Aksidenti tragjik në Durrës, shtyhet diskutimi për Kodin Rrugor! Balla: Kemi propozuar amendamente për masa parandaluese, kërkojmë më shumë kohë
Taulant Balla kërkoi shtyrjen e diskutimit për Kodin Rrugor, duke iu referuar aksidentit në Durrës ku humbën jetën dy të mitur. Ai tha se dy deputetë të PS kanë depozituar disa amendamente për masa kundër shoferëve të papërgjegjshëm, duke kërkuar rrjedhimisht më shumë kohë për shqyrtimin, kërkesë që u miratua.
“Dy deputetë të PS, kanë depozituar disa amendamente, për marrjen e masave parandaluese ndaj drejtuesve të mjeteve të papërgjegjshëm, dhe në këtë mënyrë për të lënë kohë që edhe kolegë të grupit parlamentar të PD dhe komisioni po ashtu dhe ministria përkatëse kërkojmë shtyerjen e diskutimit të kësaj çështje me qëllim që të kemi konsensus të plotë. Besoj biem të gjithë dakord për ta shtyrë bashkë me kolegët”, tha Balla.
Kërkesa e PD për diskutimin e raportit të PE, Balla: S’mund ta miratojmë ne para PE, javën tjetër diskutimi
“PE këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë parlamenti. Na kërkohet ta miratojmë ne para se ta bëjë PE. Ne jemi shumë të gatshëm, por e kemi planifikuar javën tjetër më 14 maj. Kjo historia për të marrë këtë 2-minutëshin këtu, kjo nuk shkon. E para na bën qesharakë se do të presim ta miratojë PE. Besoj se do të jemi një delegacion nga ne në PE. Projektrezoluta e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional. E mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet”, tha Balla.
Kuvend/ Rrëzohet kërkesa e PD për debat për raportin e PE për Shqipërinë
Ndarja nga jeta e Servet Pëllumbit, Kuvendi nis me një minutë heshtje në nderim të tij
“Grupi parlamentar i PS ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje solemne në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi”, tha Niko Peleshi, ndërsa kërkesa u pranua unanimisht.
“Në këtë detyrë të lartë shtetërore, Servet Pëllumbi drejtoi me vizion, urtësi e mënçuri, tolerancë e përkushtim shembullor, si një politikan largpamës e patriot. Gjatë gjithë jetës së tij si dijetar dhe intelektual erudit, Profesor Pëllumbi formoi breza të tërë studentësh dhe la një trashëgmi të pasur në shkencat politike dhe sociologjike shqiptare”, tha Peleshi.
Deputetët u ngritën në këmbë në nderim të Servet Pëllumbit.