Kuvendi i Kosovës u mblodh dje për të konsistuar legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por, eanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orë punime. Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë votuar kundër raportit, e Lista Serbe ka abstenuar.
Pas mosvotimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avi Dehari, tha se do t’i drejtohet presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Nga Presidenca e Kosovës kanë konfirmuar se nuk kanë pranuar ende një letër të tillë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka thënë se partitë e tjera politike, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe u rebeluan kundër betimit të deputetëve.
Ai tha se dështimi i seancës është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike.
“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot.”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, pas dështimit të seancës së djeshme konstituive, shkruan Reporteri.net.
Gërvalla tha se do të kërkojnë interpretimin e Presidentes Vjosa Osmani për hapat se si të vazhdohet tutje.
“Mund të na çojë në zgjedhje të reja. Mund të çojë në zëvendësimin e deputetëve që kanë votuar kundër. Ne do të kërkojmë interpretimin e Presidentes dhe nëse Presidentja e ndjen veten kompetente, mund të na e jap një përgjigje. Nëse nuk e ndjen veten kompetente në këtë çështje mund të ndihmojë e hulumtojë më tej se kush mund t’i ketë kompetencat për të sqaruar”, ka deklaruar Gërvalla.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues.
Ai ka deklaruar para mediave se “s’do të lejojmë që kjo legjislaturë të nisë me shkelje kushtetuese”.
“Situata që ka krijuar VV-ja është e paprecendentë. Këta vetë e kanë shkelur ligjin për Qeverinë, e kanë shkruar që s’mundet kryeministri e ministrat të betohen si deputetë. Katër vjet e kanë shkelur Kushtetutën. Ka kaluar ajo kohë. S’do të lejojmë që të nisë kjo legjislaturë me shkelje kushtetuese. Me logjikën e Kurtit do të duhej të ishin edhe kryetarët e komunave. Edhe Bedri Hamza do të duhej të ishte këtu”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosje s’ka respektuar rregullin bazik të Kushtetutës. Ai ka shtuar se ajo çka ndodhi në Kuvend “është episod i errët në demokracinë parlamentare”.
Abdixhiku u shpreh se LDK-ja mbështet deputetët që “janë vetëm deputetë dhe s’kanë funksione të tjera”.
“Nuk mund të jesh edhe deputet edhe kryeministër e edhe ministër…E pamë në seancë, 52 mbështetës të një partie që pretendon që i ka numrat. Jepini dorëheqje, ejani në seancë, zgjidhet çështja menjëherë…”, ka shtuar Abdixhiku.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.
Para seancës Kurti dhe kabineti i tij deklaruan se kanë thënë dorëheqje nga pozitat në Qeveri.
Por Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se kryeministri Kurti me letrën që ka dorëzuar, nuk është dorëheqje.
“Letra e dorëzuar nga Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, nuk paraqet akt të dorëheqjes. Interpretimi i z. Kurti se Qeveria e tij ka statusin ekuivalent me Qeverinë në detyrë vlenë për Qeverinë si institucion dhe jo për të si kreu i saj. Përmbajtja e njoftimit të Kryeministrit tregon synimin e tij që ai të vazhdojë ta udhëheqë Qeverinë në detyrë edhe duke qenë deputet.”
“Në bazë të Ligjit NR.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri duhet të jap dorëheqje në momentin e betimit të tij si deputet. Nga ky moment, Qeveria do të vazhdojë të funksionojë si qeveri në dorëheqje, por se nuk mund të udhëhiqet nga z. Kurti. Udhëheqja në këtë rast kalon tek zv. Kryeministri i Qeverisë në detyrë dhe postet ministrore udhëheqen nga zv. Ministrat. Përjashtim bëjnë rastet kur një ministër nuk është zgjedhur deputet, në këtë rast, ai mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën.”
IKD shton se letra e dorëheqjes duhet t’i drejtohet kryesuesit të seancës konstituive, në këtë rast Avni Deharit.
Edhe ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka deklaruar se në rastin e certifikimit të kandidatëve nga ekzekutivi nuk ka pasur dorëheqje të vërtetë dhe se Glauk Konjufca nuk ka qenë autoritet kompetent për ta pranuar atë.
Sipas tij, nëse do të respektohej ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të duhej të vazhdonte pa dorëheqje të dorëzuar në mënyrë formale.
“Nuk është dorëheqje. Absolut, do të thotë ajo, ajo është – këta anglisht thonë mockery – është abuzim, hajgare, tallje me institucionet, po, sepse ai u drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë, ai nuk është kryetar, vendi nuk ka as ushtrues detyre”, tha Enver Hasani.