Kompanitë e huaja kërkojnë mbrojtje nga autoritetet shqiptare për markat, patentat dhe dizenjot e krijuara prej tyre, në një treg ku përhapja e markave false është në masë të gjerë. Vetëm vitin e kaluar rreth 3400 biznese të huaja kanë aplikuar për regjistrim marke apo patente. Në rritje është edhe numri i sipërmarrjeve shqiptare.
Përhapja në masë në tregun shqiptar e produkteve të falsifikuara, sidomos veshjet, apo imitimi i markave të ndryshme të huaja, ka ngritur në këmbë brandet ndërkombëtare.
Vetëm vitin e shkuar 2.677 biznese të huaja kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale për të regjistruar markën e tyre në Shqipëri, si dhe janë bërë 730 aplikime për të mbrojtur patentat e tyre po në vendin tonë.
“Regjistrimi i patentës shton avantazhin e tyre konkurrues në treg, sepse mund të ndalojnë çdo konkurrent nga regjistrimi i të drejtave të tyre të regjistruara”, pohon juristja Eni Kalo.
Edhe shqiptarët po ndërgjegjësohen për rëndësinë e këtij procesi. Vetëm viten e kaluar 1575 biznese vendase aplikuan për të regjistruar markën vjet dhe 12 të tjerë kërkuan të regjistrojnë patentën që kishin krijuar.
“Është si të marrësh një pronë dhe të mos kesh hipotekë. Patenta, emri, krijimtaria, produkti, piktura apo kënga janë prona të tua intelektuale, edhe pse nuk duken si prona fizike”, shprehet sipërmarrësja Mustali.
Sipërmarrësja Arjodita Mustali sot drejton një kompani konsulence, por tregon se para një dekade kur hapi biznesin e parë nuk pati fonde ta fuqizonte dhe as nuk e regjistroi si markë, më pas ky produkt u vu në ‘jetë’ nga një tjetër sipërmarrës.
“Kur hapa biznesin e parë falimentoj sepse nuk kisha treg, unë mësova por biznesi nuk vazhdoj. Mbas një viti e pak u hap nga një kompani tjetër, me të njëjtin emër dhe me të njëjtin aktivitet dhe unë nuk e regjistroj dot më sepse në Shqipëri ekziston një i tillë. Po e tregoj si një histori motivimi, për me thënë sesa e rëndësishme është ruajtja e produktit tënd”, shprehet sipërmarrësja Mustali.
Problemi i falsifikimit, imitimit apo vjedhjes së ‘produktit origjinal’ pritet të frenohet nga ligji i ri ‘Për Markat Tregtare’ , pasi do të shtohen kontrollet jo vetëm për prodhimin vendas por edhe atë të importuar.
“Do të zbutet ky problem padyshim sepse do të ketë mekanizma më të forta për zbatimin e të drejta. Këto janë probleme që nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Ndalimi i këtyre shkeljeve do të vij pas një bashkëpunimi mes Drejtorisë e Pronësisë Intelektuale, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Drejtoria e Doganave”, shprehet juristja Kalo.
‘Pronësia Industriale’ është pjesë edhe e disa kapitujve në negociatat me BE, dhe i gjithë legjislacioni shqiptar për këtë fushë po punohet për tu përshtatur me kuadrin evropian.