Kryeministrja e Letonisë, Evika Siliņa, ka dhënë dorëheqjen pas një krize politike të shkaktuar nga hyrja gabimisht në territorin letonez e disa dronëve ukrainas të destinuar për sulme ndaj Rusia.
Ngjarja ndodhi më 7 maj, kur tre dronë hynë në hapësirën ajrore të Letonisë. Sipas autoriteteve letoneze dhe ukrainase, dronët besohet se ishin nisur nga Ukraina drejt objektivave në Rusi, por gjatë fluturimit sinjalet e tyre u bllokuan elektronikisht, duke bërë që të humbnin drejtimin dhe të devijonin drejt territorit letonez.
Një nga dronët u rrëzua në tokë, një tjetër goditi një depo të zbrazët karburanti pranë qytetit Rēzekne, ndërsa droni i tretë hyri dhe më pas doli nga hapësira ajrore e vendit. Edhe pse nuk pati viktima apo dëme serioze, incidenti shkaktoi reagime të forta në Letoni, sidomos për mënyrën si autoritetet reaguan ndaj situatës.
Banorët e zonës thanë për mediat lokale se alarmi në telefonat celularë u aktivizua me shumë vonesë, rreth një orë pasi një nga dronët ishte rrëzuar pranë qytetit. Pas incidentit, kryeministrja Siliņa shkarkoi ministrin e Mbrojtjes, Andris Sprūds, duke kritikuar reagimin e tij ndaj ngjarjes dhe duke emëruar një zëvendësues.
Por vendimi shkaktoi përçarje në koalicionin qeverisës. Partia e ministrit të shkarkuar, Progresistët, tërhoqi mbështetjen për qeverinë, duke çuar në rrëzimin e saj vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të tetorit.