Mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për një të tretën e vendeve evropiane, me numrin e të burgosurve për 100 vende në dispozicion në një vit është rritur nga 93.5 në 94.9, bëhet e ditur në raportin e “Statistikës vjetor penale të Këshillit të Evropës (SPACE) të publikuar sot.
Ai thekson se për sa i përket endjes në burgje, Maqedonia me 101 të burgosur për 100 vende në dispozicion është në grupin e shteteve me “mbipopullim të moderuar”, së bashku me Kroacinë (110), Irlandën (105), Suedinë (105), Hungarinë (104), Azerbajxhanin (103), Finlandën (103) dhe Turqinë (102).
“Mbipopullimi i rëndë” është regjistruar në burgje në gjashtë vende evropiane, ndër të cilat “lider” është Sllovenia me 134 të burgosur për 100 vende, përpara Qipros me 132, Francës me 124, Italisë me 118, Rumanisë me 116 dhe Belgjikës me 113.
Pranë kufirit të mbipopullimit janë burgjet në Skoci me 100 dhe në Angli dhe Uells dhe në Serbi me 98 të burgosur për 100 vende.
Sipas të dhënave të SPACE, më 31 janar të vitit 2024, në burgjet nën juridiksionin e 51 drejtorive të burgjeve në vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka pasur 1.021.431 të burgosur, që paraqet një normë mesatare të popullsisë së burgjeve prej 105 të burgosur për 100.000 banorë.
Në bazë të kësaj të dhëne, Maqedonia renditet në vendin e 15-të me 143 të burgosur për 100.000 banorë. Turqia ka më shumë të burgosur “për kokë banori” – 356 për 100.000 banorë, përpara Azerbajxhanit me 264, Gjeorgjisë me 261, Moldavisë me 235, Polonisë me 202, Hungarisë me 195, Shqipërisë me 192, Republikës Çeke me 180, Sllovakisë me 179 dhe Serbisë me 177 të burgosur për 100.000 banorë.
Raporti gjithashtu shënon se midis 31 janarit të vitit 2023 dhe 31 janarit të vitit 2024, shkalla mesatare e popullatës së burgjeve në Evropë është ulur nga 116,2 në 115,1 të burgosur për 100.000 banorë. Në periudhën e përmendur, Maqedonia shënon rritje të numrit të të burgosurve për 0,2 për qind, me ç’rast rritje më të vogël se ne ka vetëm Ukrainën me 0,1 për qind, ndërsa tetë shtete shënojnë rënie të popullsisë së burgjeve. Të gjitha vendet e tjera evropiane kanë rritje më të madhe të të burgosurve se e jona.
Sllovenia kishte rritjen më të lartë prej 25,4 për qind, përpara Suedisë me 15,5, Maltës me 11,1, Serbisë me 9,4, Kroacisë dhe Azerbajxhanit me 8,3 secila, Italisë me 7,8, Shqipërisë me 7,5, Irlandës së Veriut me 6,9, Belgjikës me 6,8 dhe Skocisë me 6,7 për qind.
Mbi një e katërta e atyre që u mbajtën në burgjet evropiane midis 31 janarit 2023 dhe 31 janarit të vitit 2024 ishin në paraburgim. Në Maqedoni, shkalla e të arrestuarve në mesin e numrit të përgjithshëm të personave të privuar nga liria ishte 12 për qind, që është më shumë se gjysma më pak se mesatarja evropiane.
Shkalla më e lartë e të arrestuarve është 58 për qind në Shqipëri, përpara Armenisë me 53 për qind, Malit të Zi dhe Luksemburgut me 47 për qind secila, Zvicrës dhe Holandës me 46 për qind
secila, Maltës me 42 për qind, Kroacisë me 41 për qind, Sllovenisë me 40për qind dhe Irlandës së Veriut me 39 për qind.
Rreth 16 për qind e të burgosurve në burgjet evropiane ishin shtetas të huaj, me ç’rast në këtë kategori vendi është në fund me 7,1 për qind të të huajve. Në mesin e të burgosurve në Luksemburg, më së shumti të huaj janë 75 për qind, përpara Zvicrës me 72 për qind, Qipros me 58 për qind, Greqisë me 54 për qind, Austrisë me 53 për qind, Maltës me 52 për qind, Katalonjës me 50 për qind, Gjermanisë me 49 për qind, Sllovenisë me 48 për qind dhe Belgjikës me 41 për qind.
Mosha mesatare e të burgosurve në burgjet evropiane ishte 37 vjeç, me Gjeorgjinë që kishte të burgosurit më të vjetër me një moshë mesatare 44 vjeç, përpara Italisë, Portugalisë dhe Republikës Serbe me 42 vjet dhe Estonisë me 41 vjet. Mesatarisht, popullsi më të re tëburgjeve ka pasur Lituania me 32, përpara Suedisë dhe Katalonjës me 34 dhe Danimarkës dhe Francës me 35. Për vendin nuk ka të dhëna për moshën e të burgosurve.
Përqindja e grave në mesin e popullsisë së përgjithshme të burgjeve në Evropë ishte 4,9 për qind. Në Maqedoni, ajo ishte nën mesataren evropiane prej 3,8 për qind. Më shumë gra në mesin e të burgosurve ishin në Republikën Çeke – 8,8 përqind, përpara Hungarisë me 8,4 dhe Finlandës me 8 për qind, dhe më pak në Shqipëri dhe Gjeorgji me 1,4 dhe Kroaci me 2,1 për qind.
Mbi një e treta (33,6 përqind) e numrit të përgjithshëm të të burgosurve në Evropë janë dënuar për krime të dhunshme, të tilla si vrasje, vepra seksuale dhe sulme, 16,7 për qind për vepra penale të lidhura me drogën, 12,3 për qind për vjedhje, 2,9 për qind për vepra penale të trafikut dhe 2,4 për qind për krime ekonomike ose financiare.
Sipas udhëheqësit të ekipit hulumtues të SPACE-s, profesorit të Universitetit të Lozanës, Marselo Abi, mbipopullimi dëmton seriozisht kushtet e jetesës së popullatës së burgjeve dhe përpjekjet për rehabilitimin e administratave të burgjeve.
“Të dhënat për kohëzgjatjen e dënimeve me burg tregojnë se periudhat më të shkurtra mesatare të paraburgimit kanë tendencë të lidhen me normat më të ulëta të popullsisë së burgjeve. Ndonëse ka përjashtime nga ky model, kjo lidhje thekson rëndësinë e kohëzgjatjes së dënimit, si levë për të menaxhuar mbipopullimin e burgjeve”, deklaroi Abi.
Sipas tij, përveç promovimit të sanksioneve alternative ndaj dënimit me burg, zvogëlimi i kohëzgjatjes së dënimit, veçanërisht për të padhunshmit dhe për autorët e veprave të vogla, mund të jetë vegël e fuqishme për uljen e normave të të burgosurve.