Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke e kritikuar për adresimin e saj të fundit.
Ajo ka bërë me dije se nën drejtimin e saj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi.
Në profilin e saj në Facebook, Çitaku ka numëruar shkeljet e gjykatës në raport me krerët e UÇK-së.
“Znj. Trendafilova, pas vitesh heshtjeje ndaj shqetësimeve tona, një video-adresim pa pyetje nuk i mbulon padrejtësitë e kësaj gjykate dhe as ju shkarkon nga përgjegjësia. Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese. Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka shkruar ajo, duke e ftuar shefen e Speciales të ballafaqohet me gazetarët.
“Përgjegjësia është edhe personalisht juaja, znj. Trendafilova. Dilni përballë gazetarëve, mos u fshihni siç keni bërë qe dy vite. Përgjigjuni pyetjeve të vështira. Jepni llogari për mënyrën se si e keni drejtuar këtë gjykatë. Kritikat nuk mund t’i zhvlerësoni me etiketën e “dezinformimit”, ndërsa vetes t’i rezervoni të drejtën për të folur pa u sfiduar. Kosova nuk do të heshtë dhe as do të ndalet. Do ta mbështesim mbrojtjen e çlirimtarëve në apel dhe do ta kundërshtojmë çdo padrejtësi me të gjitha mjetet ligjore e institucionale”, ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së ka vlerësuar së Kosova kërkon drejtësi për çlirimtarët.
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!”, ka shkruar ajo
Edhe deputeti i PDK-së, Përparim Gruda i është kundërpërgjigjur kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova duke theksuar se Gjykata Speciale nuk mund të zgjedhë se cilin ligj do ta zbatojë, duke nënvizuar ndarjen e kompetencave ndërmjet Kuvendit dhe gjyqësorit.
Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka deklaruar se askush nuk mund t’i diktojë Gjykatës mënyrën e interpretimit të ligjit, por ajo është e obliguar të zbatojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
“E vërtetë që askush nuk mund t’ia diktojë gjykatës se si ta interpretojë ligjin. Por gjykata nuk mund të zgjedhë cilin ligj do ta zbatojë”, ka shkruar Gruda.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një video ku flet për pavarësinë e gjykatës, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, si dhe “përkushtimin e palëkundur” ndaj sundimit të ligjit të këtij institucioni.
Deklarata e Trendafiloves vjen pas ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës pas vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK’së në Hagë, si dhe kritikave të shumta e protestave me të cilat u përball ky aktgjykim.
Ajo tha se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe punën e saj, duke potencuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur dhe se gjyqtarët e saj janë persona me integritet, të cilët vijnë nga shtetet e Bashkimit Europian dhe ato kontribuuese.
“Në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën, të cilat vazhdojnë të përhapen, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”.