që në letër duke një rival i kalueshëm. Në FIFA Katari mban vendin e 56, ndërsa Zvicra renditet e 19-ta. Në favorin e helvetëve flasin ndjeshëm edhe koeficientët pasi fitorja e tyre kuotohet me 1.2.
Zvicra u kualifikua në Botëror duke prerë biletën direkt nga grupet kualifikuese ku bënte pjesë bashkë me Kosovën, por ndeshjet e fundit ndonëse miqësore, nuk kanë prodhuar rezultate pozitive për trajnerin Murat Yakin. Ndërkohë te Katari arma më e fortë është trajneri Julian Lopetegui, ish-trajner i Spanjës dhe Real Madrid, ndërsa kombëtarja është e përbërë nga lojtarë të cilët vijnë nga kampionati vendas.
Në të kaluarën Zvicra dhe Katari janë përballur vetëm 1 herë mes tyre. Një ndeshje miqësore ku aziatikët kanë fituar me rezultatin 1-0.
Në orët e para të mëngjesit, ekzaktësisht në 06:00 me atë shqiptare, ndeshjen debutuese do të ketë edhe Turqia. Skuadra e Vincenzo Montella-s do të luajë për grupin D kundër Australisë, teksa në pikëpyetje është talenti i Juventusit Kenan Yildiz. Megjithatë turqit konsiderohen favoritë për të marrë fitoren, ndërsa pjesë e këtij grupi janë edhe SHBA-ja e Paraguaji.