Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit të bilancit vjetor të RTSH-së për vitin 2025, theksoi tre aspekte kyçe që tregojnë përpjekjet e institucionit për stabilizim financiar dhe modernizim: sfidat financiare dhe likuidimi i detyrimeve të prapambetura, raporti me Unionin Europian të Transmetuesve (EBU) dhe rëndësia e tarifës për aparatin si burim kryesor financiar.
Raporti vjetor i RTSH për 2025, Hoxhalli: Të ardhurat 2.3 mld lekë, shpenzimet 2.5 mld lekë. Burimi kryesor i financimit, tarifa mbi pajisjet marrëse – RTSH
Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, deklaroi se viti 2025 ishte një periudhë sfiduese për transmetuesin publik, me fokus stabilizimin e situatës dhe nisjen e procesit të transformimit të institucionit. Gjatë raportimit të tij, Hoxhalli theksoi se RTSH ka operuar nën presion të lartë financiar dhe me një model financimi që paraqiste dobësi strukturore.
Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë vitit 2025 të ardhurat e RTSH-së arritën në 2.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale u regjistruan në nivelin e 2.5 miliardë lekëve. Ai nënvizoi se kjo situatë ka ushtruar presion mbi kapacitetet financiare të institucionit dhe ka kufizuar mundësitë për financim të mëtejshëm.
Kreu i Këshillit Drejtues bëri të ditur gjithashtu se të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit vjetor, duke shënuar një mungesë prej 366 milionë lekësh krahasuar me objektivin buxhetor. Sipas Hoxhallit, burimi kryesor i financimit për RTSH-në mbeti tarifa mbi pajisjet marrëse, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave gjatë vitit 2025. Drejtuesit e RTSH-së e konsiderojnë vitin që lamë pas si një fazë të rëndësishme për konsolidimin financiar dhe vendosjen e bazave për transformimin e mëtejshëm të transmetuesit publik.
“Viti 2025 ishte për RTSH-në një vit sfidash, ku fokusi ynë ishte stabilizimi i gjendjes dhe fillimi i procesit të transformimit të institucionit. Në aspektin financiar, RTSH ka operuar nën presion të lartë dhe me një model financimi që paraqiste dobësi. Gjatë vitit 2025, të ardhurat arritën në 2.3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale arritën në 2.05 miliardë lekë. Kjo situatë ushtroi presion mbi kapacitetet financiare dhe kufizoi mundësitë për financim. Të ardhurat u realizuan në masën 86.7% të planit, me një mungesë prej 366 milionë lekësh kundrejt objektivit buxhetor. Burimi kryesor i financimit ishte tarifa mbi pajisjet marrëse, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave”, tha Hoxhalli.
Hoxhalli: Mbi 56% e të ardhurave vijnë nga tarifa televizive, detyrimet ndaj palëve të treta arritën në mbi 370 mln lekë
Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizioni Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, paraqiti një panoramë të situatës financiare dhe organizative të institucionit, duke evidentuar burimet kryesore të financimit, nivelin e detyrimeve financiare dhe sfidat që lidhen me investimet dhe strukturën organizative.
Në fjalën e tij, Hoxhalli theksoi se burimi kryesor i financimit të RTSH-së mbetet tarifa mbi aparatin marrës televiziv, e cila gjatë vitit 2025 siguroi më shumë se gjysmën e të ardhurave të institucionit.
“Burimi kryesor i financimit është tarifa mbi aparatin marrës televiziv, e cila siguroi 56.5% të totalit të të ardhurave, ndërsa financimi nga buxheti i shtetit përbën shtyllën e dytë kryesore të mbështetjes financiare të RTSH-së”, u shpreh Hoxhalli.
Duke analizuar strukturën e shpenzimeve, kreu i Këshillit Drejtues tha se pesha më e madhe e fondeve është përqendruar tek pagesat e personelit dhe sigurimet shoqërore.
“Struktura e shpenzimeve zë peshë të lartë të fondit të pagave dhe sigurimeve shoqërore, i cili përfaqëson rreth 54% të totalit të shpenzimeve”, deklaroi ai.
Hoxhalli bëri të ditur gjithashtu se në fund të vitit 2025, RTSH kishte detyrime të konsiderueshme ndaj palëve të treta, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre lidhen me të drejtat sportive.
“Në fund të vitit 2025, detyrimet që RTSH ka ndaj palëve të treta arritën në 374 milionë lekë. Analiza e strukturës së borxhit tregon një përqindje të lartë në kategorinë e të drejtave sportive me kosto të konsiderueshme, të cilat ishin planifikuar të mbuloheshin nga projeksione të paqëndrueshme të rritjes së tarifës”, tha ai.
Sipas Hoxhallit, kjo situatë financiare ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale, duke kufizuar mundësitë për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të transmetuesit publik.
“Si pasojë e këtij ngarkimi financiar, investimet kapitale pësuan rënie të ndjeshme, duke u realizuar vetëm në masën 26% të planit të rishikuar, çka la të parealizuara nevoja urgjente për modernizimin teknologjik të institucionit”, theksoi ai.
Në vijim të raportimit, kreu i Këshillit Drejtues ndaloi edhe tek problematikat organizative të RTSH-së, duke vënë në dukje se struktura aktuale e institucionit ka nevojë për rishikim dhe reformim.
“Në aspektin organizativ, modeli i ndërtuar ndër vite ka shfaqur mbivendosje funksionesh dhe fragmentim të proceseve, duke krijuar vështirësi në eficiencën e menaxhimit dhe koordinimit të veprimtarisë së institucionit”, u shpreh Hoxhalli para anëtarëve të komisionit.
Vasili: Likuiduam 150 mln lekë detyrime të prapambetura
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, deklaroi se viti 2025 e gjeti transmetuesin publik përballë një sfide të madhe financiare, ndërsa institucioni vazhdonte të përmbushte misionin e tij publik.
Gjatë prezantimit të bilancit të vitit, Vasili tha se RTSH trashëgoi një situatë të dobët operacionale, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në atë digjital, çka kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e institucionit.
Sipas saj, masat e ndërmarra gjatë vitit 2025 u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare, konsolidimin e funksionimit bazë të RTSH-së dhe krijimin e kushteve të nevojshme për transformimin e mëtejshëm të institucionit.
“Qasja jonë nuk u fokusua në zgjerimin e aktiviteteve, por në konsolidimin e funksionimit bazë dhe krijimin e kushteve për transformimin e RTSH-së”, u shpreh Vasili.
Ajo theksoi se prioritet kryesor ishte administrimi dhe reduktimi i presionit të likuiditetit që rëndonte mbi institucionin. Për këtë qëllim u morën masa për përmirësimin e menaxhimit financiar, kontroll më të rreptë të shpenzimeve dhe administrim më efikas të flukseve monetare.
Një nga rezultatet kryesore, sipas drejtoreshës së RTSH-së, ishte likuidimi gradual i detyrimeve të prapambetura, rinegocimi i afateve të pagesave për detyrime të caktuara dhe shmangia e penaliteteve financiare.
“Viti 2025 e gjeti RTSH-në përballë një sfide shumë të madhe financiare, ndërkohë që institucioni vijonte të përmbushte misionin e tij publik. Situatën operacionale e gjetëm shumë të dobët, si në aspektin teknologjik ashtu edhe në atë digjital.
Masat e ndërmarra dhe rezultatet e vitit 2025 tregojnë se, përballë këtyre sfidave të evidentuara, u morën hapa konkretë për stabilizimin dhe forcimin e sigurisë financiare. Qasja jonë nuk u fokusua në zgjerimin e aktiviteteve, por në konsolidimin e funksionimit bazë të institucionit dhe krijimin e kushteve për transformimin e RTSH-së”, tha Vasili.
Vasili bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë likuiduar detyrime të prapambetura në vlerën e 150 milionë lekëve, ose 49.8% e totalit të tyre, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit financiar të transmetuesit publik.
“Sa i takon stabilizimit financiar, që ishte edhe sfida më e madhe, prioritet ishte administrimi dhe reduktimi i presionit të likuiditetit që rëndonte mbi institucionin. U ndërmorën masa për përmirësimin e menaxhimit financiar, kontroll më të rreptë të shpenzimeve dhe administrim më efikas të flukseve monetare.
Gjithashtu, u realizua likuidimi gradual i detyrimeve të prapambetura, rinegocimi i afateve të pagesave për detyrime të caktuara dhe shmangia e penaliteteve financiare. Detyrimet e prapambetura janë likuiduar në vlerën e 150 milionë lekëve, ose 49.8% të totalit të tyre”, tha ajo.
Hoxhalli: Dokumenti i EBU-së përbën prioritetin më të rëndësishëm të RTSH
Vlerësimi i EBU-së, i realizuar në fund të vitit 2025 mbi bazën e kornizës për transformimin e medias së shërbimit publik sipas standardeve të saj, ka nxjerrë në pah katër konkluzione kryesore për RTSH-në.
Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit vjetor të institucionit për vitin 2025, theksoi se ky vlerësim është kthyer në një plan pune konkret dhe të detajuar për RTSH.
“Vlerësimi i EBU-së, i realizuar në fund të vitit 2025 mbi bazën e kornizës për transformimin e medias së shërbimit publik, sipas standardeve të saj, arriti në 4 konkluzione. Së pari, ata theksojnë se portofoli i shërbimeve të RTSH tejkalon kapacitetet reale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionit. Racionalizimi i kanaleve nuk është më një opsion, por kusht themelor për mbijetesën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Së dyti, pesha e lartë e kostove fikse financiare dhe financimi publik i pamjaftueshëm e bëjnë të pamundur ekuilibrimin drejt përmbajtjes programore dhe teknologjisë, pa ndërhyrje të qarta strukturore dhe legjislative.
Së treti, infrastruktura teknologjike dhe asetet fizike janë të vjetruara, duke e ekspozuar transmetuesin publik ndaj një rreziku të lartë operacional në përditshmëri. Së katërti, modeli organizativ ekzistues është i papërshtatshëm për epokën digjitale, por kapitali njerëzor profesional mbetet aseti më i çmuar mbi të cilin kjo reformë mund dhe duhet të mbështetet. Trajtimi i këtyre gjetjeve është kthyer në një plan pune konkret dhe të detajuar për RTSH. Me unanimitet të EBU-së, Këshilli Drejtues ka miratuar parimet dhe prioritetet e këtij transformimi. Aktualisht ky plan është në ekzekutim nga Drejtoria e Përgjithshme dhe po materializohet hap pas hapi me ndërhyrjet e para”, tha Hoxhalli.
Eni Vasili: Borxhi u ul me 27% falë masave për kontrollin e shpenzimeve. Forcuam kontrollin e brendshëm dhe rritëm transparencën institucionale
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, bëri të ditur se një nga prioritetet kryesore të drejtimit të saj ka qenë ulja e detyrimeve financiare të institucionit, si dhe forcimi i qeverisjes së brendshme dhe disiplinës financiare.
Në fjalën e saj, Vasili theksoi se RTSH ka arritur të reduktojë ndjeshëm nivelin e borxhit gjatë muajve të fundit, falë masave të ndërmarra për kontrollin e shpenzimeve dhe menaxhimin më të kujdesshëm të financave.
“Është punuar fort për uljen e borxhit. Kështu, nga 442 milionë lekë që ishte në datën 30 qershor 2025, në fund të muajit maj borxhi është ulur në 321 milionë lekë, ose 27% më pak. Ky ka qenë prioriteti ynë kryesor, përmes uljes së shpenzimeve dhe trajtimit me shumë rigorozitet të detyrimeve financiare. Këto masa kanë dhënë rezultatet e para konkrete në përmirësimin e situatës financiare të institucionit”, deklaroi Vasili.
Drejtoresha e Përgjithshme bëri me dije se gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë një sërë reformash të brendshme që synojnë rritjen e eficiencës administrative, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
“Gjatë vitit 2025 u morën masa për forcimin e qeverisjes së brendshme. U forcuan mekanizmat e kontrollit të brendshëm, u përmirësuan procedurat e planifikimit dhe monitorimit, si dhe u ndërmorën hapa konkretë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale”, u shpreh ajo.
Sipas Vasilit, një nga zhvillimet më të rëndësishme në aspektin organizativ ka qenë ngritja e funksionit të planifikimit dhe prokurimeve në nivel drejtorie, me synimin për të garantuar një menaxhim më efikas të burimeve financiare dhe investimeve.
“Një zhvillim me rëndësi të veçantë ishte ngritja e funksionit të planifikimit dhe prokurimeve në nivel drejtorie. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së disiplinës financiare dhe përmirësimit të proceseve të investimeve, duke mundësuar një kontroll më të mirë mbi përdorimin e fondeve publike”, tha ajo.
Duke folur për ndryshimet organizative të ndërmarra në RTSH, Vasili theksoi se është realizuar një ristrukturim i pjesshëm i institucionit, me synimin për të qartësuar zinxhirin e përgjegjësive dhe për të përmirësuar koordinimin ndërmjet departamenteve.
“Është bërë një ristrukturim i pjesshëm, i cili kishte si synim riorganizimin e varësive të departamenteve që ndër vite ishin mbërthyer në një strukturë të fragmentuar dhe joefikase, ku shpeshherë mungonte qartësia e varësive dhe koordinimit ndërmjet njësive të ndryshme. Synimi ka qenë krijimi i një strukture më funksionale dhe më efektive në përmbushjen e objektivave të institucionit”, përfundoi Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.
Vasili: RTSH ruajti misionin publik gjatë vitit 2025, mbi 3 500 orë prodhim televiziv
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, vlerësoi punën e institucionit gjatë vitit 2025, duke theksuar se RTSH ka arritur të përmbushë misionin e tij si transmetues publik dhe të garantojë mbulimin e ngjarjeve më të rëndësishme në vend.
Në fjalën e saj, Vasili deklaroi se pavarësisht sfidave financiare dhe organizative, RTSH ka vijuar të ofrojë shërbim publik cilësor dhe të përmbushë detyrimet e tij ndaj qytetarëve.
“RTSH arriti të ruante funksionin e misionit publik. Gjatë vitit 2025 u realizuan mbi 3 500 orë prodhim televiziv, ndërsa u zhvilluan mbi 200 transmetime me studio lëvizëse, duke garantuar praninë e transmetuesit publik në ngjarje të rëndësishme në të gjithë vendin”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e Përgjithshme theksoi gjithashtu se RTSH ka ofruar mbështetje të gjerë teknike dhe editoriale për një sërë aktivitetesh me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
“U sigurua mbështetje teknike dhe editoriale për ngjarje kombëtare dhe ndërkombëtare, duke garantuar mbulim profesional dhe informim të plotë për publikun shqiptar”, deklaroi Vasili.
Vasili: Procesi zgjedhor i 2025, një nga sfidat më të mëdha operative të RTSH-së, mobilizuam mbi 200 punonjës në terren
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizioni Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, u ndal te angazhimi i transmetuesit publik gjatë procesit zgjedhor parlamentar të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një nga sfidat më të mëdha operative me të cilat është përballur institucioni.
Në fjalën e saj, Vasili theksoi se RTSH mobilizoi burime të konsiderueshme njerëzore dhe teknike për të garantuar një pasqyrim profesional, të balancuar dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në të gjithë vendin.
“Procesi zgjedhor i vitit 2025 ishte një nga sfidat më të mëdha operative të institucionit. RTSH angazhoi rreth 200 punonjës në terren dhe realizoi një mbulim të balancuar dhe gjithëpërfshirës të procesit, duke garantuar informim të vazhdueshëm për qytetarët dhe respektim të standardeve profesionale të transmetuesit publik”, deklaroi Vasili.
Ajo nënvizoi se përmes angazhimit të stafit gazetaresk, teknik dhe administrativ, RTSH arriti të pasqyrojë në kohë reale zhvillimet zgjedhore në të gjithë territorin e vendit, duke siguruar akses të barabartë në informacion për publikun dhe duke respektuar parimet e pluralizmit dhe paanshmërisë.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme, përvoja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 dëshmoi kapacitetet profesionale dhe organizative të RTSH-së për të përballuar ngjarje me rëndësi të veçantë kombëtare, duke përmbushur misionin e tij si transmetues publik në shërbim të qytetarëve.
Vasili flet për raportin e EBU: Thekson nevojë për një model të ri funksionimi, sfidë mbetet numri i lartë i kanaleve
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, bëri të ditur se në bashkëpunim me EBU është realizuar një vlerësim i pavarur për gjendjen dhe perspektivën e transmetuesit publik shqiptar.
Sipas Vasilit, raporti evidentoi nevojën për një proces të strukturuar transformimi dhe formuloi një sërë strategjish për zhvillimin afatgjatë të RTSH-së.
Në kuadër të procesit të reformimit dhe modernizimit, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, ekspertët e EBU-së analizuan situatën e institucionit dhe identifikuan reformat prioritare që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme.
“Në bashkëpunim me EBU-në kërkuam një vlerësim të pavarur dhe ky vlerësim evidentoi nevojën për një proces të strukturuar transformimi, duke formuluar një sërë strategjish për ecurinë afatgjatë të RTSH-së. Relacioni ndodhet në dispozicion të RTSH-së dhe të të gjitha institucioneve përkatëse, si edhe është publikuar online në RTSH, ku kushdo mund të njihet me të.
Në kuadër të këtij reformimi dhe modernizimi, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, EBU analizoi dhe identifikoi reformat prioritare. Raporti vlerëson se RTSH vijon të mbetet institucioni kryesor mediatik publik në vend, me rëndësi të veçantë për komunikimin dhe informimin e publikut, por përballet me sfida strukturore, financiare dhe operacionale të akumuluara ndër vite”, tha Vasili.
Vasili tha se raporti vlerëson se RTSH vijon të mbetet institucioni kryesor mediatik publik në vend, me një rol të rëndësishëm në informimin dhe komunikimin me publikun. Megjithatë, sipas analizës së EBU-së, transmetuesi publik përballet me sfida të konsiderueshme strukturore, financiare dhe operacionale, të akumuluara ndër vite.
Sipas raportit, këto problematika lidhen me mungesën e investimeve afatgjata, fragmentimin e strukturave organizative, zgjerimin e pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimet e vazhdueshme financiare.
Drejtoresha Vasili tha se raporti i EBU vlerëson gjithashtu se modeli aktual i funksionimit nuk i përgjigjet më sfidave dhe ambicieve të medias publike moderne. Një ndër problemet kryesore të evidentuara është administrimi i një numri të lartë kanalesh televizive dhe radiofonike, të cilat tejkalojnë kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të RTSH-së.
“Këto sfida kanë ardhur si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata, fragmentimit të strukturave organizative, shfrytëzimit të pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimeve të vazhdueshme financiare.
Sipas EBU-së, sfida kryesore e RTSH-së lidhet me nevojën për të krijuar një model të ri funksionimi, i cili të harmonizojë strukturën organizative, burimet financiare, teknologjinë, audiencën dhe prioritetet editoriale.
Raporti thekson se modeli ekzistues nuk është më i përshtatshëm për sfidat dhe ambiciet e medias publike. Një nga sfidat kryesore është fakti se RTSH administron një numër të lartë kanalesh televizive dhe radiofonike, që tejkalojnë kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionit.”, tha Vasili.
Vasili: RTSH gëzon besueshmërinë e publikut, por ka nevojë për modernizim. Financimi i pamjaftueshëm pengon zhvillimin
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, gjatë raportimit për raportin vjetor të RTSH për 2025 tha se media publike ka nevojë për një transformim të thellë dhe modernizm të saj.
Vasili ka bërë publike gjetjet e raportit të hartuar nga EBU, i cili vlerëson se racionalizimi i portofolit të shërbimeve është një kusht i domosdoshëm për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e eficiencës së medias publike në të ardhmen.
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH theksoi se raporti evidenton gjithashtu se qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e institucionit dhe procesin e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare, si dhe mungesa e investimeve të mjaftueshme në teknologji.
“Raporti vlerëson se racionalizimi i portofolit të shërbimeve përbën kusht për rritjen e cilësisë dhe përmirësimin e eficiencës afatgjatë të medias publike.Qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e RTSH-së dhe procesin e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare, si dhe nevojat e paplotësuara për investime teknologjike. Në këtë kuadër, kërkohet një lidhje më e drejtpërdrejtë mes planifikimit strategjik, burimeve financiare dhe prioriteteve programore”, tha Vasili.
Në aspektin editorial, Vasili tha se raporti vlerëson se RTSH vijon të gëzojë besueshmëri dhe të mbajë një rol të rëndësishëm në median publike shqiptare. Megjithatë, ai thekson nevojën për forcimin e procesit të digjitalizimit, shtimin e përmbajtjeve të dedikuara për të rinjtë dhe diasporën, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset vendimmarrëse editoriale dhe strategjike.
“Në aspektin editorial dhe të besueshmërisë ndaj publikut, EBU vlerëson se RTSH gëzon ende besueshmëri dhe një rol të rëndësishëm në median publike, por thekson nevojën për forcimin e digjitalizimit, rritjen e përmbajtjes së orientuar drejt të rinjve dhe diasporës, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset vendimmarrëse editoriale dhe strategjike.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime lidhur me nevojën për modernizimin e mëtejshëm të medias publike, në mënyrë që ajo të përmbushë më mirë kërkesat e publikut dhe sfidat e mjedisit mediatik në ndryshim”, tha Vasili.
Luarasi: Reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme
Bashkëkryetarja e Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, pas dëgjesës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së mbi raportin vjetor të vitit 2025 të institucionit, deklaroi se reforma e nisur gjatë 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme.
Ajo paraqiti një seri rekomandimesh për vitin 2026, duke theksuar nevojën për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit publik.
Në fjalën e saj, Luarasi theksoi se plani strategjik i RTSH-së duhet të përfshijë objektiva të qarta dhe të matshme, të shoqëruara me mekanizma raportimi gjashtëmujor, në mënyrë që reformat e nisura të mos mbeten vetëm deklarative.
“Rekomandojmë që të miratohet plani strategjik i shoqëruar me objektiva të matshëm dhe me mekanizma raportimi periodic 6-mujor, në mënyrë që reformat të mos mbeten deklarative, por të kenë rezultat të prekshëm për institucionin dhe publikun”, u shpreh Luarasi.
Një tjetër pikë e rëndësishme e rekomandimeve ka të bëjë me racionalizimin e portofolit të kanaleve televizive dhe radiofonike. Luarasi sugjeroi që numri i kanaleve të reduktohet dhe secili të ketë identitet të qartë editorial, duke u përshtatur me kapacitetet reale prodhuese dhe financiare të RTSH-së.
“Portofoli i kanaleve televizive dhe radiofonike duhet racionalizuar, duke zvogëluar numrin e tyre dhe duke i dhënë secilit identitet të qartë editorial, në përputhje me kapacitetet reale prodhuese dhe financiare”, tha ajo.
Bashkëkryetarja e komisionit theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të arkivave dhe paraqitjen e një plani operacional dhe financiar pranë Kuvendit, me kërkesë buxhetore të qartë për të shmangur degradimin e pakthyeshëm të fondit arkivor kombëtar.
“Duhet të paraqitet pranë Kuvendit një plan operacional dhe financiar i dedikuar për përfundimin e digjitalizimit të arkivës, me kërkesë eksplicite buxhetore, në mënyrë që të shmanget degradimi i pakthyeshëm i fondit arkivor kombëtar”, deklaroi Luarasi.
Një nga rekomandimet kryesore lidhet edhe me ridimensionimin e RTSH-së në Kuvend, përmes krijimit të një strukture editoriale të qëndrueshme që mund të shërbejë për konsultim publik dhe edukim qytetar mbi procesin ligjvënës. Po ashtu, Luarasi kërkoi forcimin e pavarësisë institucionale dhe editoriale, duke përfshirë procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.
“RTSH Kuvend duhet të ridimensionohet me një strukturë editoriale të qëndrueshme në funksion të konsultimit publik dhe edukimit qytetar mbi procesin legjislativ. Duhet të forcohet pavarësia institucionale dhe editoriale, përfshirë procedurat për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues”, theksoi Luarasi.
Përsa i përket aspektit financiar, bashkëkryetarja rekomandoi rishikimin e modelit financiar të RTSH-së, përfshirë tarifën e aparatit televiziv dhe pjesën e mbajtur nga OSHEE, për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të transmetuesit publik.
“Rishikimi i modelit financiar, duke përfshirë tarifën e aparatit televiziv dhe përqindjen e mbajtur në OSHEE, është thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të RTSH-së”, u shpreh ajo.
Luarasi vuri në dukje se reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme për këto ndryshime dhe se vitin 2026 RTSH-ja duhet të fokusohet në implementimin efektiv të tyre, duke siguruar një transmetues publik më të fortë, më efikas dhe më të qëndrueshëm.
“Reforma e nisur gjatë vitit 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme. Tani RTSH duhet të përqendrohet në implementimin e rekomandimeve, për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm dhe efektiv të transmetuesit publik”, theksoi Luarasi.
Beci: Të rritet tarifa e pajisjes, kjo kërkon vullnet politik
Nënkryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Petrit Beci, deklaroi se situata në transmetuesin publik mbetet e ndërlikuar dhe e ndikuar nga një krizë e gjatë strukturore dhe financiare.
Sipas Becit, një nga faktorët që ka sjellë lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU lidhet me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit. Ai theksoi se ngërçi i mëparshëm ka thelluar krizën e RTSH-së, e cila sipas tij ka mbi 10 vite që vijon.
“Një nga arsyet që ka një lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU ka të bëjë edhe me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit, pasi ky ngërç e ka thelluar krizën që ka ky institucion, e cila ka mbi 10 vite që ka filluar. Ne konstatojmë problemin, por askush nuk jep zgjidhje. RTSH vetë nuk mund të japë zgjidhje përveçse të ulë shpenzimet deri në kufijtë e mundshëm. Në fund të vitit 2026, pritet të arrihet në limitin e mundshëm të uljes së shpenzimeve.
E vetmja gjë që ka në dorë RTSH, sipas planit të EBU-së, është edhe një reduktim i numrit të punonjësve, i cili do të bëhet hap pas hapi. Vetë raporti i EBU-së është afatgjatë”, tha Beci.
Ai tha gjithashtu se, sipas planit të EBU-së, një nga masat e parashikuara është edhe reduktimi gradual i numrit të punonjësve si dhe rritja e tarifa është vendosur rreth 15 vite më parë dhe se, sipas tij, të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë dyfishuar që nga vendosja e saj. Ai theksoi se çështja e financimit kërkon vullnet politik.
Beci shtoi se dalja nga kriza nuk mund të arrihet pa financime shtesë, ndërsa RTSH ndodhet aktualisht në stanjacion financiar.
“Së pari, duhet theksuar se ka 15 vite që është vendosur tarifa, dhe unë përsëris se të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë dyfishuar që nga momenti kur është vendosur taksa prej 100 lekësh. Kjo çështje nuk zgjidhet më vetëm në negociata me OSHEE-në; këtu nevojitet vullnet politik. Nuk krijohen as probleme sociale, pasi qytetarët me të ardhura minimale kompensohen siç ndodh në gjithë botën.
Pra, nuk paguhet 1.5 dhe më pas kompensohet. Kjo është praktikë që zbatohet në shumë vende. Dalja nga kriza nuk bëhet pa financime dhe RTSH ka një situatë që është në stanjacion financiar. Janë rritur të gjitha kostot, përfshirë edhe blerjen e të drejtave, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt te RTSH”, tha ai.
Vasili thirrje Kuvendit: Reformat në RTSH kërkojnë financim, ndryshe mbeten vetëm në letër
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, ka deklaruar gjatë raportimit për bilancin vjetor të RTSH-së për vitin 2025 se institucioni po punon për një sërë planesh reformuese, por zbatimi i tyre mbetet i kushtëzuar nga mungesa e financimit.
Sipas Vasilit, RTSH është duke hartuar plane që lidhen me strukturën organizative, modernizimin, investimet dhe rishikimin e aseteve fizike të institucionit.
“Po punojmë për një plan për strukturën, për modernizimin, për investimet dhe për rishikimin e aseteve fizike. Jemi duke punuar, por këto plane kanë një faturë dhe problemi ynë i madh është pikërisht ky: gjithçka ka një kosto dhe çdo reformë që të realizohet ka një kosto”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e kapaciteteve të plota njerëzore, ndërsa nënvizoi se çdo reformë kërkon burime financiare të qëndrueshme për t’u realizuar.
Në këtë kuadër, Vasili tha se RTSH i është drejtuar Kuvendit dhe institucioneve të tjera për mbështetje, duke kërkuar që reformat të mos mbeten vetëm në nivel planifikimi.
“Pa mbulimin e kostove financiare, këto plane që ne mund të bëjmë mbeten vetëm në letër”, shtoi drejtoresha e RTSH-së
Vasili: Tarifa për aparatin, më e ulëta në Europë. Më pak se 1 euro, por vendimtare për institucionin
Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, deklaroi se tarifa për aparatin televiziv, e cila është burimi kryesor i financimit të RTSH-së, mbetet ndër më të ulëtat në Europë.
“Më e ulëta në gjithë Europën. Është më pak se 1 euro sot që flasim, më pak se 15 vite më parë. S’bëhet fjalë për rritje takse. Ajo është tarifë që mundëson ekzistencën e institucionit. Burimi kryesor i financimit të RTSH është tarifa për aparatin” u shpreh Vasili.
Ajo theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të publikut për nevojën e reformave, menaxhimit më të mirë dhe ristrukturimit brenda RTSH-së. “Publiku duhet të kuptojë se reforma, menaxhimi i mirë dhe ristrukturimi janë thelbësore, por këto kërkojnë bashkëpunim – dy duar që ndihmojnë njëra-tjetrën,” shtoi Drejtoresha e Përgjithshme.
Vasili nënvizoi se pa këtë burim të qëndrueshëm financiar, RTSH nuk mund të funksionojë normalisht, duke garantuar prodhim të pavarur dhe mbulim gjithëpërfshirës të ngjarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Beci: Legjislacioni për institucionet publike duhet të jetë më efikas, përballet me mungesë pajisjesh dhe amortizim të lartë teknologjik
Nënkryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizioni Shqiptar, Petrit Beci, gjatë një raportimi në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, ka ngritur shqetësime lidhur me efikasitetin e legjislacionit që rregullon funksionimin e institucioneve publike, si dhe sfidat teknologjike dhe financiare me të cilat përballet RTSH.
Në fjalën e tij, Beci theksoi se kuadri ligjor aktual është i ngurtë dhe nuk u përgjigjet nevojave reale të institucioneve publike, duke sjellë vonesa në procedura dhe vështirësi në realizimin e investimeve dhe tenderimeve.
“Legjislacioni është shumë i ngrirë. Ka raste kur tenderë esencialë nuk realizohen për periudha të gjata kohore, ndonëse janë të domosdoshëm për funksionimin e institucionit. E njëjta problematikë vërehet edhe në sektorë të tjerë si arsimi dhe shëndetësia, ku kuadri ligjor mbetet shpeshherë më shumë liberal sesa efikas për institucionet publike”, u shpreh Beci.
Ai shtoi se puna e realizuar gjatë vitit aktual përbën një bazë fillestare të rëndësishme, por sipas tij, pa mbështetjen e nevojshme ligjvënëse dhe institucionale, reformat nuk mund të japin efekt të plotë.
“Puna e bërë gjatë këtij viti është një bazë fillestare e mirë, por pa pwrkrahjen tuaj si legjislativ, shumë procese nuk mund të ecin përpara me ritmin e duhur”, theksoi ai.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga nënkryetari i Këshillit Drejtues lidhet me gjendjen teknike dhe amortizimin e pajisjeve në RTSH, të cilat sipas tij kanë kaluar çdo afat përdorimi teknologjik.
“Amortizimi i pajisjeve është mbi 1000%. Mjetet televizive, pavarësisht ndryshimeve të teknologjisë, kanë një cikël jetësor shumë më të shkurtër. Sot kemi pajisje që janë mbi 15 vjet të vjetra, të cilat kanë tejkaluar çdo standard funksional”, deklaroi Beci.
Ai theksoi gjithashtu se RTSH disponon disa studio funksionale, përfshirë edhe studion kryesore, por mungesa e pajisjeve moderne kufizon ndjeshëm kapacitetin prodhues dhe cilësinë e transmetimeve.
“RTSH ka katër studio dhe studion e madhe. Ato kanë qenë në punë, por mungojnë pajisjet. Nuk ka fonde të mjaftueshme për të blerë teknologji të re. Na kërkohet të bëjmë më shumë, por pa mjetet e nevojshme kjo është shumë e vështirë”, u shpreh ai.
Beci u ndal edhe te nevoja për transformim të plotë teknologjik dhe profesional, duke theksuar se ndryshimet nuk lidhen vetëm me pajisjet, por edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe aftësimin e stafit.
“Sot nuk mjafton vetëm reduktimi i numrit të punonjësve apo ulja e kostove. Duhet trajnim i stafit dhe përshtatje me ndryshimin e madh teknologjik. Marketingu në sistemet analoge është krejt ndryshe nga ai në sistemet digjitale dhe në epokën e rrjeteve sociale”, tha ai.
Raporti vjetor i RTSH për 2025, Beci: Digjitalizimi i arkivit kërkon investime të mëdha – RTSH
Nënkryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Petrit Beci, dhe Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, kanë folur mbi sfidat që lidhen me digjitalizimin dhe modernizimin e arkivit të transmetuesit publik. Beci u shpreh se procesi i digjitalizimit të arkivit përbëhet nga disa faza, ku fillimisht duhet bërë restaurimi i materialeve, pasi sipas tij kostot aktuale të vlerësuara janë minimale dhe nuk reflektojnë realitetin e punës së nevojshme.
“Arkivi që do të digjitalizohet ka dy pjesë. Më pas është ruajtja si proces i veçantë. Pjesa e digjitalizimit të videos dhe audios për radion dhe televizionin kërkon fillimisht restaurim, pasi kostot e paraqitura janë minimale, madje të pamjaftueshme. Procesi është i gjatë dhe kërkon shumë financim”, u shpreh Beci.
Ai shtoi se përpara digjitalizimit duhet ndërtuar një sistem i plotë restaurimi dhe më pas të realizohet kalimi i arkivit audio-viziv në format digjital, çka sipas tij kërkon kohë dhe investime të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, Eni Vasili theksoi se drejtoria e IT-së po bashkëpunon ngushtë me Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, ndërsa projekti kërkon një plan të qartë investimi dhe mbështetje financiare. Sipas saj, digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë procese të lidhura ngushtë dhe për realizimin e tyre nevojitet një plan i qëndrueshëm financiar.
“Do të na duhet të gjejmë një plan për ta mbuluar edhe këtë proces”, u shpreh Vasili.