Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me nga 60 ditë nga punimet e Kuvendit të dy deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas kaosit në seancën plenare ku u miratua me 85 vota pro harta e re territoriale.
Vendimi erdhi pas kërkesës së firmosur nga 10 deputetë socialistë, të cilët kërkuan përjashtimin me argumentin se Gazment Bardhi përdori fjalë fyese ndaj kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave dhe deputetëve socialistë, si dhe ka qëlluar disa herë me shishe uji në drejtim të tyre dhe punonjësve të Gardës.
Ndërsa për Klevis Balliun PS kërkoi përjashtimin pasi ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, si dhe ka përdorur një bori, duke shkaktuar zhurmë në seancë dhe duke penguar zhvillimin normal të saj.
“Kërkojmë dënimin e deputetit Gazment Bardhi, për shkak se në mënyrë të përsëritur, me veprimet e tij të dhunshme dhe të qëllimshme, pengoi zhvillimin normal të seancës plenare, përdori gjuhë shumë të rëndë, fyese dhe denigruese, si dhe qëlloi me shishe uji ndaj Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve të Partisë Socialiste dhe punonjësve të Gardës së Republikës”.
Kërkojmë dënimin e deputetit Klevis Balliu, për shkak se në mënyrë të përsëritur, me veprimet e tij të dhunshme dhe të qëllimshme, qëlloi me vezë, përdori pajisje të zhurmshme, pengoi zhvillimin normal të seancës plenare dhe përdori gjuhë joparlamentare ndaj Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Partisë Socialiste”, thuhet në kërkesën e PS.
Demokratët e kundërshtuan masën disiplinore, duke argumentuar se Rregullorja e Kuvendit parashikon përjashtim deri në 10 ditë për pengimin e seancës, shkaktimin e kaosit, fyerjet apo goditjet ndaj deputetëve. Sipas tyre, përjashtimi deri në 60 ditë zbatohet vetëm në rastet e përdorimit të lëndëve piroteknike apo tymuese.