NGA PROF. DR. SHEZAI RROKAJ
Studentët po protestojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) për Provimin shtetëror të jurisprudencës. Në fakt, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001 dhe Ligjit për gjuhët në RMV (2018) kanë lindur gjatë zbatimit të tij keqinterpretime të qëllimshme që cenojnë përdorimin e gjuhës shqipe në mjaft veprimtari shtetërore, por sidomos në fushën e jurisprudencës për pakicat kombëtare, ku përfshihet edhe popullsia shqiptare e këtij shteti. Më konkretisht, në këtë fushë, disa nga këto keqinterpretime lidhen me interpretimin nga Gjykata Kushtetuese të disa neneve të këtij ligji në përputhje me Kushtetutën, ku theksohet parimi kushtetues se ‘maqedonishtja (dhe alfabeti i saj cirilik) është gjuha zyrtare e sistemit juridik në gjithë territorin dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare’.
KU QËNDRON PROBLEMI?
Në fakt, nuk ndalohet përdorimi i gjuhëve të tjera (pra, dhe i shqipes) në gjykata. Pranohet përdorimi i gjuhëve të tjera në përputhje me ligjin procedural (psh., e drejta e palëve për përkthim dhe përdorim të gjuhës së tyre), por ka pasur keqinterpretime që lidhen me ‘gjuhën e procedurës’ (procedural language) dhe ‘gjuhën e palëve në proces’. Në praktikën e gjerë procedura gjyqësore dhe aktet zyrtare mbeten vetëm në maqedonisht (si gjuhë zyrtare), por palët kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre, me përkthim të garantuar. Pra, ky theksim i rolit primar të maqedonishtes si gjuhë zyrtare, që me sa duket i mbivendoset një gjuhe tjetër zyrtare si shqipja, në sistemin juridik ka krijuar konfuzion me Ligjin e gjuhëve në RMV, ku përdorimi i gjuhëve të tjera (pra, dhe i shqipes) lejohet sipas ligjit dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Shpërfaqje e këtij ngërçi ligjor institucional është edhe pamundësia e dhënies së provimit shtetëror të jurisprudencës në gjuhën shqipe për studentët që ndjekin fakultetet juridike në gjuhën shqipe. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një kakografi ligjore ku shteti me një dorë e jep të drejtën në Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel qendror dhe vendor, por me dorën tjetër interpretimi kushtetues e heq këtë të drejtë përmes përdorimit vetëm të maqedonishtes si “gjuhë zyrtare e vetme e sistemit juridik” me të cilën qeveria kinse ‘përligj’ faktin detyrues të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën maqedone.
ÇFARË KËRKOJNË STUDENTËT?
Studentët kërkojnë që provimi shtetëror i jurisprudencës të mos bie ndesh me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe të sanksionuar në Kushtetutë dhe në Ligjin për gjuhët. Ndërkaq, këto protesta nxiten dhe mbështeten në këtë rast edhe nga partitë opozitare të vendit, të cilat i shfrytëzojnë këto protesta për ambiciet e tyre politike. Në këtë rast, çështja e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën protestojnë studentët shqiptarë është thelbësore dhe ajo shpërfaq pikërisht këtë mospërputhje ligjore. E drejta për ta ushtruar profesionin në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një e drejtë thelbësore për barazi në funksionimin ndërinstitucional dhe ajo nuk mund t’u privohet studentëve në fazën përmbyllëse të formimit profesional. Pra, duhet t’u garantohet e njëjta e drejtë që ata e kanë gjatë procesit të shkollimit në gjuhën shqipe.
PËRSE DUHET MBËSHTETUR PROTESTA?
Pikërisht, këtë të drejtë të tyre e ka mbështetur edhe Universiteti i Tiranës me një deklaratë të rektorit të universitetit prof. dr. Artan Hoxha të bërë disa ditë më parë. Kësisoj do të ishte e mirëpritur një gjë e tillë edhe Akademia e Shkencave dhe gjithë institucionet e tjera akademike të bënin të njëjtën gjë. Kjo, sepse kërkesat e tyre lidhen me një parim kushtetues themelor siç është parimi i barazisë para ligjit. Ato nuk duhet të trajtohen si “teka” për lëshime të rastit nga pushteti, por si të drejta që burojnë nga rendi juridik ekzistues, dhe që kërkojnë rregullim të qartë ligjor aty ku ka kakografi.
Dëshpëruese është mungesa e mbështetjes nga përfaqësues të pakicave të tjera etnike po të kihet parasysh se pas vitit 2001 dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk garanton të drejta vetëm për shqiptarët, por për të gjitha bashkësitë. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje u bë edhe ndryshimi i Kushtetutës së vitit 1992, ku gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera jomaqedonase as nuk përmendeshin deri në atë kohë. Në amendamentin V u shtua përdorimi i gjuhëve të “komuniteteve”, ose më saktë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, është gjithashtu gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen” (Amandamenti V, neni 1, paragrafi 2 i Kushtetutës së RM-së). Sot kur shumë nga këto parime gjejnë zbatim konkret në nivel lokal edhe për këto bashkësi të tjera etnike, mungesa e solidaritetit bie në ndesh jo vetëm me frymën e solidaritetit, por edhe me vetë logjikën e frymën kushtetuese në RMV, të ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë.
Po kështu do të mirëpritej një reagim mbështetës edhe nga studentët maqedonë, të cilët ndjekin studimet në fushën e jurisprudencës dhe që më shumë se kushdo tjetër e kuptojnë këtë diskriminim përmes krijimit të një konflikti tinëzar ndërinstitucional. Në këtë kontekst, protesta po tregon se dallimi ndërmjet barazisë ligjore dhe asaj kushtetuese duhet rregulluar. Barazia ligjore përbën arritje të rëndësishme, por mbetet e kufizuar në mungesë të bazës së qartë kushtetuese. Si e tillë, mbetet e hapur ndaj keqinterpretimeve duke krijuar një kinse barazi para ligjit. Për këtë arsye, përpjekja duhet të synojë afirmimin e barazisë në rendin kushtetues, si garanci e qëndrueshme e të drejtave.
ÇFARË FSHEH KJO KINSE KAKOGRAFI LIGJORE?
Kjo është pamja e parë e problemit, që duket si një kakografi ligjore rastësore dhe që sensibilizimi publik ndoshta do të shpjerë në rregullimin përkatës. Por për mendimin tonë problemi është shumë më i thellë dhe kërkon reflektim të plotë në përqasje me parimet demokratike karshi reminishencave nacionaliste që dalin si stërkëmbësha në këtë rrugëtim demokratik integrues, duke fshehur qëllime që burojnë tinëzisht prej këtij mentaliteti nacionalist. Problemi fillon qysh me hartimin e Ligjit për gjuhët (2018) dhe kjo protestë është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij Ligji i cili është tinëzisht kaotik lidhur përcaktimin e 20%-it si dhe shtrirjen e tij të plotë në përdorim në disa fusha të veprimtarisë komunitare, përfshi edhe ato të fushës së jurisprudencës. Përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj gjendjeje janë aktorët politikë të të gjitha kaheve, të mazhorancave dhe opozitave të radhës të cilat, fatkeqësisht, nuk po dinë apo nuk po duan të dalin nga sindromi i koncepteve nacionaliste etnike mbi “gjuhët dhe kulturat e pastra” në Ballkan, të formësuara si ideologji kryesisht gjatë shekullit XIX – XX në kuadër të proceseve të ndërtimit të shtet-kombeve.
Paralelisht me gjuhën, kultura u konceptua si një trashëgimi e pandërprerë dhe homogjene, ku folklori u kodifikua si “autentik kombëtar”, mitet historike u riinterpretuan për të krijuar lidhje dhe vazhdimësi, deri edhe iluzore qysh prej antikitetit; elementet e përbashkëta ndërkulturore të komuniteteve të tjera ose u minimizuan, ose edhe u përjashtuan. Mirëpo sot është më e qartë se Ballkani ka qenë historikisht një hapësirë ndërveprimi intensiv kulturor, sidomos që nga ai bizantin, osman apo mesdhetar në tërësi, ku “pastërtia” apo uniciteti etnik është më shumë një krijesë ideologjike sesa një fakt empirik sui generis. Studimet moderne në gjuhësi dhe antropologji, por edhe ato historike dhe politike i hedhin poshtë këto ide esencialiste, ku gjuha, kultura, etnia shihen përmes një purizmi të skajshëm, duke krijuar në këtë mënyrë konflikte antropoemike të lidhura me mospraninë e “tjetrit”. Nga ky parashtrim kuptohet konflikti ligjor në RMV, për të cilin protestojnë studentët është reminishencë e konceptit të “etnive, gjuhëve dhe kulturave të pastra” në Ballkan si produkt i nacionalizmave modernë dhe jo një realitet historik e shoqëror sui generis i popullsive maqedone, shqiptare dhe të tjera për sendërtimin e një shtet-kombi plural me kontribute historike të përbashkëta. Edhe kjo proteste dëshmon në thelb një qasje e ngurtë, në thelb antihistorike, që ka prodhuar dhe prodhon ngaherë konflikte, tensione dhe përjashtime për popullsitë dhe komunitetet e tjetërfarta, përmes një trysnie “asimiluese” të kontributit të tyre në qenësinë identitare të kombit a shtetit përkatës.
KONVENTA KUADËR E KËSHILLIT TË EVROPËS PËR MBROJTJEN E PAKICAVE KOMBËTARE DHE LIDERSHIPI POLITIK
Mirëpo Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999 dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut të cilat, ndonëse jo detyruese për shtetet që i kanë nënshkruar, këshillojnë hartimin e ligjeve specifike, ku objektivi duhet të jetë përmirësimi i kuadrit ligjor dhe politikave për mbrojtjen e komuniteteve më të vogla. Fryma e kësaj Konvente është mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe garantimi i ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person që i përket një pakice shtetërore, duke theksuar nxitjen e identitetit dallues të tyre si tipar thelbësor i një shoqërie të integruar, e cila garanton edhe me ligj të drejtën natyrore të qenies njerëzore: mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë të shtetasve përballë të drejtave njerëzore. Mirëpo, me sa duket, ende shteti i Maqedonisë së Veriut ende nuk po e kupton se historikisht është një shtet-komb multietnik, që do të thotë se është i të gjithëve maqedonëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera përbërëse.
Për më tepër, në dallim nga pakicat e tjera kombëtare, koncepti element shtetformues pas Marrëveshjes së Ohrit i ravijëzon shqiptarët si pjesë e domosdoshme për qenien e shtetit, pa të cilët nuk mund të jetë shteti kudo, në gjithë shtrirjen shtetërore, si në nivel qendror dhe në atë vendor. Por çfarë ndodh në fakt: koncepti pakicë kombëtare në Ligj tkurret në vetëm përfitim të drejtash në nivel të vetadministrimit lokal dhe vetëm aty ku shqiptarët janë jo më pak se 20% në qeverisjen vendore. Ndërkaq, popullsia e një ‘komuniteti etnik’ me tiparin element shtetformues e bën krejt të dallueshëm atë prej emërtesës gjithëpërfshirëse ‘pakicë kombëtare’, sepse epërsia e madhe numerike brenda popullsisë së shtetit i jep kësaj popullsie një avantazh cilësor që kushtëzon qenien dhe funksionimin e vetë shtetit multietnik si emërtesë.
PROBLEMATIKA E 20%-IT QË I BËN SHQIPTARËT KOMUNITET SHTETFORMUES TË RMV
Mendojmë se rregullimi i parë duhet të fillojë nga njohja e përdorimit të gjuhës shqipe në gjithë shtrirjen shtetërore, pavarësisht faktit nëse në disa komuna ata janë më pak ose më shumë se 20% dhe ky kriter të mos jetë kushtëzues për komunat ku ka shqiptarë me më pak se 20%. Kësisoj Ligji duhet të parashikojë në nivel vendor që, aty ku përmbushen kushtet sipas ligjit për Arsimin Parauniversitar në RMV për mësimdhënie në gjuhën shqipe, ajo të realizohet, pavarësisht faktit nëse plotësohet apo jo në atë komunë kriteri numerik 20%. Problemi i dytë pas konceptit të 20%-it, që mendojmë se duhet rishikuar, lidhet me përgjigjen ndaj pyetjes a është i drejtë, i plotë, gjithëpërfshirës dhe shkencërisht i përligjur koncepti ‘pakicë kombëtare’ për realitetet etnike në RMV, ku përfshihen shqiptarët, bullgarët, serbët, vllahët, turqit boshnjakët e ndonjë komunitet tjetër?
Në fakt, deri më sot në literaturën studimore është folur për minoritete kombëtare, me të cilat identifikohen shqiptarët, bullgarët dhe serbët, kurse vllahët, romët, turqit dhe boshnjakët janë identifikuar si pakica etno-gjuhësore. Kjo ndarje, e cila mbështetej mbi kritere historike, gjuhësore e kulturore, është eliminuar në ligj, përmes përdorimit të termit ombrellë pakicë kombëtare (alias gjuhë komuniteti). Futja nën një ombrellë është një deformim shkencor historik, etnik, kulturor, gjuhësor e gjeografik, i vetë këtyre ‘komuniteteve’ dhe i raportit të tyre me entitetin kombëtar, e bërë kjo kinse prej pragmatizmit semplist të plotësimit të këtij prioriteti të vënë si kusht prej Konventës Kuadër. Kësisoj pyetja që shtrohet në Ligjin për pakicat kombëtare në RMV lidhet me pyetjen a janë pakicë kombëtare apo element shtetformues shqiptarët në RMV. Cili është dallimi midis konceptit pakicë kombëtare dhe konceptit element shtetformues? Po të kundrohet me kujdes realiteti juridik i shqiptarëve prej Marrëveshjes së Ohrit e këtej ai i njeh shqiptarët në RMV si element shtetformues.
Por duket qartë se ky fakt juridik kushtetues nuk është reflektuar sa dhe si duhet te Ligji për Gjuhët, ku shqipja nuk veçohet prej gjuhëve të pakicave (shih gjuhë komuniteti), por përmblidhet nën të njëjtën ombrellë emërtese si gjuhët e kombësive të tjera. Siç do të përshquhet më tej në këtë qasje Ligji për Gjuhët ka vendosur kriterin numerik 20%, me të cilin bëhet një dallim në disa të drejta që kombësitë përkatëse i fitojnë në nivel të qeverisjes qendrore dhe atë vendore, porse ai është mëdyshas për sa i përket dallimit në aspektin cilësor pakicë kombëtare/element shtetformues. Ligji hapërdahet në një sërë paqartësish shkencore konceptuale që i kemi këqyrur qysh prej Preambulës ligjore e në vijim gjatë shtjellimit të përmbajtjes, ku gjithçka sheston një ndërdymje tinëzare mes të drejtave gjuhësore të këtyre kombësive si në nivel qendror ashtu edhe në atë të vetadministrimit lokal.