“Duhet të pezullohet veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit”, ishte kjo kërkesa e bërë nga kryeministri Edi Rama më 2 korrik 2025 për ministren e bujqësisë Anila Denaj.
Ministria e Bujqësisë ka sqaruar për Report Tv se nuk është pezulluar gjithë veprimtaria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por i është hequr e drejta për të bërë kontrolle që nuk janë të programuara që në nisje të vitit.
Praktikisht nëse ka indicie për abuzim, AKU i ndalohet të veprojë pa marrë më parë aprovim nga Ministria e Bujqësisë. Ndërsa çdo inspektim i planifikuar do të vijojë të kryhet siç është bërë deri më tani.
“Nuk ekziston një pezullim i përgjithshëm i punës së AKU-së, por është vendosur pezullim i inspektimeve të paplanifikuara, në pritje të ristrukturimeve dhe përshtatjeve të nevojshme sipas ligjit të ri. Inspektimet e planifikuara dhe të miratuara nga titullari i AKU-së po kryhen në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me planet operacionale të miratuara”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Vjet AKU ka bërë në terren 25 mijë kontrolle të planifikuara dhe më shumë se 6700 të tjera të paprogramuara në bazë risku. Por rritja e kontrolleve dhe të paparashikuara nga inspektorët e AKU-së, ka shtuar ankesat nga subjektet private.
“Vendimi për pezullimin e inspektimeve të paplanifikuara është marrë duke marrë parasysh rritjen e ndjeshme të ankesave nga subjekte të ndryshme për qasjen dhe sjelljen e inspektorëve, mungesën e planeve operacionale të argumentuara si dhe përgatitjet e nevojshme për implementimin e Ligjit nr. 99/2024”, thotë ministria.
Ministria sqaron po ashtu se po punohet për të adresuar rastet e mundshme abuzive gjatë kryerjes së inspektimit dhe për këtë arsye është ngritur grupi i punës që përfshin edhe ekspertizën e Universitetit Bujqësor të Tiranës, që do të sigurojë vlerësim profesional të inspektorëve.
“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është në proces të hartimit të një plani pune të detajuar për vijimin e procedurave dhe marrjen e vendimeve të mëtejshme në funksion të realizimit të reformës së inspektoratit”, vijon më tej përgjigja.
Por, të gjitha këto masa janë të përkohshme, derisa të zbatohet plotësisht reforma e inspektorateve për të cilën ende nuk ka përfunduar plotësimi i akteve nënligjore, që parashikon shkrirjen jo vetëm të AKU por edhe të dy institucioneve të tjera në fushën e bujqësisë: Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, si dhe Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe të Mbrojtjes së Bimëve. Të treja këto institucione do të ristrukturohen duke i kaluar të gjitha funksionet dhe kompetencat e inspektoratit në një strukturë të vetme qendrore.