Zhvillime të reja janë shënuar në çështjen e rëndë të vrasjes së të riut Martin Çeço, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur prishjen e vendimit të mëparshëm dhe rikthimin e dosjes për rigjykim.
Si pasojë e këtij vendimi, Martina Pajollari ndodhet prej dy javësh në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. E njëjta masë sigurie është vendosur edhe për të pandehurit e tjerë: Valter Mollaj, Edlir Mollaj dhe Bledi Angjo.
Të katër personat akuzohen për vrasjen e 26-vjeçarit, ngjarje e ndodhur më 12 qershor 2022 në fshatin Kolavec, Maliq. Trupi i viktimës u gjet i pajetë në një rezervuar, dy ditë pasi familjarët kishin raportuar zhdukjen e tij.
Sipas hetimeve, viktima dyshohet se ishte nxjerrë në pritë, ndërsa për këtë krim Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë kishte shpallur fajtorë katër të pandehurit, duke i dënuar në total me 83 vite burg në vendimin e dhënë më 10 shkurt 2025.
Megjithatë, Apeli vendosi të zhbëjë këtë vendim dhe të rikthejë çështjen për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjyqtarësh.
E kontaktuar nga mediat, Martina Pajollari ka refuzuar të komentojë zhvillimet, duke deklaruar se qëndrimin e saj e ka dhënë tashmë përpara gjykatës.
Rasti pritet të rihapet në një proces të ri gjyqësor, ku do të rivlerësohen provat dhe dëshmitë për të përcaktuar përgjegjësinë penale të të akuzuarve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.