Këtë të mërkurë në orën 21:00 në ‘Red Bull Arena’ të Leipzigut, Crystal Palace dhe Rayo Vallecano do të përballen mes tyre në finalen e Conference League. Ky duel është historik për të dyja skuadrat, kjo pasi për herë të parë do të kërkojnë një trofe në Evropë.
Crystal Palace vjen nga një sezon nën mesatar, kjo pasi në Premier League skuadra e Oliver Glasner nuk ishte kompetitive, megjithatë ia doli të mos rrezikonte sezonin. Përpara këtij dueli, trajneri Glasner ka kërkuar nga të tijtë që të tregojnë forcën që kanë në ekip.
“Mendoj se të gjithë ne kur ishim të vegjël duke e goditur topin në mur dhe duke parë një finale evropiane në televizor, mendonim: ‘Uau, do të doja të isha pjesë e kësaj loje’. Pra, të gjithë mund të jemi pjesë e kësaj loje si aktorë dhe është koha për të treguar se kush jemi, për të treguar pikat e forta, pse luajmë aty.
Udhëtimi evropian ishte shpërblimi për fitimin e FA Cup dhe tani të luash finalen është shpërblimi i një fushate të shkëlqyer në Conference League. Po e presim me padurim. Lojtarët janë në formë fantastike me një humor të shkëlqyer në grup”, tha Oliver Glasner.
Nga ana tjetër, Inigo Perez, trajneri i Rayo Vallecanos kërkon trofeun në moshën 38-vjeçare. Tekniku bask vijon traditën e trajnerëve nga kjo zonë e Spanjës që ia dalin të luajnë një finale në Evropë.
Perez kërkoi nga të tijtë që të ruajnë identitetin në lojë. Pjesë e spanjollëve është edhe Ivan Balliu, mbrojtësi i kombëtares shqiptare.
“Jemi të kënaqur që e bëmë këtë udhëtim me familjet dhe miqtë tanë, të cilët fluturuan këtu me të njëjtin aeroplan si ne. Tani që jemi këtu në këtë skenë, me të gjithë vëmendjen mbi ne dhe në këtë stadium madhështor, fillon të ndjesh diçka ndryshe brenda teje. Një ndjenjë që duhet të përkthehet në futbollin tonë dhe në vetëbesimin tonë nesër (sot).
Duhet të përpiqemi ta luajmë këtë ndeshje, duke e ditur sa sfiduese është mendërisht, njësoj si çdo ndeshje tjetër në karrierë. Duhet ta ruajmë identitetin tonë dhe të sigurohemi që është i mjaftueshëm për të fituar”, tha 38-vjeçari.
Në fushën e lojës, Crystal Palace pritet të luajë me skemën 3-4-2-1, ndërsa Vallecano me skemën 4-2-3-1. Dje, një ditë përpara ndeshjes në rrugët e Leipzigut tifozët e të dyja skuadrave u përleshën mes tyre, teksa u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të qetësuar situatën.