Revista franceze Le Monde Diplomatique ka tërhequr një postim të publikuar në Instagram lidhur me vendimin dënues të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i kërkuar ndjesë Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Lionit për pasaktësitë e konstatuara.
Postimi ishte publikuar më 21 shtator 2026 dhe i referohej një artikulli të mediumit të datës 18 shtator, që trajtonte dënimin e Thaçit. Publikimi shoqërohej me një hartë të Kosovës, ku paraqiteshin vendbanimet me shumicë serbe dhe manastiret ortodokse, si dhe me një tekst që pretendonte se harta “tregon përmasën politike të këtyre krimeve”.
Pas publikimit, studenti Jon Bislimi iu drejtua Këshillit të Deontologjisë Gazetareske dhe të Ndërmjetësimit (CDJM) në Francë, duke paraqitur ankesë për shkelje të parimeve të saktësisë dhe vërtetësisë.
Në ankesë, Bislimi kundërshtoi përdorimin e një harte të vitit 2023 për të ilustruar ngjarjet e periudhës së luftës në Kosovë, më 1998–1999. Sipas tij, paraqitja e kufijve të sotëm komunalë dhe e vendndodhjeve të manastireve krijonte një interpretim të gabuar të realitetit historik.
Ai argumentoi se kombinimi i hartës me pretendimin se UÇK-ja synonte të “nënshtronte popullsitë e konsideruara si të padëshirueshme” krijonte një interpretim etno-fetar të krimeve.
Pas ankesës, më 28 shtator, CDJM-ja kërkoi sqarime nga drejtori i redaksisë së revistës, Benoît Bréville, dhe përgjegjësja për komunikimin digjital, Julie Maury. Përgjigjja e tyre u dërgua më 9 tetor, ku pranuan se publikimi përmbante pasaktësi.
Në përgjigjen e tyre, përfaqësuesit e revistës shpjeguan se harta ishte përdorur për të paraqitur vendndodhjen e pakicave në Kosovë, por pranuan se ajo nuk mund të shërbente për të përcaktuar objektivat e krimeve të gjykuara.
“Megjithatë, fjalia ‘harta tregon përmasën politike të këtyre krimeve’ i atribuon asaj një funksion që ajo nuk mund ta përmbushë: shpërndarja e pakicave dhe vendndodhja e manastireve që ajo paraqet nuk lejojnë të përcaktohen objektivat e krimeve të gjykuara”, thuhet në përgjigjen e Le Monde Diplomatique.
Revista pranoi gjithashtu se formulimi për synimin e pretenduar të UÇK-së për të nënshtruar popullsitë e konsideruara të padëshirueshme përbënte një përgjithësim të tepruar.
“Shprehja ‘të nënshtronte popullsitë e konsideruara si të padëshirueshme’ çon në përgjithësimin abuziv mbi popullsi të tëra të shënjestrimit të personave të konsideruar si kundërshtarë të UÇK-së”, thuhet në përgjigje.
Në përfundim, përfaqësuesit e revistës bënë të ditur se kishin vendosur ta tërhiqnin publikimin dhe kërkuan falje për gabimet e bëra.
“Prandaj, vendosëm ta tërheqim këtë postim në Instagram dhe i kërkojmë ndjesë shoqatës ankuese për këtë publikim të cenuar nga gabime, të cilat do të përpiqemi që në të ardhmen të mos i përsërisim”, përfundon përgjigjja e tyre.