Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se nga rinumërimi i 185 vendvotimeve nuk ka nxjerrë ndonjë gjetje që do të arsyetonte nevojën për rinumërime të tjera.
“Njoftoj se dy vendimet e fundit nga Gjykata Supreme na kanë arritur dje pasdite lidhur me ankesat e dy kandidatëve. Këto dy vendime janë, do të thotë kanë refuzuar ankesat e kandidatëve, prandaj edhe është hapur rruga për shpalljen e rezultatit përfundimtar.
Para se të vazhdoj me leximin e rezultatit dua për publikun të bëj të njohur se raportin e rinumërimit që është përgatitur nga sekretariati se do të thotë nga rinumërimi i 185 vendvotimeve nuk ka nxjerrë ndonjë gjetje që do të arsyetonte nevojën për rinumërime të tjera.
Dallimet e evidentuara kanë qenë minimale dhe kryesisht lidhen me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme si dhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar. Për rrjedhojë nuk është konstatuar ndonjë bazë që do të kërkonte zgjerimin e procesit të rinumërimit në vendvotime të tjera”, tha ai.
Ai duke lexuar rezultatet ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, më 47.13%, ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës më 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës më 16.69% ka fituar 18 ulëse, dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.