Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e volejbollit italian, pasi Manuel Coscione, organizatori i Cuneo Volley, është kërcënuar me vdekje në rrjetet sociale pas një gabimi gjatë ndeshjes ndaj Perugias.
Cuneo u mposht me rezultatin 3-2 nga kampionët e Italisë, në një sfidë të luftuar deri në pikët e fundit. Gjatë setit të pestë, Coscione gaboi në shërbim në një pikë ndeshjeje në favor të skuadrës së tij, moment që Perugia e shfrytëzoi për të përmbysur rezultatin. Pas takimit, një person anonim, përmes një profili fals në “Instagram”, i dërgoi volejbollistit mesazhe tronditëse, duke kërcënuar edhe familjen e tij.
“E gjithë familja jote do të vritet”, ishte një nga frazat e rënda të publikuara. Coscione reagoi menjëherë, duke denoncuar rastin pranë autoriteteve kompetente dhe duke bërë publike kërcënimet. Ai theksoi se një gabim sportiv nuk mund të justifikojë sulmet personale dhe kërcënimet ndaj familjarëve. Në mbështetje të tij reagoi edhe Shoqata Italiane e Volejbollistëve, e cila dënoi ashpër kërcënimet.