Mbi 300 policë ishte paraparë të diplomonin nesër, me ceremoni zyrtare.
Por, ky moment i shënuar për gjeneratën e re të policisë, është shtyrë.
Burime të IndeksOnline pohojnë se shkas i shtyrjes së ceremonisë është mungesa e uniformave për kadetët e rinj.
Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej nesër, më 30 tetor. Më pas, kadetët e rinj u njoftuan se ceremonia u shtye për një afat të pacaktuar.
Të njëjtit, tani janë informuar se ceremonia do të mbahet të premten, më 6 nëntor.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse Policia e Kosovës do të mund të sigurojë sasinë e nevojshme të uniformave, deri të premten e ardhshme.
Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik nuk figuron asnjë tender që parasheh shpalljen, dhënien apo nënshkrimin e kontratës për furnizim.
Nga ana tjetër, kadetët që do të jenë në shërbim të popullit do të shfrytëzojnë ditët në vijim për pushim, pasi ata veçse kanë përfunduar studimet në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.