Dhomat e Specializuara, përmbajtjen e reagimit e fokusuan krejtësisht tek “porositësi” i raportit, Avokati i Popullit të Kosovës, por jo në gjetjet e bazuara në fakte e statistika.
Një raport i hartuar nga juristët më të mirë britanikë, i cili evidenton shkeljet e rënda kundër të akuzuarve nga Gjykata Speciale, nga kjo e fundit, përmes një komunikate, po interpretohet si “përsëritje e argumenteve të avokatëve mbrojtës”.
Në fakt, Dhomat e Specializuara, përmbajtjen e reagimit e fokusuan krejtësisht tek “porositësi” i raportit, Avokati i Popullit të Kosovës, por jo në gjetjet e bazuara në fakte e statistika. Specialja gjithashtu kontestoi kredibilitetin e argumenteve, duke përjashtuar faktin se organizata që e përgatiti atë ,“BHRC”, në regjistrin e anëtarëve të saj “ka avokatët dhe akademikët më të njohur në fushën e të drejtave të njeriut në Britani”.
Avokati i Popullit i Kosovës, për llogari të së cilit u përpilua ky raport, është institucioni që shënjestrohet disa herë në sulme, brenda vetëm një deklarate të lëshuar nga Dhomat e Specializuara. Ombudspersoni, thotë Specialja, “s’ka të drejtë të bëjë parashtrime në Gjykatën e Hagës”, sikurse “s’ka as organizata britanike”. Këtu, DHSK, thotë se “e ka Avokatin e vet të popullit”, të cilin, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin refuzuar ta takonin shkaku i neglizhencës dhe heshtjes” së tij në trajtimin e ankesave dhe shkeljeve ndaj tyre.
Artikull:
Ky raport, shton Gjykata “s’do të ndikojë në aktivitetin gjyqësor”, gjë që lë të kuptohet se shqetësimet do të flaken tutje dhe nuk do të adresohen në vazhdimësi.
Në vazhdën e sulmeve ndaj Avokatit të Popullit, Gjykata Speciale thotë se “Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk ka konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve”. Por, është qartësisht e dokumentuar, e në raport e shkruar, “se gjykatësit e Speciales po ndërhynë aktivisht në ndërtimin e çështjes, kanë përdorur dokumente që s’ishin pjesë e provave e madje të marra edhe nga interneti, duke dalë përtej rolit të tyre e duke u futur në territorin e funksionimit si një prokuror i dytë”.
Në anën tjetër, Gjykata Speciale, ankohet se sipas saj “një numër aspektesh të ngritura nga Avokati i Popullit i Kosovës, të diskutuara në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, janë kryesisht përsëritje e argumenteve të paraqitura nga Mbrojtja”. Duke shtuar, se “nuk janë marrë për bazë argumentet e Prokurorisë”. Këtu, Gjykata Speciale nuk adreson të gjeturat për dokumentet e ardhura nga Serbia, si prova që mund të cenojnë standardet e drejtësisë në Hagë. Nuk adreson as vendimet e njëpasnjëshme në favor të Prokurorisë, përfshirë paraburgimin, nga ku del se mbi 100 kërkesa të krerëve të UÇK-së janë hedhur poshtë.
Nuk adresohet as publiciteti i munguar i seancave dhe as fakti që një shumicë dërrmuese e tyre dëshmuan në përmbajtje të plotë të redaktuar.
Nuk adresohen as refuzimet e njëpasnjëshme, as ato në raste të jashtëzakonshme të tragjedive familjare, kur gjykatësit refuzonin vizitat në Kosovë të të akuzuarve.
As koha e kaluar në paraburgim, as koha para nisjes së gjyqit, asgjë tjetër.