38-vjeçari me anë të një reagimi në rrjetet sociale thotë se ka bojktuar pjesmarrjen për shkak të kreut të federatës shqiptare të peshëngritjes, Elez Gjozajt, i cili nuk e ka lejuar të marrë trajnerin me vete. Qerimaj i bën kërkesë ministrisë përgjegjëse për sportin, por edhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të ndërhyjë.
Qerimaj e konsideron një vendim dashakeqas të Gjozajt ndaj tij, ndërsa prej vitesh ka përplasje me kreun e federatës. Ditën e sotme peshëngritësi u paraqit edhe në SPAK ku tha se ‘ka bërë një denocim’. Nuk dihet ende nëse prezenca e Qerimajt në SPAK ka të bëjë me këtë çështje.
“REAGIM PUBLIK – KËRKOJ NDËRHYRJE TË MENJËHERSHME INSTITUCIONALE!
Me keqardhje, ndihem i detyruar të tërhiqem nga Kampionati Botëror, garë kualifikuese për Lojërat Olimpike, pasi drejtuesi i Federatës ka vendosur që të garoj pa asnjë trajner në krah.
– I kërkoj Ministrisë përgjegjëse për Sportin dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar të ndërhyjnë URGJENTISHT, të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të zgjidhin këtë situatë. Nuk mjaftojnë heshtja apo deklaratat formale; kërkohen veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale.
– Federata e Peshëngritjes nuk është pronë private e askujt! Ajo nuk mund të drejtohet sipas interesave personale dhe as të përdoret për të penguar sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë.
– Fondet publike duhet të shërbejnë për mbështetjen e sportistëve dhe trajnerëve, jo për konflikte personale apo vendime që dëmtojnë përfaqësimin kombëtar.
– Prej tre vitesh përballem me kallëzime të përsëritura në polici nga një person që e konsideroj dashakeqës ndaj meje, ndërsa tani rrezikohet edhe pjesëmarrja ime në një garë me rëndësi olimpike.
U kërkoj institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë, të shqyrtojnë këtë çështje, të garantojnë të drejtat e mia si sportist dhe të kërkojnë llogari për vendimet e marra.
Nuk kërkoj privilegje, por drejtësi, barazi dhe respekt për sakrificën time sportive.
Nuk mund të pranohet që një sportist të detyrohet të heqë dorë nga një garë kualifikuese olimpike për shkak të vendimeve të drejtuesve të institucionit që duhet ta mbështesë.
Heshtja institucionale nuk është zgjidhje. Ndërhyrja është detyrim! Përgjegjësia duhet të mbahet, ndërsa flamuri shqiptar dhe sportistët që e përfaqësojnë duhet të jenë mbi çdo interes personal,”-shkruan Qerimaj.