Komisioni Evropian, në raportin vjetor për Kosovën, ka evidentuar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë periudhës raportuese. Ky është një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Raporti thekson se ndër rastet e dokumentuara përfshihen pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarë të sigurisë.
Gjithashtu, raporti përmend akuzat për gjuhë të ashpër nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave. Sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë janë një shqetësim i vazhdueshëm sipas raportit të Komisionit Evropian për Kosovën. Komisioni bën thirrje që zyrtarët publikë të përmbahen nga retorika që shënjestron ose diskrediton gazetarët.
Sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen. Sipas raportit, gjatë periudhës raportuese një kameraman është arrestuar dhe mbajtur përkohësisht në paraburgim nga Policia e Kosovës. Të paktën katër persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve.
Rastet e frikësimit përfshijnë gjithashtu ngacmimin në internet dhe shpërndarjen e të dhënave personale të gazetarëve. Në këtë periudhë nuk janë regjistruar padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh raportin si pasqyrim real të ambientit të rëndë të të bërit gazetari në vend. Ai bën sërish thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj gazetarëve dhe respektimin e punës së tyre në interes të publikut.