Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka blerë penjtë kirurgjikalë përmes një tenderi emergjent, duke paguar për disa lloje çmime deri në dyfish më të larta se ato që gjenden në barnatore. Ky veprim erdhi pasi për muaj me radhë klinikat u përballën me mungesë të këtyre materialeve, duke detyruar pacientët t’i siguronin vetë.
Sipas kontratës, një lloj peri kirurgjikal është blerë me 2.32 euro për copë, ndërsa në barnatore i njëjti produkt kushton rreth 1.20 euro. Edhe një lloj tjetër është paguar 2.80 euro për copë, ndërkohë që në treg shitet nga 1.30 deri në 2 euro.
Tenderi emergjent, me vlerë rreth 220 mijë euro, përfshin 23 lloje penjsh kirurgjikalë. SHSKUK nuk ka dhënë përgjigje se pse furnizimi nuk ishte planifikuar më herët dhe nëse janë krahasuar çmimet e tregut përpara blerjes.
Në një reagim publik, SHSKUK deklaroi se furnizimi me penjtë është bërë vazhdimisht dhe se asnjë operacion nuk është anuluar për shkak të mungesës së tyre. Megjithatë, institucioni pranoi se kishte mungesë të disa llojeve specifike dhe se furnizimi i ri sapo kishte mbërritur në Barnatoren Qendrore, duke pritur shpërndarjen në klinika.
Hulumtuesja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, e cilësoi deklaratën e SHSKUK-së kontradiktore, duke theksuar se vetë zhvillimi i një tenderi emergjent dëshmon se kishte mungesa. Ajo kritikoi edhe vonesat në shpërndarjen e materialeve në klinika.
Edhe eksperti i prokurimit, Ardit Dragusha, vlerësoi se mungesa e materialeve bazike si penjtë kirurgjikalë nuk përbën një emergjencë të paparashikueshme, por është pasojë e planifikimit dhe menaxhimit të dobët. Sipas tij, procedurat emergjente kufizojnë konkurrencën dhe mund të rrisin kostot për buxhetin publik.
Më herët, është raportuar se për shkak të mungesës së materialeve, pacientët janë detyruar të blejnë vetë jo vetëm penjtë kirurgjikalë, por edhe pajisje të tjera, si bisturitë për operime.