Drejtori aktual i Klinikës Universitare të Neurologjisë, Fatmir Mexhiti, gjatë kohës që ka qenë drejtor i këtij institucioni shëndetësor publik ka qenë i angazhuar edhe me honorar në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila e emëroi atë si drejtor, ndërsa honorari i tij mujor ka qenë 60 mijë denarë, tregojnë kështu dokumentet të cilat i ka siguruar “Slloboden Peçat”. Nga kontrata nuk mund të kuptohet se çfarë punësh ka bërë Mexhiti për këtë honorar, por mund të kuptohet se detyrat e punës për Ministrinë e Shëndetësisë është dashur t’i kryejë çdo ditë. Të dhënat nga “financat e hapura” tregojnë se deri në muajin dhjetor të vitit 2024 paratë në vlerë prej 1.000 eurosh nga Ministria e Shëndetësisë i janë transferuar çdo muaj, transmeton Portalb.mk.
Kontrata mbi vepër e lidhur midis Mexhitit dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka zgjatur nga 8 korriku i vitit 2024 deri më 31 dhjetor të vitit 2024. Gjatë kësaj periudhe atij i është dashur të kryejë detyra për Ministrinë e Shëndetësisë çdo ditë, pavarësisht faktit se çdo ditë duhej t’i kryente edhe detyrat e tij të punës në Klinikën e Neurologjisë, të cilën e drejtonte dhe e drejton edhe sot e kësaj dite. Kontrata është lidhur menjëherë pas emërimit të Arben Taravarit, bashkëpartiak dhe mik personal i Mexhitit, si ministër i Shëndetësisë. Gjatë periudhës që Taravari ishte ministër të paktën edhe dy familjarë të Fatmir Mexhitin lidhën kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer detyra pune brenda një periudhe të caktuar kohore, gjë që mund të shihet nga dokumentacioni që e kemi në dispozicion.
Nga Ministria e Shëndetësisë, nga ana tjetër, nuk u përgjigjën në pyetjet dhe kërkesat për qasje të lirë në informacion me karakter publik, e për këtë arsye “Slloboden Peçat” dorëzoi ankesë pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik.
Ministria e Shëndetësisë në fakt ka lidhur kontrata të këtilla për honorar të caktuar me disa persona dhe të gjitha kanë të njëjtën përmbajtje, domethënë, janë kontrata “sipas një yrneku”. Dallojnë vetëm për nga lartësia e honorarit të paguar dhe kohëzgjatja e kontratës, por neni 2 në të cilin definohen detyrat e punës të cilat duhet t’i kryejë punonjësi i angazhuar, është i njëjtë për të gjithë. Konkretisht, për Fatmir Mexhitin, neni 2 i kontratës në të cilin janë përshkruar detyrimet e tij si punonjës me honorar në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën nga 8 korriku i vitit 2024 deri më 31 dhjetor të vitit 2024 thotë:
Dhënësi i shërbimeve ka për detyrë që punën ta kryejë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe cilësore, sipas përshkrimit dhe natyrës së punës, duke vepruar sipas udhëzimeve të porositësist dhe akteve dhe rregullave të brendshme të porositësit, ndërsa në pajtim me normativat dhe standardet për këtë lloj të punës, dhe atë t’i kryejë këto detyra/shërbime në këtë mënyrë dhe me këtë vëllim:
T’i pranojë, alokojë dhe koordinojë punët për materiale që kanë të bëjnë me shëndetësinë,
Ta ndjekë realizimin e detyrave nga ana e njësive organizative të cilave iu është dhënë përsipër detyra,
Të kontrollojë përmbajtjen e materialit të dorëzuar nga njësitë organizative,
Ta informojë ministrin dhe të japë mendim personal për përmbajtjen e shkruar në materialet e dorëzuara,
Të përcjellë materialet deri tek njësitë organizative kompetente dhe organet kompetente.
Kontaktuam Klinikën e Neurologjisë drejtor i së cilës është Mexhiti, si dhe në adresën e tij elektronike dërguam pyetje për atë se çfarë detyrash pune ka kryer sipas kontratës që ka lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë, por nga atje morëm një përgjigje të çuditshme.
“Ju informojmë se I.Sh.P. Klinika Universitare e Neurologjisë – Shkup nuk ka autoritet të veprojë lidhur me pyetjen e parashtruar. Në lidhje me këtë problematikë, ju duhet të drejtoheni pranë një institucioni tjetër përkatës, na thanë nga atje.”
Nga Klinika kërkuam që t’ia përcillte pyetjet drejtorit Mexhiti, nga i cili kërkuam përgjigje, por nuk morëm më asnjë përgjigje tjetër prej tyre për temën në fjalë. Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesave tona për qasje të lirë në informacion me karakter publik, përmes të cilave ne kërkuam që të na dërgoheshin raporte mujore mbi aktivitetet e kryera nga Mexhiti gjatë kohës që ai ishte angazhuar me honorar nga Ministria e Shëndetësisë.
Mexhiti instaloi kamera në Klinikën e Neurologjisë pa thirrje publike – thotë se të njëjtat janë donacion
MexSiti është ish-ministër i shëndetësisë dhe drejtor aktual i Klinikës Universitare të Neurologjisë. Disa nga punonjësit e Klinikës këto ditë reaguan në redaksinë e “Slloboden Peçat” me vërejtjen se në korridoret dhe në njërën nga dhomat e Klinikës ku qëndrojnë infermieret janë montuar kamera, për të cilat pretendojnë se nuk janë të sigurt nëse punojnë dhe nëse regjistrojnë edhe me zë.
Drejtori Mexhiti nuk ka shpallur thirrje për prokurim publik për këto kamera, siç është rasti me drejtorët e klinikave të tjera, të cilët kur instalojnë video mbikëqyrje shpallin tender, i përcaktojnë agjencitë që do të kenë qasje në këto regjistrime etj. Nga Klinika Universitare e Neurologjisë për “Slloboden Peçat” thane se kamerat ishin donacion dhe se për momentin nuk po regjistrojnë asgjë. Nga atje thonë se nuk kanë shpallur tender, sepse kamerat u janë dhuruar nga kompania – “DATASAT Cengiz Muharem Muharem”, ndërsa ato janë instaluar në muajin maj të vitit 2025.
“Lidhur me pyetjen për kamerat e instaluara për video mbikëqyrje, e informojmë publikun se ato janë donacion dhe janë instaluar në përputhje me nevojat për mbrojtjen e pronësisë dhe mbikëqyrje të sigurisë në zonat ku ruhen barnat, produktet për higjienë dhe ushqimi. Për momentin kamerat nuk janë në funksion dhe aktivizimi i tyre do të kryhet në përputhje me rregulloret ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, me transparencë të plotë. Kamerat janë instaluar në dhoma të destinuara ekskluzivisht për punë administrative dhe logjistike, siç janë dhomat e infermiereve me dollape për barna, magazinat për materiale higjienike dhe një pjesë e hyrjes ku është e vendosur karroca me ushqim”, thanë nga Klinika e Neurologjisë.
Nga atje shtojnë se në këto mjedise nuk kryhen ekzaminime mjekësore, intervenime dhe aktivitete të tjera me pacientët dhe kamerat nuk janë vendosur në vendet ku ofrohet kujdes shëndetësor i drejtpërdrejtë.
“Mbikëqyrja ka për qëllim vetëm dhe vetëm mbrojtjen e materialeve, parandalimin e abuzimit dhe kontrollin e hyrjes/daljes të personave zyrtarë. Për kamerat e instaluara është emëruar një person përgjegjës, si dhe është hartuar një rregullore për mënyrën e kryerjes së video mbikëqyrjes. Për respektim të plotë të ligjeve, njoftim i është dërguar edhe Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, edhe pse gjatë instalimit të video mbikëqyrjes kjo gjë nuk është obligative, shtojnë nga Klinika Universitare e Neurologjisë.