Një nga kapitujt më të suksesshëm në historinë e Egnatias po shkon drejt fundit. Trajneri durrsak, Edlir Tetova, pritet të japë lamtumirën duke mbyllur një periudhë të artë 3- vjeçare në krye të skuadrës rrogozhinase.
Burime të “Panorama Sport” pohojnë se Tetova ka vendosur të mos vijojë më bashkëpunimin me Egnatian, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që arriti me këtë ekip, ku fitoi gjithçka në futbollin shqiptar dhe e ktheu klubin në një nga forcat dominante të kampionatit. Një faktor kyç dhe për momentin i vetmi në këtë vendim lidhet me gjendjen shëndetësore të trajnerit. Pak muaj më parë, Tetova ka kryer një ndërhyrje në zemër, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e tij për të mbyllur këtë cikël.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se ka qenë vetë kërkesa e teknikut për ta përfunduar këtë projekt në këtë pikë dhe për të marrë një periudhë pushimi, pasi mjekët ia kanë këshilluar që duhet të ketë ende kujdes. Burimet pohojnë se do të jetë një lamtumirë që mund të ndodhë menjëherë pa pritur fundin e sezonit. Në këtë situatë, drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit do ta marrë ndihmësi i tij, Julian Brahja.
TEUTA NË SKENË – Megjithatë, paralelisht me këtë zhvillim, në skenë ka dalë menjëherë edhe një tjetër pistë e fortë për të ardhmen e tij. Tetova përflitet si pasues i Enkeleid Dobit tek Teuta në fund të sezonit, një lëvizje që do ta rikthente në qytetin e lindjes dhe që pritet të ketë ndikim të madh në futbollin shqiptar.
Megjithatë, për momentin është thjesht një hipotezë, pa bisedime konkrete, ndërsa vetë dirrsaku do ta mirëpriste një rikthim në shtëpi edhe për shkak të situatës me gjendjen shëndetësore. Me largimin e tij, në Rrogozhinë pritet të nisë një fazë e re, një “erë e re” për Egnatian, e cila do të duhet të rindërtojë dhe të ruajë standardin e lartë të vendosur gjatë epokës Tetova. Aktualisht, Tetova po vuan një pezullim 6-mujor nga FSHF pas ngjarjeve në sfidën ndaj Vllaznisë.
KONFERENCA URGJENTE – Edlir Tetova dhe klubi i Egnatias kanë njoftuar një konferencë urgjente për shtyp, që do të mbahet sot në orën 11:00. Në një komunikim zyrtar, bëhet e ditur se trajneri dhe klubi do të dalin para mediave për të folur mbi problematikat e sezonit, si dhe për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe projektit. Një deklaratë që konsiderohet kyçe jo vetëm për të ardhmen e Tetovës, por edhe për drejtimin që do të marrë Egnatia në vijim.
Kjo dalje publike merr një peshë të veçantë, pasi vjen pas një periudhe të gjatë heshtjeje nga ana e Tetovës, i cili prej muajsh nuk ka komunikuar me mediat për shkak të situatave të krijuara rreth dënimeve dhe tensioneve që kanë shoqëruar klubin gjatë këtij sezoni. Në këtë kontekst, konferenca pritet të japë përgjigje për shumë pikëpyetje që kanë qarkulluar së fundmi, ku më e rëndësishmja lidhet me të ardhmen e tij. Të gjitha sytë janë tashmë te konferenca e nesërme, e cila pritet të zbardhë përfundimisht të ardhmen e një prej trajnerëve më të suksesshëm të viteve të fundit dhe të klubit që ai e ngjiti në majë.