Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me banorët e zonës së Zvërnecit në Vlorë, ku në qendër të diskutimit është projekti infrastrukturor, lidhur me zhvillimin e turizmit bregdetar dhe investimet e parashikuara për këtë zone.
Një prej banorëve të Zvërnecit shprehu situatën me pronën duke theksuar se “çështja jonë është akoma duke u gjykuar, unë pasnesër jam në gjyq për kthimin fizik të pronës. Ju pa para një jave që ajo pronë është e trashëguar dem baba dem, ajo më vrau. U duk sikur çfarë të pres unë tani nga gjykata.”
“Më kanë sorollatur 35 vite, 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Ne nuk kemi folur, fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos intervistohemi e të mos kemi zë. U ndjeva i atakuar dhe i prekur nga disa deklarata tuajat. Ju thatë që “kjo tokë është e trashëguar dem baba dem”, tha banori.
Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama theksoi se “unë kam thënë që prona është kthyer dem baba dem. Dhe pronat e kthyera janë prona të trashëguara. A ka kthime të gabuara, me siguri ka plot por këtë nuk e vendos unë, nuk e vendos qeveria. Nuk e vendos hipoteka. Këtë e vendos vetëm gjykata. Ndjesë nëse je ndjerë i lënduar sepse unë nuk përfaqësoj pronarët. Nuk kam takuar asnjë nga pronarët. Dhe nuk kam idenë se çfarë marrëveshje kanë bërë investitorët me pronarët.”
Gjithashtu Rama tha se Sazani është çështje e qeverisë, ndërsa çështja e Zvërnecit është çështje private.
“Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshje kanë bërë pronarët e pronës me investitorët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së Presidendit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë se Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht”, nënvizoi më tej Rama.
Para banorëve të Zvërnecit, Rama foli edhe për protestat që zhvillohen në kryeqytet. Sipas Ramës, edhe sikur 500 mijë persona të dalin në protestë, ndërtimi i resortit nuk do anulohet.
“Jo 5 mijë veta, po 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, sepse janë 800 e kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe Partinë Socialiste”,- tha Rama.
/rtsh.al/